Ekspozohet bluza e Sabiha Kasimatit dhe dorëshkrimet e Musinesë

Sep 30, 2015 | 12:14
SHPËRNDAJE

Buzëqeshje sfiduese, portret i kuruar, duar me gishta të gjatë… Sabiha Kasimati ishte pa dyshim një nga femrat më të bukura të kohës. Por të jesh e bukur nuk i prish punës askujt, por të jesh edhe e zgjuar dhe e shkolluar, kjo po, përbën një problem të madh.

Bluza e Sabiha Kasimatit
Bluza e Sabiha Kasimatit

Sabiha Kasimati, gjirokastritja e bukur dhe indiferente, biologia e parë në Shqipëri, ishte problem për diktatorin e sapohipur në pushtet, Enver Hoxhën, i cili me rastin më të parë do ta dënonte dhe pushkatonte shoqen e tij të Liceut Francez.

Plot 64 vjet pas pushkatimit të saj me akuzën absurde se kishte marrë pjesë në një plan për hedhjen në erë të Ambasadës Sovjetike, Sabiha Kasimati rikthehet në kujtesën e njerëzve me disa objekte të thjeshta të përditshmërisë së saj. Një bluzë dhe një fjalor.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, Fondacioni “Muzeu i grave” hapi në Muzeun Kombëtar një ekspozitë modeste me objekte personale të disa prej grave intelektuale shqiptare, një pjesë e tyre viktima të komunizmit. Një ndër to është edhe Sabiha Kasimati, prej së cilës, përveç kujtimeve të atyre që e njohën dhe pak fotografive që dëshmojnë për bukurinë dhe klasin e saj, kanë mbetur si relikte një bluzë e qëndisur. Dikur duhet të ketë qenë patjetër e bardhë.

E qëndisur me lule të kuqe dhe e hapur në grykë.. E pranë kësaj veshjeje kaq femërore, një fjalor i gjuhës frënge “Larouse”, si një dëshmi e jetës intelektuale të Kasimatit. Përbri saj, në tavolinën e xhamtë është një dorëshkrim i një tjetër gruaje, që diktatura i mori gjithçka, por nuk arriti ta mposhtte, Musine Kokalarit. Një tjetër gjirokastrite, një femër e bukur dhe e zgjuar, shkrimtare, publiciste, socialdemokrate, që i vriste sytë dhe prishte humorin, Enver Hoxhës.

Fjalori frëngjisht i Sabiha Kasimatit
Fjalori frëngjisht i Sabiha Kasimatit

E dënoi dhe e degdisi për vite të tëra në internim, deri sa mbylli sytë në Rrëshen, në vitin 1983. Në këtë pavijon modest të Muzeut të grave, janë ekspozuar edhe objekte personale të muzikologes Dhora Leka, një abetare e motrave Qiriazi, pioniereve të arsimit në Shqipëri, një libër i Dora D’Istrias, si dhe elemente të veshjeve shqiptare, bizhuteri e të tjera objekte të çmuara nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, që tregojnë për sërën dhe sqimën e femrave shqiptare.

MUZEU I GRAVE
Muzeu i grave, ideuar dhe drejtuar nga aktivistja Elsa Ballauri, është një nismë, që synon të mbajë gjallë memorien historike mbi jetën dhe veprimtarinë e grave shqiptare që prej antikitetit deri në kohët moderne, përmes objekteve, fotografive, filmave dhe dokumenteve të tjera historike. Synimi i MiG është t’i ekspozojë ato, si në rastin e djeshëm, në Ditën e Trashëgimisë Kulturore.

Sabiha Kasimati
Sabiha Kasimati
Një pjesë e mirë e këtyre objekteve i përkasin koleksionit privat të Ballaurit, ndërsa pjesa tjetër është kontribut i të tjerë koleksionistëve, i dhurimeve, por edhe i bashkëpunimeve me institucione shtetërore. Muzeu shqiptar i grave është pjesë e rrjetit “Gratë në Muze”, i themeluar në Merano (Jug i Tirolit, Itali) në vitin 2008 për të shkëmbyer ide, për të realizuar projekte ekspozitash dhe për të diskutuar iniciativa të reja të muzeve të grave.

Ato janë më shumë se 50 muze dhe iniciativa në të gjithë botën, dhe kanë një aspekt të përbashkët: Pothuajse të gjitha janë krijuar si iniciativa private sepse historia dhe krijimtaria e grave asnjëherë nuk ka qenë mjaftueshëm e pranishme në muzetë tradicionalë.

Pikërisht si të gjithë muzetë e grave apo të gjinive, organizata e re synon të përkrahë historinë dhe kulturën e grave dhe të krijojë ndërgjegjësim për problemet e gruas në mënyrë që të kontribuojë për një shoqëri të shanseve të barabarta.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura