EKSKLUZIVE/ “Merkato titulli”, analiza e Dabullës: Puna për Memën nis tani, Tirana asnjë diferencë me Partizanin e Kukësin

Sep 3, 2019 | 10:18
SHPËRNDAJE

Tirana e ka nisur më shumë se mirë sezo nin. Por më shumë se 7 pikë të grumbulluara, bie në sy fakti që nuk kanë pësuar asnjë gol në 270 minuta. Diferencën po e bën “garda e vjetër”, duke filluar nga Ilion Lika në portë e për të kaluar te Tefik Osmani në qendër të mbrojtjes.

rezart dabulla

I këtij mendimi është edhe Rezart Dabulla, i cili evidenton se merkatoja ka shtuar cilësinë dhe mbi të gjitha eksperiencën e munguar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi analizon startin dhe hapur e thotë se ky mund të jetë viti i titullit. Gjithsesi, paralajmëron se vend për “rehat” nuk ka. Prova e vërtetë do të nisë tani dhe sipas 39- vjeçarit, pesha i mbetet Ardian Memës.

7 të grumbulluar dhe asnjë gol i pësuar. A është shtuar siguria në prapavijë prej “gardës së vjetër” me Likën e Osmanin?

E shoh pozitivisht gjendjen e skuadrës në tërësi dhe ardhjen e këtyre lojtarëve në veçanti. Kanë përvojë dhe po i shërbejnë ekipit. Në këto 3 javë kanë funksionuar mirë. Por është shpejt për të qenë rehat. 7 pikë nuk janë keq, por mund të kishin edhe 9.

Është kjo merkatoja më e mirë që ka bërë Tirana, që prej kohës së titullit të fundit?

Besoj se është një nga merkatot më të mira që nga titulli i fundit. Kanë ardhur emra që kanë treguar vlera tek ekipet ku kanë luajtur. Nuk janë anonimë, si të tjerë që dikur vinin me bujë. Bravo i qoftë trajnerit Mema për përzgjedhjen e bërë, por tani nis pjesa më e vështirë.

Duhet të menaxhojë këta lojtarë që ka. Është e vështirë që të menaxhosh shumë lojtarë me CV dhe sedër, ose e thënë ndryshe, “gjela”? Kjo është zotësia e trajnerit. Një trajner duhet të jetë edhe menaxher i mirë në këtë prizëm. Lojtarët që ka zgjedhur po vetë, duhet të dijë t’i menaxhojë dhe ata për trajnerin të japin maksimumin. Nëse ia del, do ketë sukses. Sedra dhe egoja nuk janë assesi minus.

Me Lilën e Vangjelin, a bëhet më e fortë mbrojtja?

Do të jetë më e mirë se ç’është tani. Ndonëse edhe këtyre lojtarëve do t’u duhet pak kohë që të ambientohen. Unë kam qenë gjithnjë parti zan që Lila të vinte te Tirana, jo tani, por shumë më herët. Jam pro. Jo vetëm për atë që ka dhënë në Kombëtaren shqiptare, por për atë që japin. Ndonëse nuk janë sikur kanë qenë të rinj, në fund të fundit edhe eksperienca ndihmon shumë. Dhe Tirana në këtë moment, veç aftësive ka nevojë për përvojën e tyre. Ajo sjell qetësi, frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi, ka një shkallë hierarkie. Them se do ta ndihmojë ekipin që të rritet më shumë.

Dabulla Tirana

Mund ta ndihmojë deri në atë pikë sa të sjellë edhe titullin e munguar dhe sidomos për 100-vjetorin?

Do të shpresoja shumë që ky të ishte viti i Tiranës dhe të shpallet kampion. E pamundur nuk është, pasi Kukësin e Partizanin i kemi parë dhe nuk kanë diferenca shumë të mëdha.

Nuk shihni ndonjë ekip më para tjetrit?

Letrat të gënjejnë, ndonëse të gjithë thonë “jemi ne një hap përpara”. Fusha do tregojë gjithçka dhe në këto 3 javë kanë qenë diferenca të vogla. Që të tria skuadrat kanë gabuar, kampionati ka edhe 33 javë të tjera. Do të ketë oshilacione, ndaj mendoj se ai ekip që do të jetë më i përgatitur për të kaluar këto minikriza rezultatesh, do të jetë më lart. Se kush do jetë, nuk mund ta them pas 270 minutash.

ADELA MERKO 

INTERVISTËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura