Ekskluzive / Ofertë e çmendur për Kaçen, Kukësi sfidon Skënderbeun

Dec 30, 2016 | 22:46
SHPËRNDAJE

Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe PAOK-ut, Ergys Kaçe, është shndërruar në synimin kryesor të merkatos së dimrit në Kategorinë Superiore. Skënderbeu ka shfaqur prej kohësh interes për futbollistin e lindur në Korçë dhë të rritur në Greqi, dhe së fundmi është raportuar që marrëveshja mes palëve është mbyllur duke munguar vetëm zyrtarizimi. Megjithatë, “Panorama Sport” ka zbuluar se në garë për shërbimet e Kaçes është futur në momentet e fundit edhe klubi që u shpall kampion dimri në Shqipëri, Kukësi.

kace

Presidenti Safet Gjici e dëshiron me çdo kusht shtatshkurtrin e PAOK-ut në ekipin e tij dhe për këtë gjë është i gatshëm të bëjë një sakrificë të çmendur financiare. Në rast se Kaçe do të pranojë të huazohet deri në fund të sezonit tek skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka, ai do të përfitojë 50 mijë euro paradhënie në dorë, si dhe një pagë prej 10 mijë eurosh për çdo muaj.

Këto shifra janë të frikshme dhe të padëgjuara më parë në futbollin shqiptar, ndaj Skënderbeu tashmë duhet të ndihet i kërcënuar nga konkurrenca e Kukësit, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në merkato. Mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim se cili do të jetë vendimi i Kaçes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura