EKSKLUZIVE “Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte”- Zbardhet debati me dyer të mbyllura, Leskaj, Noka kundër vendimit të Bashës! Nënkryetari i PD: S’jemi në funeral, dielli do lindë….

Sep 10, 2021 | 13:17
SHPËRNDAJE

Flamur Noka Bujar Leskaj kunder Lulzim Bashes

Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj dhe Flamur Noka kanë qenë dy zërat që kanë kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga radhët e grupit të PD-së.
Gazetari i “Panorama”, Mariglen Kume ka zbardhur debatet me dyer të mbyllura të zhvilluara një ditë më parë në selinë blu.

Bujar Leskaj e ka cilësuar vendimin e Bashës si të gabuar dhe që favorizon Edi Ramën. Sipas tij, vendimi duhet të ishte konsultuar me strukturat, ndërkohë së Leskaj thekson se ky akt do përçajë demokratët. Ndërkohë që nënkryetari i ri i PD-së, Enkelejd Alibeaj është pozicionuar qartë në krah të Lulzim Bashës, teksa ka thënë se “Sot nuk është funeral. Dielli do dalë serish nesër”.

Nga ana tjetër, me tone të larta gjatë kësaj mbledhje ka folur dhe Flamur Noka. Ky i fundit e ka cilësuar si mohim të historisë së PD-së vendimin e Bashës për të larguar Sali Berishën. Ndërkohë që Luçiano Boçi ka thënë se vendimi duhet të merrej jashtë partisë.

DEBATI NE PD, DEPUTETET PRO BERISHES

Bujar Leskaj: Ky është një vendim i gabuar. Kundërshtari ynë është Edi Rama dhe nuk duhet të shikojmë të gjejmë armiqtë brenda vetes. Ju jeni kryetari legjitim i Partisë Demokratike, por vendime të tilla duhet të jenë të konsultuara. Ne duhet të mbledhim forcat, t’i bashkojmë ato dhe jo të përçahemi. Vendimi që ke marrë e përçan Partinë Demokratike.

Jo vetëm me Berishën, po bëtë gabim edhe me largimet e tjera. Ju zhvilluat një garë brenda partisë me një program, platformë dhe jeni kryetari legjitim. Por vendimet e marra më pas duke përjashtuar edhe Presidentin Bujar Nishani janë të gabuara. Doktor Berisha e ka nisur betejën e tij dhe çështja e tij nuk e penalizonte marrëdhënien e PD-së me SHBA. Ne nuk duhet të pozicionohemi kundër SHBA, por nuk duhet të përçajmë PD.

Enkelejd Alibeaj: Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijmë këtë moment, dielli lind përsëri.

Flamur Noka Sali berisha

Flamur Noka: Ta thashë edhe në zyrë (me tone të larta). Ky vendim që ke marrë ti, nuk i sjell asgjë të mirë Partisë Demokratike. Ky vendim e përçanë Partinë Demokratike. Ne nuk mund të fshijmë historinë e PD-së. Të mos harrojmë kontributin e Berishës në vendosjen e marrëdhënieve me SHBA. Mbi vlerat amerikane u themelua PD, jetoi 30 vjet. Busulla ka qenë një dhe një, e Sali Berishës dhe PD, orientimi euroatlantik.

Në lidhje me vendimin e sekretarit Blinken, Berisha mbajti një qëndrim të vetin. Ka kërkuar që të mos përfshihej PD në betejën e tij. Por largimi i Berishës është mohim i historisë. Është të mohosh suksesin e kësaj force politike. Është vendim individual, jo i PD-së. Mohimi i Sali Berishës është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi.

Luciano Boci: Vendimi është i rëndë, por duhet të shohim çfarë të bëjmë nesër në kuptimin strategjik. Sepse vendimi mund të merrej jashtë partisë. Ta bënte KQZ dhe jo ne.

P Template

Lulzim Basha: Vendimi ndaj Berishës ka qenë vendimi më i vështirë për mua. Ju e dini shumë mirë marrëdhënien time ndër vite me Berishën. Kemi bërë disa arritje bashkë. Vendimi është marrë vetëm në të mirë të Partisë Demokratike. Unë nuk doja që të përçaja Partinë Demokratike, ndaj mora një vendim personal. Në këto dy muaj e gjysmë unë kam shfrytëzuar çdo resurs që kam në SHBA, bashkë me doktor Berishën, por nuk e zgjidhëm dot problemin.

Po ju them diçka që kam Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun dëshmitarë. Kur ka ardhur Philip Reeker që më ka takuar në seli, ka ardhur vetëm me kërkesën për të përjashtuar Berishën dhe nuk pranonte asnjë negociatë.

Na është bërë i qartë vendimi i DASH për këtë. Ka më shumë detaje që nuk janë bërë publike për këtë çështje, por që nuk kam ndërmend t’i ndaj me askënd, por ky është vendimi më i duhur për Berishën dhe familjen e tij. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, edhe të Sali Berishës.

Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjekjes sime për të arritur një dakordësi. Nëse nuk do ta merrja këtë vendim, nuk do të kishim asnjë interlokutor dhe nuk do të kishim ku kërkonim transparencë.

LEXO EDHE

EKSKLUZIVE/ “Pa SHBA nuk jetojmë!”, “Berishën s’e do njeri më shumë se Basha”- Zbardhet debati i plotë në Grupin e PD! Ja kush ishin deputetët që dolën pro dhe kundër kreut të PD

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura