Bajer Leverkuseni “i artë”, Ksabi Alonso në gjurmët e Kapelos dhe Vengerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2024 | 9:50

Bajer Leverkuseni “i artë”, Ksabi Alonso në gjurmët e Kapelos dhe Vengerit

Bajer Leverkusen ka shansin për të vendosur rekord të ri në kampionat, mbylljen e Bundesligës pa asnjë humbje. Asnjë skuadër në tokën gjermane nuk e ka arritur një statistikë të tillë. “Aspirinat” e kanë hipotekuar titullin para disa javësh, kështu që janë të qetë në përmbylljen me sukses të misionit “i pathyeshëm” në ligë.

alonso

Atyre u kanë mbetur në lojë edhe 3 duele nga përmbyllja e ciklit 2023-2024 në të gjitha garat, e ku nëse nuk marrin disfatë, do të jenë ekipi i parë që nuk e njeh humbjen brenda një sezoni, e përkthyer me tripletë. Përpara disa ditësh të besuarit e Ksabi Alonsos arritën t’ia merrnin “fronin” Benfikës së Euzebios, 50 ndeshje pa disfatë, 1 më tepër sesa “Shqiponjat” e Portugalisë, rekord 59-vjeçar. Në vigjilje të javëve finale në “top 5” ligat kryesore në kontinentin e vjetër, po ju prezantojmë precedentët kur ekipet nga ligat elitare e kanë mbyllur sezonin pa rezultat negativ.

ATLETIK BILBAO – Rezulton periudha 1929-1930 kur Atletik Bilbao bëri bujë në Spanjë. Baskët ishin skuadra e parë që s’pësuan asnjë humbje në kampionat. Përkoi me titullin e parë në ligën spanjolle për skuadrën e trajnerit Fred Pentland. Ish-sulmuesi Guilermo Gorostiza shënoi 20 gola pas 18 javësh, finalizuesi më i mirë i kësaj etape.

REAL MADRID – Dy vite më vonë nga Bilbao, Reali përshkroi të njëjtin “itinerar”. Ata fituan me meritë titullin, me golashënues Manuel Olivares. “Timonieri” i klubit nga Madridi në këtë periudhë ishte hungarezi Lipot Hercka.

PERUXHA – Vështirë të besohet, por është e vërtetë. Ekipi i Peruxhas nuk regjistroi asnjë humbje në etapën 1978-1979, por titullin e fitoi Milani, me avantazh prej 3 pikësh. Numri i lartë i barazimeve i ndëshkoi peruxhanët, të cilët thyen “mitin” e të pamposhtur në Seria A.

MILANI – Fabio Kapelo shërbeu si busull për Milanin në triumfin e kampionatit, i cili i shijoi më shumë kuqezinjve në vitin 1992, 0 humbje. Cikël kur Marko van Basten bënte “ligjin” në fushë me fanellën e “Djallit”.

ARSENALI – “Topçinjtë” e Arsen Venger s’njohën pengesë në vitet 2003-2004 të Premier Ligë. Ata janë ekipi i vetëm anglez që e ka mbyllur sezonin pa rezultat negativ. Tierri Henri ishte padiskutim vendimtar me 30 gola.

JUVENTUSI – Antoni Konte riktheu diktatin e “Zonjës së Vjetër” në Itali. Përgjatë sezonit 2011-2012 Matia Destro me shokë u treguan “të pamëshirshëm”, 23 fitore, 15 barazime, 0 humbje.

LEVERKUSENI – Edhe tifozët e “Aspirinave” nuk do e besonin se do të mposhtin hegjemoninë e Bajernit në Bundesligë. Kanë kaluar 33 javë dhe Leverkusen jo vetëm ka fituar Bundesligën e parë në palmares, por është 90 minuta larg historisë. Viktor Bonifejs numëron më së shumti gola (13).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"