Einxhel Shkira: Nuk më pëlqen të dukem e sjellshme dhe perfekte në çdo gjë si prezantueset tona

Jan 30, 2016 | 11:04
SHPËRNDAJE

Është e bukur dhe me botë shpirtërore të veçantë. Einxhel Shkira, prezantuesja tërheqëse e “In TV”, me tipin e saj të hedhur dhe të fortë, ka mundur të hyjë në tregun e vajzave më ngacmuese të ekranit.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama” rrëfen se pse nuk do të jetë prototipi i vajzës së mirë, dhe si e përjeton dashurinë në ditët e sotme…

image (1)

Dikur modele, tani një prezantuese që moderon në ritmet hip-hop. Si ke ndryshuar nga pikëpamja profesionale?

Modele nuk është se kam qenë full-time. Asnjëherë nuk i jam përkushtuar apo ta shoh si një profesion. Moderatore është komplet tjetër gjë për mua, është diçka që e dua dhe punoj me dëshirë të madhe, madje edhe me orë të tejzgjatura kur ka qenë nevoja, pa e ndjerë kurrë lodhjen apo rëndesën e punës.

Si ta ka ndryshuar jetën televizioni, dhe si është të jesh brenda këtij rrethi?

Do gënjeja po të thosha që s’ka ndryshuar asgjë. Disa gjëra janë më të lehta tani, por ndërkohë janë komplikuar dhe shumë të tjera, si për shembull s’dal dot më me pizhame, apo ta përdor aq shpesh autobusin. Dita ime dhe arsyet pse zgjohem tani janë ndryshe, shqetësimet dhe angazhimet e mia janë rreth kësaj bote. Në vetvete kjo është shumë e bukur teksa punon, por janë gjërat rreth saj ato që e bëjnë të vështirë, e ndonjëherë të më duket tmerrësisht e shëmtuar. Intriga dhe paragjykimi janë ato që hasen çdo ditë, por them se me kohën mësohesh dhe s’të bëjnë më përshtypje.

Ku synon të arrish në televizion? Dhe cila është femra VIP, që e ke si model?

Dua të arrij sa më lart, sepse përndryshe do ta lija që sot këtë gjë, nëse s’do kisha ambicie për më shumë. Kam dëshirë të dal nga prototipi i femrës prezantuese që kemi krijuar deri sot, e bukur, e sjellshme dhe perfekte në çdo gjë që bën e që thotë. Në Shqipëri nuk është se simpatizoj ndonjë në veçanti, por ajo që ndjek dhe admiroj për mënyrën si prezanton apo realizon “show”-n e saj është pa diskutim Ellen DeGeneres.

Ndihesh në qendër të vë- mendjes mashkullore dhe merr shumë ftesa për të dalë me ta, pasi të kanë pëlqyer nga ekrani?

Kjo s’ka munguar kurrë, madje mendoj se janë pakë- suar këto kohë, pasi njerëzit tashmë përveç pasigurisë ndaj meje, vënë edhe një murtjetër më të lartë pasigurie, atë të të ftuarit për të dalë me dikë që e quajnë “të famshëm”. Më vjen keq që e mendojnë kështu, por ky s’është një problem i imi tek e fundit.

Dikur guxoje me flokët e shkurtra si djalë. Të përshtatet më shumë ai stil me tipin?

Mund të kem qenë ndër vajzat e para që kam mbajtur flokë të shkurtra, si fillim jam inspiruar nga këngëtarja Pink. Më dukej një femër tepër e fortë, tek e cila gjeja veten. Te presë flokët e shkurtra një femër kërkon shumë guxim, por për mua ishte gjëja që bëja më me dëshirë pasi ndihem komplet vetvetja ashtu. Mbase një ditë do të më shihni sërish me flokë të shkurtra.

Po si femër, çfarë e bën të bukur botën tënde shpirtërore?

Jam natyrë shumë e dashur, por për shkak të karakterit tim nuk dukem si e tillë. Nuk e shpreh dashurinë aq shpesh, apo aq shumë sa e ndjej. Gjej mënyra të tjera për ta treguar atë, vepra që vërtet mund t’u sjellin diçka të mirë apo të nevojshme personave që dua. Energjia pozitive është ajo që më ushqen shpirtin dhe përpiqem gjithmonë t’i jap ngjyra jetës. Brenda meje është një shpirt i ndjeshëm artistik, por që preferoj të mos e ndaj me të tjerët, pasi e ndiej si diçka tepër personale timen.

Je dashuruar ndonjëherë vërtet?

Kur kam qenë e vogël dhe s’i kuptoja shumë gjëra, mbase dhe e kam provuar këtë ndjenjë. Sot e shoh me një sy tjetër, por gjithmonë ai mbetet një person i veçantë për mua dhe një mik shumë i mirë.

image

Po tani je në një lidhje?

Tani s’kam as kohën dhe as nevojën të dashurohem, pasi jam shumë e përfshirë në punën time. Liria dhe hapësira për mua janë jetike, prandaj jam po aq liberale në marrëdhënie. Nuk e konceptoj dot ta lidh dikë gjithë kohës pas vetes, apo dhe anasjelltas.

Përveç tipit të çapkënes, bie në sy për linjat perfekte. Ke një regjim personal?

Nuk bëj asgjë për ta mbajtur trupin në formë, përkundrazi jam shumë abuzuese me ushqimin, apo me ato ushqimet e quajtura “mëkate”, si çokollatat. Mendoj se kjo është dhe psikologjike, nuk i fus vetes stres për peshën. Megjithatë, jeta që bëj në lëvizje të vazhdueshme më ndihmon të mos vë kilogramë të tepërt. Por epranoj që duhet t’i hyj palestrës për të qenë në formë më të mirë.

E ftuar në emisione televizive ke pohuar se të pëlqen të udhëtosh. Sa e gjatë është lista e hobeve që ke?

Një ndër pasionet e mia të para ka qenë piktura, të cilën se fundmi e kam lënë disi pas dore, por shpesh dhe për nevoja të miat personale dizenjoj veshje që më duhen. Ndërsa ajo që do të doja ta ushtroja më shpesh dhe seriozisht si një hobi është kërcimi. Kur filloj, s’di të ndalem dhe humbas në ritmet e muzikës.

Përgatitit: KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura