EKSKLUZIVE/ “Ndryshimi i formatit, për të ndihmuar klubet”! Shefi i garave zbulon risitë: Superiorja ka rivalitet, ja sa parashikohet të përfitohen

Apr 25, 2024 | 8:43
SHPËRNDAJE

Superiorja po shkon drejt fundit edhe për këtë sezon. Teksa kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, katër ekipet e para do të përgatiten për fazën “Final 4”, me katër ndeshjet që do të zhvillohen në “Air Albania” në muajin maj. “Panorama Sport” sjell një intervistë me Shefin e Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, i cili tregon si do të funksionojë kjo fazë, rregullat e saj, sa të ardhura parashikohen të arkëtohen dhe skemën që është përcaktuar për shpërndarjen e këtyre të ardhurave drejt klubeve.

short
Marjus Sulejmani, Shefi i Departamentit të Garave në FSHF

Superiorja ka pësuar një ndryshim në formatin e saj, për të gjithë ata që e dëgjojnë për herë të parë “Final 4”, mund ta shpjegojmë edhe njëherë këtë fazë?

Përpara fillimit të sezonit 2023-2024 të gjithë presidentët e klubeve të Superiores janë mbledhur dhe kanë diskutuar për ndryshimin e formatit të garës. Një format siç ishte me 36 javë dhe është shtuar një fazë e quajtur “Final 4”. Katër ekipet e para në renditje do të përballen mes tyre. Vendi i parë dhe i dytë do të pozicionohen në vazon numër një dhe vendi i tretë dhe i katërt në vazon numër dy. Do të kemi një short, që do të përcaktojë gjysmëfinalet. Ekipet e para janë të avantazhuara sepse nëse kemi barazim gjatë 90 minutave, ekipi i renditur më mirë, (vendi i parë dhe i dytë), automatikisht kualifikohen në finale. Në finalen e madhe e nisin nga zero, nëse kemi barazim, shtesë dhe penallti.

Kalojmë te të ardhurat që do të përfitojnë klubet këtë sezon, cila është risia?

FSHF-ja ka miratuar bonuse ku pas 36 javësh, vendi i parë do të marrë 100 milionë lekë të vjetra, i dyti 70 milionë, i treti 50 dhe i katërti 20 milionë lekë të vjetra. Më pas fituesi i “Final 4”, do të përfitojë edhe 100 milionë lekë të tjera.

Gjithashtu këtë sezon edhe formati i Kupës së Shqipërisë pësoi ndryshim, pse kjo zgjedhje?

Ne kemi një kampionat të gjatë. Tani është shtuar edhe “Final 4” dhe ky ndryshim është bërë pasi ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nga turi 1/32, 1/16 apo 1/ 8 do të zhvillohen me një takim. Ekipet që janë të renditura më mirë në renditje janë të favorizuara sepse i zhvillojnë ndeshjet në fushën e tyre. Ndërsa turi çerekfinale apo gjysmëfinale është menduar të zhvillohet me dy takime. Kampionati është i ngjeshur dhe nuk është mundësia që ekipet të luajnë çdo tri ditë. Kështu edhe klubet janë të kënaqura me këtë format.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura