EKSKLUZIVE/ “S’më shkon pa këtë vëllain e Kuçit”, rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi me pushkatim pas vendimit të Byrosë

Aug 5, 2019 | 16:30
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Rrapi Mino, Ish-kryeprokurori i Enver Hoxhës në një intervistë ekskluzive për “Panorama” ka rrëfyer rreth lidhjeve të tij personale me ish-Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe miqësisë së tij me Aranit Çelën, ish-prokurori që e dënoi më pas me vdekje.

Mino ka treguar rreth vizitës që pati në shtëpi nga Kadri Hazbiu, ku u shoqërua nga “vëllai i Kuçit”, siç e quante ai Aranit Çelën. “Nuk kishin lidhje gjaku, por qysh nga lufta, ata bëheshin si dy vëllezër. Kudo i gjeje bashkë”, thotë Mino.

Rrapi Mino duke folur për “Panorama”

(Vijon nga publikimi i kaluar)

Kishit shoqëri me Kadriun kur drejtonte Ministrinë e Brendshme?

Kadriu ishte një nga figurat kryesore dhe, për hir të së vërtetës, kishte popullaritet. Ishte shumë i kujdesshëm në komunikim me njerëzit. Masovik, i thoshim atëherë. A kisha lidhje unë me të? Pa dyshim që kisha. Bile më shumë se lidhje pune. Kadriu ishte i pari që më uroi ditën që u caktova në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. E mbaj mend si tani. Më telefonoi në zyrë dhe më tha suksese në detyrën e re dhe shumë të rëndësishme. “Faleminderit”, i thashë. “Jo kështu thatë”,- më tha, duke më kujtuar se do vinte nga shtëpia. Ashtu bëri. Atëherë rrija me shtëpi te Ministria e Jashtme. Erdhi siç më premtoi dhe më uroi me gotën e rakisë. Kishte marrë me vete dhe Aranit Çelën. “Nuk erdha vetëm, por kam marrë dhe këtë vëllain e sojm”, më tha sa kapërceu portën e shtëpisë. Kaluam disa çaste të ngrohta e miqësore…

Pse kishte ndonjë lidhje të veçantë Kadriu me Aranit Çelën?

Nuk kishin lidhje gjaku, por qysh nga lufta, ata bëheshin si dy vëllezër. Kudo i gjeje bashkë. Në çdo gëzim e gosti qëndronin në krahë të njëri-tjetrit. “Se nuk më shkon pa këtë vëllain e Kuçit”, thoshte Kadriu. Dhe bëheshin më shumë se dy vëllezër të një gjaku…
arianit cela

I qëlloi pastaj që Araniti ta dënojë me vdekje, me pushkatim…

Ashtu rrodhën gjërat. Nuk mund të kishte zgjidhje tjetër…

Sidoqoftë, vëllait nuk i bën dora të qëllojë pa iu dridhur qerpiku mbi vëllain…
Ishin vëllezër e kaluar vëllezërve, siç të thashë, deri para mbledhjes së Byrosë që e shpalli armik e tradhtar. Pastaj, si të ta them. Procesi që nisi ndaj Kadriut, akuzat e rënda, hapën tjetër histori. Tashmë nuk ishte prishur vetëm vëllazëria midis tyre…

Po ju e kishit të vështirë komunikimin me Kadriun gjatë hetimit. Ai ka qenë një figurë karizmatike. Shto këtu edhe faktin që njiheshit e kishit pasur edhe miqësi…

E ke fjalën për anën emocionale. Në ballafaqime të tilla, nuk bëhej fjalë për sentimentalizma e emocione. Aty, përballë njëri-tjetrit, ishin ndarë rolet. Unë, përfaqësuesi i akuzës, dhe ai i pandehuri. Ishin dy qëndrime zyrtare të prera dhe të qarta. Ndryshe nuk mund të veprohej…

Kur u kthyet për herë të dytë në qelinë e Kadri Hazbiut?

Në qelinë e tij ma ka dashur puna të shkoj disa herë. Mbaj mend dy-tri rastet që kam shkuar për t’u kthyer përgjigjet e letrave, që ai i shkruante Enverit nga qelia.

Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Mund të lexoni gjithashtu pjesën e parë(Kliko mbi titullin)

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura