EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Kiço Mustaqit: S’kërkoj falje, Enver Hoxha ndërtoi vendin, e quaj veten me fat që…(E PLOTE)

SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kiço Mustaqi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm në kohën e komunizmit, mbështet periudhën e komunizmit dhe respektin për udhëheqësin komunist Enver Hoxha. 

KIÇO MUSTAQI ME NEXHMIJE HOXHEN (MAJTAS) ME ENVER HOXHEN
KIÇO MUSTAQI ME NEXHMIJE HOXHEN (MAJTAS) ME ENVER HOXHEN

Në 110 vjetorin e lindjës së Hoxhës, Kiço Mustaqi vizitoi Nexhmije Hoxhën në shtëpinë e saj, nga ku sjell dhe detaje nga biseda me të.

Nexhmija e ka falenderuar për mbrojtjen e familjes së saj me forcat speciale ushtarake, në 1991 kur turma e protestuesve iu sul Bllokut të udhëheqjes.Ish-ministri i Mbrojtjes shprehet se do të ishte turp i madh për të nëse nuk do të kishte qenë i zoti të mbronte familjen e udheheqësit komunist.

Ju keni qenë për vizitë tek e veja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, me rastin e 110-vjetorit të lindjes së udhëheqësit komunist…

Kico-Mustaqi (1)

Unë mora pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga organizata komuniste, nuk interesohem për emrat, sepse janë 2-3 organizata komuniste dhe më vjen keq që ato nuk janë bashkuar në një. Unë kam pikëpamjet e mia në këtë aspekt. Unë vajta për vizitë te Nexhmije Hoxha sepse ishte një përvjetor jubilar i Enver Hoxhës. Unë jam emëruar në detyrat më të rëndësishme të Ushtrisë, nga shef i Shtabit të Përgjithshëm, komandant Korpusi, drejtor operativ e kudo me firmën direkte të Enver Hoxhës. Unë nuk jam nga ata bukëshkalët, që e mbushin dhe e derdhin enën me qumësht. Unë i përkas atij sistemi dhe i qëndroj besnik sepse kam punuar dhe dua që vlerat e mia i kam treguar në punën e tij dhe nëpërgjegjësitë që më janë ngarkuar. Unë kam qenë afër udhëheqjes së kohës, Byrosë Politike, etj., etj.. Kush mendon se unë e kam bërë punën keq, unë do ta pranoj dhe do ta argumentoj. Unë di që kam vepruar në punën time me dinjitet dhe pa shkelur ligjet e shtetit shqiptar. Prandaj unë kam punuar dhe shërbyer në atë kohë dhe nuk heq dorë prej saj. Unë respektoj atë kohë, por vlerësoj dhe gjërat e mira që bëhen sot. Nga ana tjetër, unë Babalen nuk e duroj dot të më bëhet si pjesëtar i familjes.

mehmet-shehu-enver1-780x439

Çfarë ju bezdis dhe ju shqetëson nga zhvillimet e sotme?

Në fund të viteve ’80 ne ia lamë në dorë rinisë dhe është rinia që duhet ta çojë më tutje këtë vend. Dhe ne kishim besim, që ia lamë rinisë në dorë të ardhmen e vendit, sepse po të mos kishim besim, ne duhet të kishim bërë luftë dhe i pari që duhet të hidhesha në luftë isha unë, por nuk bëmë. Domethënë u dorëzuam.

U dorëzuat apo bëtë një tërheqje taktike?

Njëlloj është, po u tërhoqe, dorëzim është edhe ajo. Madje edhe më keq, sepse po u tërhoqe tregon se të ka hyrë paniku. Dhe ne e lamë rininë që të ecë përpara. Mua më vjen keq se kaluam nga ai sistem ku shteti funksiononte mbi bazën e ligjeve dhe rregullave nënjë sistem të pretenduar demokratik, por që në fakt është një sistem anarkik. Ata që dolën me flamurin e demokracisë ishin po ata që e shkatërruan vendin, e dogjën, e vodhën, shkatërruan mundin dhe djersën e 45 viteve, e kthyen vendin në vitin zero dhe nuk ditën të ndërtojnë një vepër të madhe të kohës së komunizmit. Ne sot ndriçohemi ende me hidrocentralet e Enver Hoxhës. Edhe ato do t’i kishin hedhur në erë siç bënë me uzinat dhe fabrikat, por nuk kishin aq shumë eksploziv se do ta kishin bërë. Jo vetëm vendi kaloi në një fatkeqësi të madhe, por këtu nuk ka dalë as përgjegjësia, kush ishte përgjegjës për këto shkatërrime. Dhe analistët nuk thonë të vërtetën, por flasin me zërin e partive politike. Në këtë kuptim, nuk janë pa vend opinionet e njerëzve që thonë: Sikur të ngjallej edhe njëherë shoku Enver! Çështja është, që mirë ne që kemi atë nostalgji sepse kemi punuar me të dhe në atë kohë, po më të rinjtë përse e thonë këtë?! Këtë përgjigje duhet të më japin politikanët e demokracisë së sotme shqiptare.

Çfarë biseduat me Nexhmije Hoxhën? Çfarë ju tha ajo?

Unë e urova Nexhmijen që të jetë shëndoshë dhe mirë dhe sa të jemi gjallë do ta kujtojmë edhe Enverin, edhe Nexhmijen, sepse ata më kanë uruar mua për ditëlindjen, si shoku Enver ashtu dhe Nexhmija, veçanërisht Nexhmija më ka ardhur në shtëpi për ditëlindjen, për 40-vjetorin. Nga ai mendim që kishim të gjithë se ajo do të ishte e pamundur, e sëmurë, pashë që ajo ishte me shëndet të mirë dhe me një memorie shumë të mirë.

Çfarë kujtuat?

Ajo më tregoi një episod të 1991 që kishte të bënte me mbrojtjen e saj kur u sulmua blloku nga protestuesit. Më tha se oficerët që kisha dërguar ishin sjellë shumë mirë me të. Unë i vura në dispozicion disa forca speciale që kishim ne në Ushtri, në mbrojtje të familjes së Enver Hoxhës. Ajo e mbante mend atë moment kur unë e kisha marrë në telefon dhe i kisha thënë, a je mirë, a ndiehesh e sigurtë se nëse është nevoja, të sjell të gjithëUshtrinë. Nëse unë nuk do të mbroja familjen e Enver Hoxhës, çfarë detyre do të përmbushja?! Kushdo që të ishte, të njëjtën gjë do të bënte, siç bën edhe sot me personalitetet e shtetit shqiptar. Betimi i ushtarakut para ligjit nuk ka ndryshuar nëçdo kohë. Për mua, do të ishte turpi më i madh që të pësonte gjë familja e Enver Hoxhës.

Ku e vendosët familjen e Enver Hoxhës në atë kohë?

Mesa kujtoj unë, është vendosur në Dajt sepse atje zona ishte më e sigurt dhe larg gangove. Kur Nexhmija e përmendi këtë episod dhe në sy të të tjerëve qëishin prezent, m’u bë qejfi. Por ishte shumë e kthjellët në kujtime dhe në gjykimet e ditëve të sotme.

Ju ishit dhe për homazhe në varreza?

Po domosdo, isha unë dhe plot shokë të tjerë. Në shtëpinë e Nexhmijes nuk ndalonin njerëzit, që i shkonin për vizitë. Në varreza ishte dhe i biri, Iliri dhe djali i tij. Me Ilirin unë kam punuar nëMinistrinë e Mbrojtjes, ai ka qenë drejtor i Prodhimeve Ushtarake dhe na ka lidhur shumë puna, por nuk jam servilosur. Takohesha dhe raportoja në ato tre vite që isha shef i Shtabit të Përgjithshëm me shokun Enver, por nuk servilosesha, kurse Saliu e bënte mirë servilin në Bllok. M’u bë qejfi që u takova me Nexhmijen, jo se kam ndonjë interes, por sepse ajo edhe ka luftuar edhe kishte lidhur jetën me Enver Hoxhën, por edhe se ka qenë anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, e Frontit etj.. Atëherë përse nuk duhet respektuar?! Cilat janë gabimet e Nexhmijes?! Mos bëri gabim që doli partizane?!

E kanë akuzuar dhe për disa gabime nga brenda familjes, siç është rasti i Liljana Hoxhës…

Ajo është fatkeqësi që ndodh në familjet tona, e kjo fatkeqësi i ndodhi edhe asaj. Unë i kam lexuar të gjitha shkrimet e saj, e cila ishte kundër Nexhmijes dhe pro Enverit, por kam lexuar dhe reagimin e Nexhmijes dhe porosinë që i ka dhënë Ilirit. Mua më duket se qëndrimi i Nexhmijes është i drejtë. Tani ti vajte nuse në shtëpi, nuk të pëlqeu vjehrra, por ti mund të ndaheshe që atëherë. Por këto janë fatkeqësi të familjeve tona dhe s’duhet të futem fare në këto debate.

Ju thatë që i qëndroni besnik atij sistemi dhe Enver Hoxhës…

Unë mbetem besnik i atij sistemi, i qëndroj besnik shokëve që kam punuar me ta, sepse për kohën që kam punuar, jo të gjithë më kanë lavdëruar, por unë kam përmbushur disa detyra, ato reparte që kam drejtuar, ato drejtori etj., etj., të gjitha këto kanë rezultate dhe kanë vlerësime nga të gjithë. Ajo që kam bërë unë, ka qenë përmbushja e detyrimeve që më përcaktonte ligji dhe, për mua, të gjitha kanë qenë të drejta. Ne kemi pasur njëUshtri, e cila ishte në gjendje të mbronte çdo pëllëmbë tokë, lëre në det dhe në ajër. Unë uroj që të jetë edhe tani kështu, por nuk e di sepse jam shkëputur nga Ushtria.

Ju dalloni gabime të sistemit komunist, ku vetë keni shërbyer në detyra të larta në Ushtri?

Nuk më shkon mua të korrigjoj gabimet e udhëheqjes së Partisë. Ka qenë lufta e klasave deri diku e ekzagjeruar, por unë e shoh të shfaqet më keq sot lufta e klasave. Unë e shihja dhe atëherë luftën e klasave, por përse të mos e quaj një vigjilencëtë madhe që kushdo që ishte kundër Republikës Socialiste të Shqipërisë merrte dënime të ashpra, ndoshta më shumë nga sa duhej. Por mund ta konsideroj edhe si një nacionalizëm, deri diku të tepruar, pra ne, udhëheqja mund të duronte edhe më shumë dhe të mos shkonim në dënime kaq të ashpra. Por nëse dikush është dënuar se ka folur keq për Shqipërinë, ndëshkimi nga ky gabim mund të ketë qenë më i madh nga sa duhej, por ai gabimka qenë.Shumë herë e krahasojnë Enverin me Hitlerin, por si mund të krahasosh Enverin me Hitlerin kur Enveri luftoi kundër nazistëve, kundër Hitlerit?!

Por Hitleri vrau dhe shfarosi kombe të tjera, Enver Hoxha dënoi me vdekje shqiptarët për qëndrime të ndryshme politike, ky është ndryshimi?

Po Saliu, sa vrau?! Unë e vrava Azem Hajdarin?! Këtë e di i gjithë populli shqiptar. Kur vrasjet ndodhin në demokraci, për çfarë flasim për kohën e komunizmit?!

Gjatë kohës së komunizmit janë bërë krime, marrja e jetës për bindjet politike apo lirinë e fjalës. Ju kërkoni falje publike për këto krime?

Le të më nxjerrin mua ku e kam një fjalim apo fjalë timen që unë kam folur keq apo kam vepruar keq. Mua do të më thonë: na ke futur në stërvitje për të mbrojtur atdheun! Mos bëra gjë keq që stërvita ushtarët në ushtri?! Po kur filloi lufta në Kosovë, përse u pastruan qendrat e zjarrit dhe i vunë në gatishmëri?! I kishim ndërtuar ne ato, nuk thanë faleminderit që i bëtë se po mbrojmë atdheun nga agresioni serb. Enver Hoxha, nga 1945 deri në 1985 udhëhoqi për 40 vjet dhe e nisi Shqipërinë nga skamja për bukë, analfabetizmi, elektrifikimi, sëmundjet, industria, shëndetësia etj., pse pak janë bërë? Gjithmonë gjykimi duhet bërë nga e nisëm. Sot kemi 30 vjet nga ndryshim i sistemit dhe nuk është ndërtuar një hidrocentral, ne ndriçohemi, ngrohemi me energjinë e prodhuar nga Enver Hoxha. Tani unë të dal sot dhe të kërkoj falje pse Enver Hoxha bëri hidrocentrale, pse hapi shkolla, ngriti spitale, uzina e fabrika e futi njerëzit në punë?! Në atë kohë mund të ketë pasur dhe gabime, por është bërë punë dhe unë këtë dua të vlerësoj, sakrificën e disa brezave, të cilët punuan dhe humbën edhe jetën për të çliruar dhe ndryshuar vendin e tyre. Çdo njeri në atë kohë, por dhe në këtë kohë duhet vlerësuar nga puna që ka bërë. Unë veten time e quaj me fat që nuk kam qenë drejtues burgjesh, i Prokurorisë apo i Hetuesisë. Aktiviteti im në shërbim të atdheut ka qenë i hapur në organizatën e partisë, në kolektiv, nuk kemi pasur punë të fshehta.

Por kur ju morët detyrën, Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes ishte pastruar nga grupet armiqësore?

Ky është një diskutim i gjatë, por edhe pa gjë fare ata nuk ishin, por jo armiqësore. Unë nuk jam me atë që atyre të mos u gjenden eshtrat, të mos u gjendet varri. Nuk duhet të dënoheshin aq rëndë. Unë isha një nga ata që zura vendin e tyre. Unë nuk jam që ata të ndëshkoheshin kaq ashpër dhe kaq rëndë, të pushkatoheshin, por nuk i kam gjykuar unë. Se kush i gjykoi ata, kjo gjë dihet.

Për këto dënime po flitnim, jo vetëm ndaj udhëheqësve, por dhe ndaj intelektualëve apo atyre që mendonin ndryshe?

Jo, jo, dënimet kërkoja gjykatave. Tani përmendet vetëm bomba në ambasadën sovjetike, ku u dënuan njerëzit pa gjyq. Por gjithë dënimet e tjera janë bërë me gjykata. Gjërat duhen vlerësuar sipas kriterit historik. Më thuaj ti mua një udhëheqës që u arsimua në Lindje apo në Perëndim, që nuk erdhën në Shqipëri që t’i vinin në jetë, por na i dërguan në mënyrë telegrafike që ne të frymëzoheshim. Ata ne i mbajmë, i nderojmë, i kemi në tekstet shkollore, na dhanë dhe pavarësinë dhe i cilësojmë të pagabueshëm. Unë nuk e pashë as Sami Frashërin dhe as Naim Frashërin, që u tretën për Shqipërinë. Por unë jo vetëm nuk i pashë ata që të jepnin kontributin e tyre në Shqipëri, por nuk gjej asnjë as nga farefisi i tyre. Si mund ta urrej unë Enver Hoxhën, i cili mori dituri në Perëndim, erdhi në Shqipëri dhe dha aq sa mundi. U pushtua vendi, ai mori pushkën dhe u rreshtua me antifashistët dhe drejtoi Luftën Nacionalçlirimtare dhe çliroi Shqipërinë. Është turp për këtë vend se si kanë lënë në venë e Enver Hoxhës, si një kotec pulash. Që të vësh fotografinë e Ismail Qemalit si burrë shteti në çdo institucion, mua më del më mirë fotografia e Enver Hoxhës për atë që i ka dhënë këtij vendi, sesa të tjerët. Edhe mendjen erdhi dhe e zbrazi këtu, aq sa kishte, por zbrazi edhe pushkën ndaj armikut dhe pushtuesit të Shqipërisë. Enver Hoxhën ma quan armik, Ismail Qemalin ma quan udhëheqës. Njerëzit duhen vlerësuar nga kontributi që kanë dhënë.

 

 

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.