EKSKLUZIVE/ “Demat” marrin fitoren e katërt radhazi, Orges Shehi: Ky është Partizani që dua, Kukësi luajti fort

May 9, 2024 | 9:21
SHPËRNDAJE

Partizani bëri detyrën në Kukës, në një ndeshje që dukej e lehtë në letër, por aspak e tillë në fushë, pasi verilindorët u munduan të rezistonin dhe të bënin dëme. Megjithatë, goli i Mehmetit në minutën e 13- të vulosi gjithçka dhe i dha Shehit fitoren e katër radhazi me Partizanin, por edhe thuajse hipotekoi vendin e dytë pas barazimit të Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Partizanit është i kënaqur për objektivin e arritur, por nuk e heq vëmendjen nga sfida me Erzenin.

shehi

Një fitore kundër Kukësit si detyrë shtëpie, sa i kënaqur jeni më atë që bëri skuadra?

Unë mendoj se është një fitore mentaliteti, edhe pse ndeshjet e lehta në letër bëhen të forta në fushë. Ishte një ndeshje e luftuar, Kukësit bravo i qoftë, luajti ndershëm. Mund ta çonim ndeshjen 2-0 me penalltinë, por jemi të kënaqur me faktin që morëm tri pikët e radhës.

Katër fitore radhazi, ecuria më e mirë e juaja me Partizanin deri më tani. Nëse i fitoni të gjitha ndeshjet e mbetura, thyeni rekordin e Abilaliajt. Prisni që t’ia dilni?

Do të kënaqesha edhe me gjashtë fitore dhe një barazim në mes në këto ndeshje të fundit. E rëndësishme është që të fitojmë në finale, sepse në gjysmëfinale tashmë kemi edhe avantazhin e barazimit në rast se do ta mbyllim me këtë renditje që jemi aktualisht. E rëndësishme është ta mbyllim me sukses me Erzenin dhe më pas në “Final 4” të jemi sa më të qetë dhe të qartë, por edhe me fat, sepse atje duhet edhe ky element.

E vendos Mehmeti, që ishte në dyshim për këtë ndeshje. Sa i kënaqur jeni që zgjohet edhe ky lojtar?

Mehmeti vjen pas një periudhe që nuk ka pasur vazhdimësi për shkak të dëmtimeve, ka qenë i pafat. Edhe me Skënderbeun pësoi një dëmtim, sakrifikoi duke luajtur gjithë ndeshjen dhe arriti të shënojë golin. Akoma nuk është Mehmeti që ne presim, sepse ai do të zhvillohet, do të përmirësohet dhe do të kalojë në një tjetër nivel. I duhet vazhdimësia dhe shpresoj të mos ketë dëmtime të tjera.

Intervistën e plotë e gjeni në versionin print të gazetës “PANORAMA SPORT”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura