Ekspozohet pasuria letrare e familjes së Bushatllinjve

May 2, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE
Ekspozita e Bushatllinjve

Ekspozohet në bibliotekën “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës një pjesë prej pasurisë së madhe të bibliotekës së Bushatllinjve.”Këto materiale për herë të parë kalojnë kufijtë e Bibliotekës Kombëtare, duke qenë e para iniciativë e këtij lloj në vendin tonë”, ka pohuar drejtori i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Aurel Plasari. Në bibliotekën e qytetit të Shkodrës janë bërë të njohura për publikun rreth 150 vëllime të zgjedhur me vlera unikale të bibliotekës së Bushatllinjve, ku libri më i vjetër që është ekspozuar, i përket vitit 1300. Mes një numri të shumtë dashamirës të artit dhe të librit si dhe përfaqësues të trashëgimtarëve të familjes së Bushatllinjve, është bërë të shtunën prezantimi i materialeve të marra nga biblioteka e Bushatllinjve. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, i pranishëm në ceremoni, vuri në dukje rëndësinë e kësaj pasurie kombëtare. “Ne për herë të parë po nxjerrin prej mureve, jashtë Tiranës, këtë fond të jashtëzakonshëm që ka biblioteka jonë. Fondi i Bushatllinjve është një pasuri e madhe e të gjithë shqiptarëve. Nga Shkodra do të vazhdojmë këtë eksperiencë me Prishtinën, ku do të ekspozojmë gjërat e rralla. Kam një kënaqësi të madhe që kjo nismë e jona fillon në Shkodër. Prejardhja e kësaj biblioteke është treguesi më i mirë i kulturës së Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë”, deklaroi Plasari. Sipas tij, kjo bibliotekë dhe librat e saj, që janë të fushave të ndryshme, tregojnë jetën e Shqipërisë së atyre kohëve. Sipas Gjovalin Çunit, drejtori i bibliotekës “Marin Barleti”, në këtë vëllim të ekspozuar përfshihen libra me përmbajtje nga fushat e letërsisë, administratës, filozofisë, fesë, gjuhësisë, kozmografi, retorikës etj. Biblioteka e Bushatllinjve, sipas kronikanit Hamdi Bushati, u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e u pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha, që përmendet si njeri studiues që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali Vakëfit të Shkodrës më 1840. Sipas studiuesve të ndryshëm dhe historianëve të vjetër të qytetit të Shkodrës, mësohet se në bibliotekën e Vakëfit, e cila iu bë dhuratë nga Mustafa Pashë Bushatlliu, ka pasur rreth afro 3000 volume të ndryshëm librash që i përkisnin fushave të teologjisë, jurisprudencës e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj.

Përfaqësuesi i familjes: Kjo pasuri është ndërkombëtarizuar

Nexhmi Bushati, përfaqësuesi i familjes së madhe të Bushatllinjve, shprehu falënderimet për organizatorët, pasi në këtë mënyrë është bërë e mundur ndërkombëtarizimi i kësaj pasurie të madhe. Sipas tij, është mundësuar renditja e këtij fondi në kalendarin e aktiviteteve europiane. Biblioteka e Bushatllinjve, e cila iu dhurua Vakëfit në vitin 1840, ishte biblioteka e parë në shërbim të publikut, pasi deri në atë kohë bibliotekat u përkisnin familjeve të qytetit të Shkodrës ose institucioneve të ndryshme.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura