EKSKLUZIVE/ “Ndryshimi i formatit, për të ndihmuar klubet”! Shefi i garave zbulon risitë: Superiorja ka rivalitet, ja sa parashikohet të përfitohen (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2024 | 0:14

EKSKLUZIVE/ “Ndryshimi i formatit, për të ndihmuar klubet”! Shefi i garave zbulon risitë: Superiorja ka rivalitet, ja sa parashikohet të përfitohen (E PLOTË)

Superiorja po shkon drejt fundit edhe për këtë sezon. Teksa kanë mbetur edhe katër javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, katër ekipet e para do të përgatiten për fazën “Final 4”, me katër ndeshjet që do të zhvillohen në “Air Albania” në muajin maj. “Panorama Sport” sjell një intervistë me Shefin e Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, i cili tregon si do të funksionojë kjo fazë, rregullat e saj, sa të ardhura parashikohen të arkëtohen dhe skemën që është përcaktuar për shpërndarjen e këtyre të ardhurave drejt klubeve.

Marjus Sulejmani, Shefi i Departamentit të Garave në FSHF

Marjus Sulejmani, Shefi i Departamentit të Garave në FSHF

Superiorja ka pësuar një ndryshim në formatin e saj, për të gjithë ata që e dëgjojnë për herë të parë “Final 4”, mund ta shpjegojmë edhe njëherë këtë fazë?

Përpara fillimit të sezonit 2023-2024 të gjithë presidentët e klubeve të Superiores janë mbledhur dhe kanë diskutuar për ndryshimin e formatit të garës. Një format siç ishte me 36 javë dhe është shtuar një fazë e quajtur “Final 4”. Katër ekipet e para në renditje do të përballen mes tyre. Vendi i parë dhe i dytë do të pozicionohen në vazon numër një dhe vendi i tretë dhe i katërt në vazon numër dy. Do të kemi një short, që do të përcaktojë gjysmëfinalet. Ekipet e para janë të avantazhuara sepse nëse kemi barazim gjatë 90 minutave, ekipi i renditur më mirë, (vendi i parë dhe i dytë), automatikisht kualifikohen në finale. Në finalen e madhe e nisin nga zero, nëse kemi barazim, shtesë dhe penallti.

Saktësojmë pak edhe pjesën e Europës, për ta mbyllur me rregulloren…

Kualifikimi në kompeticionet e Europës do të bëhet nga “Final 4”. Vendi i parë do të shkojë në turin e parë të “Champions League”, vendi i dytë dhe i tretë në turin e parë të “Conference League”. Në turin e parë të këtij kompeticioni shkon edhe fituesi i Kupës. Nëse një nga tri vendet e para të “Final 4” fiton edhe Kupën, siç dihet në Europë shkon vendi i katërt.

Kalojmë te të ardhurat që do të përfitojnë klubet këtë sezon, cila është risia?

FSHF-ja ka miratuar bonuse ku pas 36 javësh, vendi i parë do të marrë 100 milionë lekë të vjetra, i dyti 70 milionë, i treti 50 dhe i katërti 20 milionë lekë të vjetra. Më pas fituesi i “Final 4”, do të përfitojë edhe 100 milionë lekë të tjera.

Por, në “Final 4”, a do të ketë edhe shpërblime të tjera?

Risia e “Final 4” është se katër ekipet më të mira do të zhvillojnë ndeshjet në stadiumin “Air Albania”, një impiant që i plotëson të gjitha kriteret dhe ju jep mundësi të gjithëve, jo vetëm tifozëve por edhe sportdashësve që të shikojnë nga afër një ndeshje futbolli. Ideja është që të katërta ndeshjet që do të zhvillohen, të gjitha të ardhurat nga biletat, nga reklamat do të grumbullohen dhe me vendim të Komitetit Ekzekutiv është vendosur që shuma totale e të ardhurave, ku 60 për qind do t’u shpërndahen katër vendeve të para. Ndërsa nga vendi i pestë deri te vendi i 10-të do të ndahet pjesa tjetër sipas përqindjeve të përcaktuara. Ky format është bërë që të krijojë sa më shumë të ardhura për klubet pasi siç e dimë klubet tona nuk kanë të ardhura të mjaftueshme.

Gjithashtu këtë sezon edhe formati i Kupës së Shqipërisë pësoi ndryshim, pse kjo zgjedhje?

Ne kemi një kampionat të gjatë. Tani është shtuar edhe “Final 4” dhe ky ndryshim është bërë pasi ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nga turi 1/32, 1/16 apo 1/ 8 do të zhvillohen me një takim. Ekipet që janë të renditura më mirë në renditje janë të favorizuara sepse i zhvillojnë ndeshjet në fushën e tyre. Ndërsa turi çerekfinale apo gjysmëfinale është menduar të zhvillohet me dy takime. Kampionati është i ngjeshur dhe nuk është mundësia që ekipet të luajnë çdo tri ditë. Kështu edhe klubet janë të kënaqura me këtë format.

Ka nisur edhe shitja e biletave për këto katër ndeshje…

Po, është e vërtetë. Ka rreth dy javë që kanë nisur. Secili ka mundësi të blejë një biletë “online” në faqen e federatës.

Mund të na thoni, sa të ardhura parashikohet që të mblidhen nga “Final 4”?

Po mendoj se 1 milionë euro dhe diçka më shumë. “Air Albania” është një stadium që të krijon kushtet që gjithsecili të shkojë të shohë të gjitha ndeshjet.

Mendoni se ky format që po aplikohet këtë vit në Superiore do të vazhdojë edhe sezonet e ardhshme?

Të mbarojë ky sezon, sepse deri sot vetëm Egnatia është kualifikuar për në Final 4. Ndërsa për ekipet e tjera duhet të presim ende. Kjo do të thotë se është një kampionat me shumë rivalitet.

Si shefi i Departamentit të Garave, dua një koment për Superioren, sezonin e ardhshëm shtohet Elbasani dhe Bylisi…

Faktikisht unë po bëj vite që punoj në FSHF dhe mund të them se jo gjithmonë ekipi kampion përcaktohet një javë përpara, por mesa mbaj mend në vitet e shkuara ka qëlluar që kemi pasur edhe tri ekipe për t’u shpallur kampion në javën e fundit. Kjo do të thotë se është një kampionat i fortë dhe me rivalitet. Bylisi është një ekip që ka luajtur në Superiore, ndërsa AF Elbasani që është një ekip i ri, i ka të gjitha kushtet, duke parë edhe ndeshjet që ka zhvilluar në Kategorinë e Parë. Besoj se do të jenë skuadra serioze, të cilat do të garojnë shumë fort edhe në Superiore.

Gjithashtu këtë sezon edhe formati i Kupës së Shqipërisë pësoi ndryshim, pse kjo zgjedhje?

Ne kemi një kampionat të gjatë. Tani është shtuar edhe “Final 4” dhe ky ndryshim është bërë pasi ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nga turi 1/32, 1/16 apo 1/ 8 do të zhvillohen me një takim. Ekipet që janë të renditura më mirë në renditje janë të favorizuara sepse i zhvillojnë ndeshjet në fushën e tyre. Ndërsa turi çerekfinale apo gjysmëfinale është menduar të zhvillohet me dy takime. Kampionati është i ngjeshur dhe nuk është mundësia që ekipet të luajnë çdo tri ditë. Kështu edhe klubet janë të kënaqura me këtë format.

20

 

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"