FUTBOLL FEMRA “FINAL 4”/ Vllaznia e pandalshme me Partizanin dhe hipotekon finalen, barazim mes Tiranës dhe Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2024 | 13:23

FUTBOLL FEMRA “FINAL 4”/ Vllaznia e pandalshme me Partizanin dhe hipotekon finalen, barazim mes Tiranës dhe Apolonisë

Kampionati kombëtar i futbollit për femra ka zhvilluar dje dy gjysmëfinalet e para të fazës “Final 4”, një formulë që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Vllaznia, kampionia prej 10 vitesh radhazi në futbollin e femrave, ka hedhur një hap të sigurt drejt finales, teksa ka likuiduar Partizanin në transfertë me rezultatin 0-3. Ndërsa takimi tjetër ndërmjet Tiranës dhe Apolonisë është mbyllur në barazim 1-1.

vllaznia femra

PARTIZANI-VLLAZNIA
Sfida e parë gjysmëfinale u zhvillua në “Arenën e Demave”, mes Partizanit dhe Vllaznisë. Kualiteti dhe eksperienca më e madhe e skuadrës shkodrane bënë diferencën në fushë. Vajzat kuqeblu arritën të triumfonin 0-3, duke e hipotekuar kualifikimin që në raundin e parë. Vllaznia i zhbllokoi shifrat në minutën e 10-të me Klaudia Borçin, me pjesën e parë që u mbyll me avantazhin 0-1 të mikeve.

sdffdsdfsfdssfdsfdsfd

Partizani provoi të reagonte, por e kishte të vështirë, ndërsa shkodranet arritën ta kontrollonin qetësisht lojën, për të goditur edhe dy herë të tjera. Ramadani në të 75-ën i dërgoi shifrat në 0-2, ndërsa tri minuta më vonë Esi Lufo vulosi suksesin 0-3 me një gjuajtje të zgjuar, duke e çuar topin në trekëndësh.

TIRANA–APOLONIA
Siç edhe pritej takimi i luajtur në fushën “Skënder Halili” ndërmjet Tiranës dhe Apolonisë ishte tepër i luftuar dhe me rivalitet të lartë. Në fraksionin e parë vajzat bardheblu u shfaqën më agresive dhe arritën të kalonin në avantazh që në minutën e 12- të. Fleta Musaj tundi rrjetën fierake me një gjuajtje fantastike, duke dërguar në delir kryeqytetaset. Por vetëm një minutë më vonë ajo detyrohet që ta mbyllë ndeshjen para kohe për shkak të një problemi në kavilje, me Tiranën që humbet shërbimet e një prej lojtareve të saj kryesore.

Një goditje që ndikoi në lojën e vajzave të Alpin Gallos. Apolonia u fut më e karikuar në pjesën e dytë dhe arriti menjëherë të vendoste ekuilibrat me Valentina Trokën, e cila tregoi edhe një herë se jo më kot prej dy sezonesh është “mbretëresha” e futbollit të femrave në Shqipëri. Troka finalizoi saktë me kokë pas një krosimi të bukur nga Levenaj, duke e dërguar sferën në rrjetë.

dsffdsdssdddsfsdf

Fieraket ishin më këmbëngulëse në kërkim të golit të dytë, por gjithçka u mbyll në barazim 1-1, ndërsa tashmë pritet një tjetër betejë e fortë në ndeshjen e kthimit më datë 7 maj. Apolonisë i mjafton edhe një barazim për të kaluar në finale, duke qenë se ka pasur renditje më të mirë se Tirana në sezonin e rregullt.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"