“Ekonomia shqiptare nën efektin e pandemisë”/ Guverantori Sejko me misionin e FMN: Rimëkëmbja e ekonomisë pritet gradualisht në 2021-2022

Mar 10, 2021 | 11:43
SHPËRNDAJE

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një mbledhje online me misionin e FMN në Shqipëri. Në fjalën e tij, guverantori Sejko tha se “ekonomia shqiptare gatë gjysmës së parë të vitit 2020 ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë dhe ambientit të pafavorshëm të huaj, megjithatë aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur tendenca rikuperimi në gjysmën e dytë të vitit”.

sejko

Lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori “theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar”.

Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të goditjes, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.

Guvernatori Sejko shtoi se tregjet financiare kanë vijuar të funksionojnë normalisht: kursi i këmbimit paraqitet i qëndrueshëm; normat e interesit mbetën pranë minimumeve të tyre historike;  dhe kreditimi është rritur. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit. Ai theksoi se vijimi i rolit aktiv të sektorit bankar edhe gjatë periudhës së ardhshme do të jetë një element kyç në qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike.

Më tej, Guvernatori u shpreh se në përgjigje të krizës së krijuar nga pandemia dhe për të zbutur efektet negative të saj, të gjithë aktorët publikë në vend morën masa ekonomike të koordinuara në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial. Rikuperimi i ekonomisë u ndihmua nga stimuli fiskal i transmetuar gjatë vitit 2020 dhe nga politikat stimuluese monetare dhe financiare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Nga Banka e Shqipërisë u morën masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Gjithashtu kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare në menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin  e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Banka e Shqipërisë dhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar ndanë të njëjtat parashikime lidhur me perspektivën ekonomike dhe me ecurinë e PBB-së, e cila pritet të rimëkëmbet gradualisht në vitet 2021 dhe 2022, ku një ndër sektorët që pritet të ketë një kontribut të lartë në këtë drejtim është ai i turizmit. Megjithatë ritmi i rimëkëmbjes do të varet nga evolucioni i pandemisë dhe shpejtësia e vaksinimit të popullsisë.

Në përfundim, misioni i FMN-së falënderoi Guvernatorin dhe ekipin e Bankës së Shqipërisë për diskutimet e hapura dhe të frytshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura