Ekzekutimet e 4 dëshmorëve ndodhën para se të digjej Komiteti i Partisë! Masakra e Shkodrës, Aredin Shyti: Urdhërova të zihen lartësitë me qitës të përgatitur

Apr 5, 2024 | 11:41
SHPËRNDAJE

TANUSH MULLETITANUSH MULLETI/ Libri i parë, është i shkruar nga Aredin Shyti me titull “Përballë së keqes”, botim i Shtëpisë Botuese “Naimi”, viti 2022, 576 faqe (ashtu siç ia kanë servirur, pasi ai nuk ka qenë prezent në ngjarje).

Gjithashtu, libri i dytë, me titull “Kush vrau më 2 prill?” të shkruar nga Gjekë Çelaj, Shtëpia Botuese “Nervada”, viti 2009, 250 faqe (Prezent në ngjarje deri sa është braktisur objekti i Komitetit të Partisë, i djegur).

Libri i tretë është ai i Shaqir Vukaj, “Nga gjakosja e Shkodrës Pranverë ’91, te përgjakja e Shqipërisë Pranverë ’97”, botimi i Shtëpisë Botuese “Geer”, viti 2022, rreth 700 faqe. (Mesa duket, siç e ka parë nga zyrat e Komitetit Ekzekutiv).

Shaqir Vukaj për ngjarjet e 2 Prillit në kapitullin “Si e pashë unë”, në faqen 69 deri në faqen 80, tregon ecurinë e ngjarjes, e parë nga Komiteti Ekzekutiv. “…Fillimisht dukej një turmë të rinjsh me çanta në dorë, çka kuptohej se ishin nxënës të shkollave të mesme që vetëm thërrisnin (siç morëm vesh më vonë ishin nxënës të gjimnazit ‘Jordan Misja’). Me ta filluan të bashkoheshin dhe të tjerë, që vinin kryesisht nga gjimnazi “29 Nëntori…”.

“…Sinjali i parë tregoi se nuk do të ishte protestë paqësore…! Nxënësit me çanta në duar u ulën përballë ndërtesës së Komitetit të Partisë, të vendosur për të mos lëvizur nga vendi. Në këtë kohë, turma sa vinte edhe shtohej me njerëz që vinin nga të katër anët, kryesisht të rinj… Rreth orës 8 e 30 minuta, në një moment që nuk kuptohej se nga filloi, policia i sul me shkopinj gome mbi nxënësit, ndërsa turma u tërhoq drejt sheshit, midis dy komiteteve…! Herë sulmonin policit drejt turmës, herë turma drejt policëve. Por turma sa vinte e rritej dhe mbas pak kohësh sheshi midis dy komiteteve u mbush me njerëz… Dua të theksoj se pushkët e para janë dëgjuar herët, herë të shtëna të shkëputura e herë breshëri automatiku, por jo me shumicë. Nuk vonoi shumë dhe rreth orës 11 u pa që dilte tym nga ndërtesa e Komitetit të Partisë…”.

Shënim: Vrasja e 4 heronjve të Demokracisë dhe plagosja e shumë të tjerëve kishte ndodhur para orës 11, para djegies së Komitetit të Partisë. Vërejtja e parë për mendimin tim është: Përse policia sulmoi gjimnazistët e ulur në shesh? Vërejtja e dytë: Kur filluan krismat e armëve?! Vërejtja e tretë: Përse policia më 1 prill ishte paqësore dhe me 2 prill e dhunshme?

Nëse do të lexojmë telegramet e ardhura nga qendra për Degën e Brendshme Shkodër është mëse e kuptueshme që sinjali ka qenë se, duhej të përgjigjej me dhunë pa filluar organizimi. Ja çfarë shkruan H. Shyti, faqe 122 për telegramin e dërguar Degës së Brendshme Shkodër me datë 1 Prill 1990: Në kushtet që u krijuan shkrova telegramin me këtë përmbajtje: “Në votimet e 31 marsit fitoi ? partia e Ramiz Alisë. Kjo ka rëndësi përcaktuese për të ardhmen. Gjithë të tjerat, si çështja e kushtetutës e presidentit etj., varen nga Partia e Punës. Ajo që kërkohet nga ne është të shtrëngojmë radhët dhe çelja e syve për t’u treguar vendin armiqve dhe keqbërësve. Organizoni shërbimet që të jemi të kudondodhur. A. Shyti”. Më pas, në telegramin e dërguar të gjithë Degëve.

Më pas, në telegramin e dërguar të gjithë Degëve të Brendshme në rrethe, ja çfarë shkruan në faqen 127: … Në mëngjesin e 2 prillit 1991 shkrova për të gjitha Degët e Punëve të Brendshme, telegramin me këtë përmbajtje: “Gjatë ditës së djeshme në qytetet Tiranë, Shkodër dhe Kavajë janë grumbulluar turma njerëzish në mënyrë të paligjshme duke hedhur parulla politike dhe fyese për personalitete të kombit. Forcat e policisë kanë ndërhyrë me agjitacion ose nuk kanë ndërhyrë fare. Qëndrime të tilla mbas datës 31 mars janë shumë të gabuara. Policia të ndërhyjë me ashpërsinë e ligjit dhe kurdoherë ushtrimi i forcës të shoqërohet me ndalimin e fajtorëve. Për të vepruar me forcën e shkopit të gomës nuk ka askush arsye të pyesë përgjegjësit. Godisni ashpër qysh në fillim të grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turma mund të godasin me armë forcat tona zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat të mos shkojnë të armatosur”. (Shënim T. M.: Një pjesë e policisë).

Mund të mos ketë nevojë për koment, por zanafillën do ta tregoj më vonë.

Më pas Shaqir Vukaj thotë se “Protestuesit u qetësuan nga disa intelektualë dhe bibliotekën e shpëtoi policia”. Kjo nuk është aspak e vërtetë! E përmenda më sipër se Bibliotekën e qytetit e shpëtuan disa intelektualë dhe drejtori i Bibliotekës së asaj kohe, Skënder Beci i cili kishte një reputacion të mirë në qytetin e Shkodrës, i cili nxori dy-tre karroca me veprat e Enver Hoxhës, të cilat u dogjën dhe situata u qetësua. Nuk ka patur asnjë polic në objekt pasi ato i braktisën objektet me urdhër pas djegies së Komitetit të Partisë. Po kështu RadioShkodrën nuk e ka shpëtuar Policia dhe Gëzim Podgorica, pasi kur ne kemi ikur te “Radio Shkodra”, pas djegies së Komitetit të Partisë, nuk kishte më policë nëpër Shkodër. E kemi shpëtuar unë dhe Besnik Komi në emër të Sindikatës.

Drejtori i Radios Shkodrës, sipas Shaqir Vukës, ka bërë një vepër të mirë se fuqinë e antenës e ktheu nga 24 Kë, e uli në 1Kë. Në Radio ishin shumë punonjës dhe jo katër vetë siç shkruan ai në libër. Sekretarin e Komitetit të Partisë XH.G, e shpëtoi herën e parë mësuesi i fizkulturës Ll.V., ndërsa herën e dytë ndërhynë civilë të armatosur (të policisë). Revoltën e bëri vetë populli i Shkodrës, e bënë krismat e armëve që u dëgjuan dhe mblodhën popullin. Parullat sipas Shaqir Vukës ishin: “Poshtë komunizmi! O, Ramiz, o zagar! Shkodra Republikë! Unë nuk e kam dëgjuar: O, Ramiz, o zagar”! Përse?! Se një pjesë e popullit kishte përsëri besim te Ramiz Alia.

Unë kam dëgjuar dhe më keq, një vjershë që thoshte: “Sllobodan mësyj Tiranën, se na ke të gjithëve në kamb”. Populli ishte i lodhur moralisht dhe ekonomikisht. Dreqi të vinte, vetëm komunizmi e stalinizmi të hiqej nga Shqipëria. Shkodra Republikë?!! Në Shkodër përdoret si shprehje për një njëri që është i veçantë, që është në punë të tij. “Ky është republikë më vete”. Por, duhet të shtojmë se në raport me qytetet e tjera, Shkodra është e veçantë jo vetëm në art dhe kulturë por dhe në jetën politike, historike, ekonomike, etj. Rastësia e bëri 2 Prillin. Ndryshimi do të ndodhte (dominoja e fundit do të rrëzohej) dhe është e kuptueshme që qendra kryesore do ishte Shkodra. Me të drejtë, filozofi Monteskje thotë: “Te rastësia është Perëndia”. Aty nisi, aty krisi; aty filloi dhe aty mbaroi terrori stalinist e enverist, mbi banorët e rrethit Shkodër.

Hajredin Shyti, faqe 126, bën pyetje: As unë nga Tirana dhe as Çapajevi e Dilaveri që ishin në Shkodër nuk i jepnim dot përgjigje pyetjes: nga vinte kjo zemëratë? Zemërata dhe mosbesimi ndaj Partisë së Punës dhe Degës së Brendshme ishte e hershme. Nga viti ’45 -’90, janë mbi 600 vetë të pushkatuar me gjyq e pa gjyq, terrori ka qenë shumë i fortë, janë djegur shtëpia, burgosur e internime familjarisht. Nuk ka rrugicë në Shkodër që mos të ketë një të internuar ose të burgosur. Po marrim vetëm dy vitet e fundit të regjimit komunist të tregojmë çfarë ka ndodhur në Shkodër: Më 24 gusht 1989, Gjon Mark Kumbullaku (25 vjeç) e Dod Fran Gjerkaj (22 vjeç), në tentativë për të kaluar kufirin në Suka-Dajç janë dorëzuar dhe janë kapur me duart lart. Ata janë vrarë nga trupa e Njësitit Kufitar. Për të terrorizuar popullin, janë lidh me tela me gjemba, mbrapa spondës së makinës, gjysmë të zhveshur, janë shëtitur nëpër Shkodër e fshatra, etj. Kjo është një përdhosje e kufomës, krim makabër që dënohej edhe me Kodin Penal të asaj kohe.

MixCollage-04-Apr-2024-02-45-PM-7906

NË FAQEN 41-43, TË HAJREDIN SHYTIT, TREGON NGJARJEN E MËPOSHTME:

“Gjykata e Lartë kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ministri tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk e kishte pranuar kërkesën e tyre për falje. Prandaj, tha ai, të pushkatohen sonte në zonën e Kombinatit (Shënim T. M.: Kombinati Tekstil ‘Stalin’ Tiranë) dhe kufomat të lihen në vend që t’i shohin qytetarët në mëngjes”. Më falni, i thashë ministrit, por kjo nuk mund të bëhet. Sapo i thashë se veprime të tilla janë në kundërshtim me funksionet e shtetit, zemërimi ia tjetërsoi fytyrën. Ishte reagimi i njeriut të pushtetshëm që i vlerëson dijet e tij në të njëjtën lartësi me poltronin ku është ulur. Po mbase më shumë sesa nga etika çalamane e përgjigjes time, se funksionet e shtetit ishin të renditura në tekstin e lëndës Teoria e Shtetit dhe e së Drejtës…

“… tregoi se vazhdohej të besohej se demonstrimet me kufoma të njerëzve të pushkatuar me vendime gjyqësore do sillnin suksese në luftën për parandalimin e kriminalitetit…”

“… Në dy a tre raste, njëri prej tyre në Shkodër, kufomat e njerëzve të vrarë në tentativë për të kaluar kufirin u ekspozuan të shikoheshin nga sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Sa i rëndë është gabimi që kryhet përcaktohet nga pasojat që sjell. Dhe pasojat ishin shumë të rënda. Njerëzit kishin të drejtë të përbuznin veprimin dhe zbatuesit e tij. Valët e urrejtjes për Çapajev Taçin (pasi ishte marrë i pandehur për ngjarjen e 2 prillit 1991), i ushqente pikërisht rasti i përmendur. Çdo procedurë tjetër jashtë normave për çfarëdo qëllimi do të duhet të vlerësohej ligjërisht dhunim i kufomës…”.

Më 20 prill 1990, dy të rinj Dhurata Sokoli (25 vjeçe) dhe Elez Kraja (26 vjeç) janë kapur shume larg kufirit nga Njësiti i Kufirit. Komandanti i ka zhveshur lakuriq dhe ka urdhëruar ushtarët të abuzojnë seksualisht me to dhe më pas t’i ekzekutonin. Regjimi e dekoroi dhe e ngriti në detyrë, duke e bërë Komandant të Kufirit të Portit të Durrësit. Në vitin 1993, ky komandant u arrestua dhe u dënua me 17 vjet heqje lirie. Ushtarët e pranuan krimin. Në vitin 1997, ai u largua nga Shqipëria. Më 18 maj 1990, dy kushërinj 25 vjeçarë velipojakë, Gjekë dhe Vatë Beqi tentojnë të kalojnë kufirin me not dhe qëllohen me automatik në ujë. Njëri plagoset. I nxjerrin në breg. Komandanti i Pikës Kufitare, Bino Binaj, duke kundërshtuar edhe ushtarët dhe në kundërshtim flagrant me ligjin që kishte dal më 8 Maj 1990 (Kalimi i kufirit nuk quhej më tradhti e lartë ndaj atdheut), e vret Vatën në breg. Komandanti u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. Po dhe ky u largua nga Shqipëria në drejtim të paditur.

Më 13 dhjetor 1990, djaloshi 16-vjeçar Olsi Lorja, i cili thërrmoi me çekiç pjesën e kokës së bustit të Enver Hoxhës, për t’i shpëtuar arrestimit iu drejtua kufirit dhe u vra më 20 dhjetor ’90. Më 16 qershor 1990, u vra në kufi djaloshi 16 vjeçar, Pllumb Pllumbi. Më 12 qershor 1990 u vra në Zogaj, Nini Rrok Hoti. Më 7 tetor 1990 u vra në kufi, Agron Ismail Hoxha.

Më 2 dhjetor 1990, u vra në kufi, Ndue Luk Markaj. Të gjithë këto vrasje janë kryer nga Reparti 299 (i kufirit), në kundërshtim me ligjin. Hetuesia, pasi ka bërë hetimet, çështjet penale janë pushuar në referencë të nenit 18/11 i Kodit Penal, Kryetar i Hetuesisë së Rrethit, ishte Kosta Karanxha.

A. Shyti, në faqen 151-152, paraqet bisedën telefonike me Ramiz Alinë: I kishin thënë se unë kisha pranuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës se policia ishte përgjegjëse për vrasjet, se ajo kishte kaluar kompetencat… Vazhdova të mbrohesha nga informacioni i pasaktë dhe i shpjegova se nuk mund të thosha as para shokëve të mi dhe askujt se policia apo dikush tjetër vrau njerëzit. Do ta thosha po të kisha prova. Debati ndezur se në informacionin e Degës së Brendshme ishte ndryshuar radha e episodeve të ngjarjes. Ai informacion ishte pasqyruar fjalë për fjalë në komunikatën e ministrisë. Për këtë mora përgjegjësi. Ramiz Alia ndërhyri. Më kërkoi shpjegim dhe unë i thashë afërsisht se përmendja e episodeve në atë renditje qe e gabuar dhe duhet të kishte ardhur nga pakujdesia, e ndikuar nga perceptimi që ka pasur konceptuesi i informacionit për rëndësinë e ngjarjeve të ndodhura në 2 prill. “E po mbaje me shëndet”, më tha Presidenti. “Të lutem, shoku Ramiz…” Nuk e mbarova fjalën se ai bëri një “korrigjim” të asaj që tha. Pakënaqësinë e shprehu me fjalët: “Nuk duhet të kishte ndodhur kështu”…

…Atë pasdite më telefonoi Ramiz Alia dhe më pyeti: “Si e the atë fjalën ti për kompetencat?”. “Nuk e kujtoj, për kur është fjala”, e pyeta. Ai ishte me të tjerët në zyrë dhe për diçka i pyeti që të ndihmonte kujtesën time. U kujtova dhe i thashë: “Mos është fjala për kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme ose nevojën ekstreme”? Ai tha se pikërisht për atë po pyeste dhe biseda midis nesh mbaroi…”. Teksti i deklaratës u transmetua nga masmedia në mbrëmjen e asaj dite dhe cilësohej se ishte “komunikatë e Hetuesisë së Përgjithshme”.

Pas dy tre ditësh erdhën vendimet e arrestit të nënshkruara nga Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino për Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjek Çelajn. Aredin Shyti dhe ministri Gramoz Ruçi, nuk janë pajtuar me vendimet e arrestit dhe i kanë kthyer mbrapsht.

A. Shyti faqe 196: “Në datën 25 korrik 1992, u arrestova në vendin e punës, tek Akademia e Rendit. Në mbrëmje lajmi që u dha në TVSH ishte ndërtuar për të përcjellë kumtin se vrasësi i 2 prillit u zbulua. Ishte zgjedhur koha, të nesërmen në 26 korrik mbaheshin zgjedhjet për pushtetin vendor”. Ja si shkruan Gjek Çelaj për ngjarjet e 2 prillit, faqe 28-29:

“Në verën e vitit 1990, u njoftova se Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur që unë të transferohesha nga Puka në Shkodër me detyrën e zëvendësshefit të policisë së rrethit…! Ashtu si dhjetë vjet më parë, kur kisha shkuar në Tiranë për të vazhduar Akademinë e Rendit Publik pa ndonjë dëshirë të madhe…

… Policia e rrethit kishte në krye një shef që nuk ishte kuadër i mirëfilltë policie, por që pas fakultetit ekonomik kishte mbaruar me korrespondencë Akademinë e Rendit, që në atë kohë quhej Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ishte njeri serioz dhe me dëshirë për punë, ishte i ndershëm, i zgjuar dhe i pakompromentuar, por jo shumë i prerë dhe me vendosmëri për të drejtuar policinë e një rrethi si Shkodra. Gjithsesi, Dilaver Papare mbeti një kuadër i mirë policie…. …Kur u transferova në Shkodër, në krye të DPB ndodhej Çapajev Taçi nga Gjirokastra, një kuadër me eksperiencë i Sigurimit të Shtetit dhe si drejtues, por me aftësi të kufizuara për të drejtuar me operativitet punët. Ai ishte një kuadër korrekt e serioz dhe i prirur drejt shablloneve e llafollogjisë boshe. Ai rrinte deri në 15 orë në ditë në punë, por pa bërë asgjë konkrete dhe efektive. Ai u përbishtë atyre lloj kuadrove drejtuese që u përsërisin shpesh vartësve se duhet punuar më shumë, pa u thënë asnjëherë se çfarë duhet bërë konkretisht…”.

(Shënim im, T.M.: Ka qenë me kartelë shëndetësore për probleme me shëndetin mendor. Aredin Shyti, faqe 277).

“…Më 14 janar 1990, në qytetin e Shkodrës ishte organizuar një demonstratë për rrëzimin e bustit të J.V.Stalinit. Meqenëse DPB i kishte arrestuar një natë më parë organizatorët, demonstrata kishte dështuar, por autoritetet partiake e shtetërore të asaj kohe ishin detyruar të hiqnin vetë natën bustin e diktatorit sovjetik… Pakënaqësia kishte plasur kudo…. …Organet e Punëve të Brendshme, me sa duket, me diktim nga lart, kishin bërë një akt sa të turpshëm aq dhe të dënueshëm. Pasi kishin vrarë dy të rinj duke kapërcyer kufirin, i kishin vendosur të dy kufomat në një makinë të hapur ushtarake dhe i kishin shëtitur nëpër fshatra për të frikësuar e terrorizuar këdo që mund të mendonte të largohej në atë rrugë nga vendi…! Më 11 shtator 1990 disa persona rrëmbyen anijen e forcave të kufirit aty ku del lumi i Bunës nga Liqeni i Shkodrës dhe kaluan në Jugosllavi. Forcat e kufirit s’kishin qenë fare në gatishmëri, por disa fshatarë të fshatit Zogaj kishin qëlluar me pushkë drejt anijes që lundronte në liqen, dhe, siç u mor vesh më vonë, fatkeqësisht kishin vrarë një fëmijë 5 vjeç.

…Gjatë kohës që do të vuaja dënimin me heqje lirie në Tiranë, Bënçë e Lezhë do të më jepej rasti të takoja e të rrija me më shumë se gjysmën e ish-Byrosë Politike të PPSH-së. Fatkeqësisht, shumica prej tyre nuk rrezatonin as kulturë të gjerë dhe as karakter të fortë. Me disa përjashtime, ata nuk kalonin nivelin mesatar kulturor të çdo diplomati të lartë dhe kishin deficite të mëdha në karakter. Jam bindur se një pjesë e tyre nuk kishin kurrfarë ideali dhe se në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore i kishte çuar vetëm bindja e verbër ndaj çdo gjëje që thoshte dhe bënte “I madhi”. Vetëm po të njiheshe nga afër me ta, atëherë do të kuptoje më qartë se pse vitet ’90 e gjetën Shqipërinë të katandisur ashtu ekonomikisht dhe moralisht…! Mungonin të gjitha mjetet për të përballuar një situatë të tillë, por, mbi të gjitha, mungonin njerëzit e aftë për këtë punë. As efektivi i policisë dhe as kuadrot nuk ishin të përgatitur për këtë lloj veprimtarie. Përse? Se askujt në Shqipëri s’i kishte shkuar ndër mend se do të ndodhnin ndonjëherë akte të tilla në këtë vend, madje, ato deri atëherë konsideroheshin nga propaganda zyrtare si “fenomene të botës borgjeze dhe të kapitalizmit”.

Asnjëherë nuk ishte trajtuar një temë e tillë me kuadrot e ardhshëm në Akademinë e Rendit dhe askush s’dinte si veprohet konkretisht…! Pak kohë më parë na ishte kaluar në dispozicion një repart ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes, për ta përdorur në këto raste, por ai përbëhej nga kuadro dhe ushtarë krejtësisht të papërgatitur për këtë fushë të veprimtarisë policore. E vetmja përshtatje që ishte bërë me ta ishte ndryshimi i uniformës nga kaki në blu dhe dhënia e nga një shkopi gome në dorë…. Në mbrëmjen e 13 dhjetorit, erdhën nga Tirana disa forca speciale me detyrë që të ndihmonim policinë e Shkodrës për të arrestuar pjesëmarrësit aktivë në akte terroriste. Mbasi u morën të dhënat nga punonjësit e policisë që kishin mundur të identifikonin pjesëmarrësit aktivë në akte kriminale, u hartua një listë me rreth 80 emra dhe mbas orës 24 filloi gjetja dhe ndalimi i tyre në Degën e Punëve të Brendshme.

Atë natë dhe dy ditët pasardhëse u gjetën shumica e të dyshuarve dhe u ndaluan. Por, pas hetimeve intensive, vetëm 30 prej tyre u arrestuan. Të akuzuarve do t’u bëhej një gjyq i shpejtë, brenda muajit, dhe do të dënoheshin nga gjykata e rrethit me heqje lirie, me masa që varionin nga 1 vit deri 25 vjet. Akuzat ishin për terror, diversion, sjellje e padenjë në shoqëri, grumbullim i paligjshëm etj. është e çuditshme se si shteti miop dhe i kalbur i Ramiz Alisë, edhe pasi kishte shpallur pluralizmin politik, i dënonte autorët e shkatërrimeve me nene politike, siç ishte diversioni, kur ata kishin shkelur shumë nene të tjerë…

(Shënim T.M.: Më 13 dhjetor 1990, është folur për akte vandaliste si thyerja e disa vitrinave të disa dyqaneve në lagjen Parrucë në Shkodër. Duhet të kujtojmë se forcat speciale që erdhën nga Tirana dhe tanket që erdhën nga Melgusha, e morën situatën nën kontroll. Thyerja e vitrinave të dyqaneve është bërë për t`i dhënë protestës nota vandaliste, ndërkohë është folur që akte janë ndërmarrë nga vetë Sigurimi i Shtetit. Të nesërmen më 14 dhjetor, Arben Imami, përfaqësues i PDsë së asaj kohe, doli në deklaratë se Partia Demokratike distancohet nga aktet vandaliste, pa bërë hetim).

…R. Alia, u shpjegoi atyre se ai kishte urdhëruar që të mbrohej me çdo kusht, por ministri i brendshëm Hekuran Isaj, s’kishte vepruar. Kjo ishte një dredhi që donte të thoshte, “Unë mund të të mbroj ty Hekuran, por ti s’mund të më mbrosh mua”…. Pasi e njoftova për situatën, i thashë se do të ishte mirë të na dërgonte disa policë me një megafon dhe 10 krehra fishekë automatiku… U kërkova 3-4 policëve të shkonin te vendndodhja e megafonit dhe municionit, por ata ngrinin supet të hutuar dhe nuk folën…! Mendova se do të ishin vrarë policët apo ushtarët. Plaka e asaj shtëpie më përcolli deri tek porta e oborrit dhe, pasi u përshëndeta me të, më tha: “Kjo është shtëpia e Tahir Kastratit”…. “Ky krim është i organizuar, është krim shtetëror”, kërkonte llogari dhe bënte presion mbi drejtësinë: “Përse nuk veprohet ndaj organeve të dhunës, që kanë qenë të ngujuar në zyrat e Komitetit të PPSH-së në Shkodër?”…

…Ndoshta kjo ishte arsyeja që unë e prita me indiferencë këshillën e një shokut dhe kolegut tim, oficerit të policisë R.K., i cili, në datën 18 prill më tha: “Gjek, unë jam krejt i bindur se ti je i pafajshëm, por mos iu zër shumë besë këtyre, sepse mund të bëjnë edhe veprime të kundërligjshme ndaj teje, pasi kanë si qëllim të qetësojnë opozitën që s’pranon të shkojë në parlament”… Kur e kaluam portën e atij institucioni, takova një hetues tjetër të asaj hetuesie, N.T. Ai ishte nga Puka dhe njihja prej disa vitesh. Më pyeti se ku po shkoja dhe pastaj më tërhoqi veçmas dhe më tha: “Mos u zër shumë besë, por gjej një avokat dhe mos prano të pyetesh pa praninë e tij”…

…Ndërkohë, hetuesi Bejko hapi çantën, me duart që po i dridheshin nxori prej asaj një dokument që ma zgjati përpara në tryezë. I hodha një vështrim dhe pashë se ishte vendimi i arrestimit tim, i firmosur në fund nga Bejko dhe i miratuar në krye nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Rrapi Mino. Ishte një gjë e papritur dhe tronditëse për mua.

U ngrita në menjëherë në këmbë dhe, duke ju drejtuar hetuesit dhe prokurorit, iu thashë: “Ju, Rrapi Mino dhe Ramiz Alia jeni kriminelë që kërkoni të burgosni njerëz të pafajshëm për të qetësuar situatën politike, por, po ju them se kështu s’do të arrini asgjë dhe do të dështoni me turp, sepse unë do të jem në gjendje të vërtetoj pafajësinë time në çdo kohë”. Hetuesi rrinte ulur dhe nuk fliste fare, ndërsa prokurori m’u afrua me kujdes, gjoja për të më qetësuar, dhe me duart rreth belit tim më afroi afër vetes duke më thënë: “Qetësohu, nuk besoj të qëndrosh shumë, sa të kalojë kjo situatë”. …Isha bërë 31 vjeç dhe nuk kisha parë asnjëherë të qante tim atë. Ai kishte qenë për mua gjithë jetën shembull i mirësisë, i karakterit të fortë dhe drejtësisë. Kur mbarova Akademinë e Rendit në vitin 1983 dhe u nisa për të filluar karrierën si oficer policie në Pukë, ai më dha vetëm një porosi: Kij kujdes, bir, – më tha, – ke një detyrë delikate, prandaj po të lë amanet të mos i bësh kujt keq, sidomos, mos i bjer njeriu në qafë…

…Hyrja jonë në sallë u prit me shumë zhurmë e britma individuale, që shoqëroheshin me gjithfarë fyerjesh në adresë të të pandehurve e, veçanërisht, ndaj Ç. Taçit. E kishin shumë inat, jo vetëm si ish-drejtues i Sigurimit të Shtetit për rrethin për tre vjet, por edhe për faktin se gjatë asaj kohe kishin ndodhur vrasja e disa personave në tentativë për të kaluar kufirin ilegalisht dhe dy prej trupave të vrarë në kufi ishin shëtitur me makinë. Ky akt i ulët, kryer një vit më parë, kishte krijuar zemërim! …Mbas dy ditësh, pra me 2 prill, unë mora pjesë në varrimin e tij, falë guximit dhe ndershmërisë së drejtorit të burgut “313”, z. Tanush Mileti, i cili e mori përsipër dërgimin tim në kundërshtim me mendimin e drejtuesve të Ministrisë së Rendit, nga varej institucioni i riedukimit, të cilit i kishin thënë: “Si të dalë vajzë, si të dalë djalë ti do ta mbash. Ne nuk të themi ta lejosh të shkojë në varrim”… (Gjek Çelaj faqe 275)

PËR KËTË NGJARJE, JA SI SHKRUAN AREDIN SHYTI (FAQE 275):

Është meritë e Tanush Mulletit, drejtorit të burgut që Gjeka e përcolli babanë në banesën e fundit. Pas nisjes së Gjekës për në Lezhë, Tanushi më takoi dhe më tha se drejtuesit në Drejtorinë e Burgjeve (Shënim T.M.: jo të burgjeve por Ministri e më lart) kishin nguruar të jepnin leje. Pas këmbënguljes së tij ata i kishin thënë ta merrte vendimin vetë. Tanushin e pata njohur në takimin e bërë me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur në Shkodër. Ishte një nga drejtuesit e sindikatës. Kishte burrëri Tanushi dhe e besova plotësisht për ato që më tha. Ishte i vetëdijshëm se po merrte një risk për vete. Mbas 30 vjetësh duhet thënë e vërteta. Merita e insistimit tim ishte kërkesa për implementimin e rregulloreve dhe legjislacioni europian për të Drejtat e Njeriut, mbështetur se Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut prevalon mbi legjislacionin shqiptar.

Vazhdim i lajmit—> Nga nisja e protestës te vrasja e 4 personave, si ndodhi masakra e 2 prillit dhe përhapja e lajmit se Ramiz Alia ishte arrestuar. Debati i Azem Hajdarit me shkodranët

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura