Edmond Budina: Ju tregoj pazarin me zhvarrimet e Kosinës

Apr 14, 2011 | 9:19
SHPËRNDAJE

Ballkanasit janë njerëz të çuditshëm. E pamundur të gjejnë rehat e të mos grinden mes tyre. Gjithnjë do ta gjejnë një histori shekullore për t’u grindur me fqinjët.Diku do të zhvarrosin ca eshtra stërgjyshërish, diku ca fantazma “idesh të mëdha”… Kur dëgjoi historinë e zhvarrosjeve në fshatin Kosinë të Përmetit, ku eshtrat e fshatarëve denbabaden shqiptarë u pagëzuan “greke”, regjisori dhe aktori Edmond Budina mbeti gati i shokuar. Në shekullin XXI flitet ende për të tilla gjëra! Le pastaj, kur sipas një konsulli grek, meqë në varret e stërgjyshërve të tij në Korçë shkruhej me germa greke, ai vetë duhej të ishte grek. E nuk e paskësh ditur!!! Të gjitha këto janë të mjaftueshme për të ngritur një film. E ka quajtur “Ballkan bazar” dhe ka përfshirë në të edhe francezë, italianë, grekë, shqiptarë… Megjithëse historia vërtitet mes tragjikes dhe groteskes, Budina ka vendosur t’i japë një ngjyrim humori. “Të qeshim me të metat tona dhe me këto idera të vjetruara nacionaliste”, thotë ai. Përpara premierës, regjisori, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali, tregon si lindi “Pazari ballkanik”, përzgjedhja e aktorëve, vështirësitë financiare etj.
Të kthehemi pas në kohë, qysh atëherë kur vendosët të realizonit “Ballkan bazar”. Si erdhi nxitja?
“Ballkan bazar” ka nisur si një projekt pas ngjarjes së Kosinës. Një ngjarje tronditëse, që mua personalisht më ka çuditur, sepse nuk e prisja që të ndodhte një gjë e tillë në vitin 2006. Në një kohë që mendojmë të shkojmë drejt Europës, të jemi tolerant me njëri-tjetrin, që mendojmë se duhet të jenë zhdukur, apo pakësuar nacionalizmat, idetë e Greqisë së Madhe, apo Shqipërisë së Madhe, ndodh një fenomen i tillë. Zhvarrosen civilë për t’i numëruar si ushtarë grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore dhe kjo bëhet me synimin për të tjetërsuar këto troje ku këta ushtarë kanë rënë, për të thënë që këto janë varre dhe troje greke. Kjo përkon edhe me një tjetër ngjarje aktuale, kur një konsull grek në Korçë, prej së cilës unë vij, deklaron që banorët e Korçës janë grekë, sepse mbi varret e tyre shkruhet në gjuhën greke. Pra ai synim që fshihet pas zhvarrimeve përkon me atë që ky konsull thotë në ditët tona. Kjo ishte një ngjarje që m’u duk shumë tërheqëse për t’ia përcjellë publikut, por parë nga një këndvështrim tjetër, sigurisht.
Megjithëse është një ngjarje tronditëse, ju e keni trajtuar me nota humori…
Realisht kjo është një ngjarje dramatike, serioze, por që nuk më takon mua të merrem me këtë, por historianët, politikanët… Unë si artist doja ta shihja me një sy tjetër, doja ta vija në lojë këtë fenomen dhe në film nuk mbaj asnjë lloj qëndrimi. Nuk mbaj krahun as të shqiptarëve dhe as të grekëve, por mbaj anën e atyre njerëzve që janë të ndershëm me veten e tyre, ata që kanë një farë morali dhe koherence. Unë jam kundër nxitjes së konflikteve dhe zhvarrosjes së fantazmave të së shkuarës, së ngjarjeve që kanë ndodhur 500 apo 600 vjet më parë dhe të rivendikojmë territoret, apo përkatësitë e një kombi a të një tjetri. Ne duhet ta respektojmë dhe ta duam njëri-tjetrin. Kjo më ka shtyrë të trajtoj “Ballkan bazar”-in. Por e gjitha kjo duhet parë me një buzëqeshje. Sepse ndodh si në ato rastet, kur je duke pirë në një tavolinë e nëse lind një debat, dikush mund të nxjerrë një thikë edhe të ta ngulë, kurse duke bërë shaka, ti qesh, madje dhe me të metat e tua, krijohet një atmosferë e gëzueshme dhe nuk e ndiejmë atë largësi që kemi me njëri-tjetrin. Por fiton ana njerëzore, e mirë, e dashurisë. Në këtë aspekt, “Ballkan bazar” e ka këtë natyrshmëri e ndjesi humori. Sepse ndihmon për të qeshur, por edhe për të reflektuar mbi gabimet tona e për të thënë: Ej, ku po shkojmë?!
Keni pasur ndonjë problem gjatë xhirimeve, apo prisni ndonjë reagim nga komunitetet, apo përfaqësi diplomatike?
Të them të drejtën, një lloj frike e kam pasur. Me këtë rast u kërkoj ndjesë të gjithë gazetarëve që kanë dashur të bëjnë intervista me mua përpara se të xhiroja filmin. Nuk kam pranuar sepse nuk doja të lija shtigje për keqkuptime pa u bërë filmi, sepse gjithçka mund të ndodhë, ka njerëz të ndjeshëm që reagojnë. Tani që filmi ka dalë, gjithkush mund të japë mendimin e vet dhe unë jam dakord me këtë. Gjatë xhirimit nuk kemi pasur asnjë kontradiktë apo përplasje, edhe pse kishim edhe aktorë që vinin nga Greqia, me origjinë greke, të huaja, franceze, italiane. Madje dy të huajave u dukej shumë e çuditshme kjo ngjarje në fillim, por kur erdhën këtu dhe e prekën me dorë realitetin, kuptuan se ajo çka tregohej në film nuk ishte një realitet i stisur, por një fakt real. Sigurisht, nuk kanë marrë pozicione me shqiptarët, apo grekët, por e kanë kuptuar më mirë këtë realitet dhe dinë ta transmetojnë në vendet e tyre. Kjo histori duket e pabesueshme, sidomos në Perëndim, por ja që është një realitet që ndodh në Shqipëri dhe, për fat të keq, vazhdon të ndodhë me regjistrimin e popullsisë, me zhvarrimet që janë bërë, varrezat e Boboshticës, ngjarjet në Himarë. Është një temë shumë delikate, që prek si dinjitetin e grekëve, edhe të shqiptarëve dhe u bën dëm të dy popujve, kështu që është më mirë që të qeshim pak dhe të tallemi me këto ndjesi nacionaliste dhe të shohim para dhe jo pas.
Si reagonin banorët e Labovës kur ju shihnin të luanit rolin e një prifti me mjekër të gjatë e rasë të zezë?
Në Labovë të Kryqit banorët ishin shumë mikpritës, shumë të dashur dhe unë e kam ndjerë veten si askund tjetër të përkëdhelur. Banorët e Labovës më shihnin gati-gati me adhurim dhe kam mbetur i befasuar nga e gjitha kjo. Me gjithë zhgunin e priftit, me gjithë mjekrën e madhe, me gjithë pozicionin tim si regjisor e aktor, më kanë pritur dhe kanë reaguar shumë mirë. Aq më tepër që Labova është një fshat shumë shqiptar, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ka tradita të lashta të ortodoksisë me kishën e vjetër etj. Është një popull që ka një ndjeshmëri të lartë, një njerëzillëk dhe qytetari që është për t’u admiruar.
Keni përzgjedhur një kastë ndërkombëtare për filmin. Ishte një trill regjisorial, apo dëshironit ta zgjeronit sa më shumë territorin e ngjarjeve?
Nuk ka të bëjë me trillin. Kur u shkrua skenari, në të është një personazh francez, një italian, ka grekë, shqiptarë dhe, natyrisht, unë i zgjodha në përkatësi të personazhit dhe jo me qëllim që t’i përziej. Por natyrisht, duke i marrë nga vende të ndryshme, kjo krijoi dhe një atmosferë krijuese interesante. Komunikonim në shumë gjuhë, kultura dhe ishte shumë bukur të shihje se si komunikonin në greqisht, italisht, apo frëngjisht e anglisht. Në këtë aspekt ishte një vend ku kishe qejf të punoje.
Po qysh në krye të herës, përse e menduat kështu?
Ngjarja mu duk interesante. Kishte dhe një mendim që nuk arrita ta realizoja siç duhej edhe për shkak të buxhetit të vogël, ku doja të vija në lojë pak edhe veteranët francezë në raport me ata italianë. Sepse të mos kujtojmë se këto probleme ekzistojnë vetëm mes Shqipërisë e Greqisë. Francezët i shohin me një lloj përçmimi italianët dhe në film është një batutë kur francezja thotë: “Eeee italianët, dihet si janë ata”. Kështu që doja t’i jepja një frymëmarrje më të gjerë, pasi këto fenomene nuk ndodhin vetëm në Ballkan. Por, nga ana tjetër, edhe për një publik të huaj, i cili, në një mënyrë apo në një tjetër, do të gjejë veten. Por vihet re që në Ballkan, në Shqipëri, diplomatët e huaj pozicionohen me njërën apo me tjetrën parti. Dhe unë doja që gjithë këtë atmosferë ta jepja në film, përmes dy personazheve, francezes dhe italianes, të cilat bien në baltën shqiptare dhe përzihen në këtë kazan apo pazar ballkanik. Njëra dashurohet me një shqiptar, tjetra me një grek e fillojnë të diskutojnë pastaj për kulturën: Kjo është shqiptare, kjo është greke etj., sipas influencave që kanë marrë nga vendasit.
Meqë jemi te aktorët, po të shohësh, ata shqiptarë janë më së shumti aktorë karakteri, por jo nga ata me emër të madh që bëjnë bujë nëpër postera…
Mua nuk më pëlqejnë dhe nuk besoj te emrat e mëdhenj. Unë besoj te njerëzit që dinë të bëjnë, ose nuk dinë të bëjnë. Kam bërë kinoprova për të gjitha rolet dhe kur kam parë që këtij personazhi i shkon ky aktor, e kam përzgjedhur, pavarësisht emrit. Kështu kam vepruar tek “Letra ere”, kështu kam vepruar edhe tani dhe jam shumë i kënaqur për përzgjedhjen që kam bërë. Të gjithë aktorët kanë punuar me një ndjesi të lartë përgjegjësie, disipline, kanë punuar me shumë dashuri dhe kanë realizuar atë që unë kam dashur. Kjo ndihet në lojën e aktorëve dhe do të doja t’i falënderoja të gjithë, sepse të gjithë kanë krijuar karaktere në mënyrën e tyre, që nga dy aktoret kryesore, Catherine Wilkening  dhe Veronica Gentili, te Hajrie Rondo, Vali Xhezo, që kanë role pak më të vogla, Behar Mera, Nikolla Llambro, Karafil Shena, Laert Vasili, Visar Vishka nga Maqedonia, Marko Bitraku, apo Artan islami, që kanë dy role shumë të mira, apo Teli Stefani, që ka një rol fare episodik, atë të shërbëtorit të priftit, por shumë interesant, Roland Cenko, apo Liliana Ristani etj., që i kanë dhënë jetë filmit. Kam fjalët më të mira për aktorët shqiptarë, të cilët në shumë raste i superonin ata të huaj.
Ju luani edhe vetë aty. Si arrini ta bëni distancimin mes aktorit dhe regjisorit?
Tashmë kanë kaluar shumë vite, nuk jam më djalë i ri, por burrë i vjetër dhe jam zhveshur nga ndjesia e të qenit vanitoz dhe të vënit në qendër të vetes sime. Kjo më ka ndihmuar shumë dhe më bën që në filmat ku jam edhe aktor ta shoh veten të distancuar. Nuk shqetësohem fare nëse diku e kam profilin më mirë, apo më keq, por shoh të mirën e së tërës në film. Përgjithësisht zgjedh njerëz të besuar, me të cilët punoj dhe nuk e kam problem që t’u kërkoj ndihmë apo mendim. Nuk kam aspak turp ta bëj këtë. Por tashmë kam fituar një lloj eksperience, sidomos gjatë punës në RAI. Aty nuk ka kohë të mendosh, duhet bërë dhe pikë. Në momentin që ti hyn në shesh-xhirim duhet të jesh i saktë në atë që bën. Aty xhiron një puntatë në ditë dhe gjithçka duhet realizuar shpejt. Kjo më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë, më ka dhënë siguri dhe të gjitha pjesët e mia janë realizuar me një apo dy dubla, asnjë më shumë.
Vazhdimisht, kineastët shqiptarë ankohen për mungesa fondesh. Ju, si ia dolët, patët probleme rrugës?
Megjithëse kohëve të fundit është bërë shumë në këtë drejtim, prapë fondet për kulturën dhe kinemanë janë shumë të pakta. Është shumë e vështirë të realizosh një film vetëm me financim shqiptar. Unë do të thosha që financimi për filmin duhet të rritet shumë më tepër. Është shumë i mirë bashkëpunimi me vende të tjera, por nuk do të ishte keq edhe një prodhim puro shqiptar, vetëm me producentë shqiptarë. Financimi duhet të rritet shumëfish, sepse tashmë gjithçka është më e shtrenjtë. Nëse nuk do të kisha marrë financim nga Ministria e Kulturës italiane, unë nuk di se si do ta kisha mbyllur filmin. Do të kishte qenë fatkeqësi për shqiptarët, për ata që kanë dhënë paratë. Fatmirësisht arrita ta mbyll, por ka shumë kolegë të mitë që nuk e bëjnë dot një gjë të tillë, dhe kjo jo për faj të tyre. Nuk i kanë marrë paratë e i kanë futur në xhep, por teknikisht është e pamundur. Për gjithçka duhet të paguash. Prandaj kinemaja duhet ndihmuar, sepse nuk ka të bëjë me luksin, por me të përditshmen, me një ushqim shpirtëror dhe kur njerëzit janë të ushqyer mirë shpirtërisht, dinë të punojnë më mirë, të nxitin ekonominë, të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe nuk do të ndodhnin edhe këto eksese që ndodhin nëpër fushata elektorale. Nëse njerëzit do të ishin më të kulturuar, do t’i shikonin zgjedhjet si një proces normal dhe do t’i linin vendin njëri-tjetrit. Jam këtu në këtë periudhë dhe ndihem shumë keq kur dëgjoj për shkopinj të thyer në kokat e njëri-tjetrit vetëm për ca flamurë. Dhe në fakt, filmi në fillim titullohej “Vallja e flamujve” dhe është aktual për kohën që po kalojmë sot. Ç’kuptim ka e gjitha kjo? Ndërsa jeta është fare e shkurtër, ne i nxjerrim sytë njëri-tjetrit.
Megjithatë, a shihni ndonjë ndryshim prej kohës së “Letra ere”?
Sigurisht, ndryshime ka, por mund të ishte bërë më mirë dhe duhet të bëhet më mirë. Sepse Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Ka një popullsi të re, që e njeh shumë mirë internetin, teknologjinë, gjuhët e huaja dhe të vjen keq që këta të rinj nuk kanë mundësi, nuk kanë vende pune, bien pre e sloganeve dhe e urrejtjes, ndërsa duhet të ushqehen me një ndjesi dashurie, qytetarie.
Cili do të jetë fati i filmit pas shfaqjes në Tiranë?
Pas shfaqjes në Tiranë në muajin qershor, filmi do të shfaqet në kinematë italiane, pastaj shpresojmë ta shfaqim në vendet gjermanishtfolëse, me të cilat jemi në kontakt. Pastaj do të ndjekë fatin e tij, si çdo film tjetër. Ai ka rrugën e tij. Ashtu si “Letra ere”, shpresojmë që ta marrë edhe RAI, apo Sky. Ndërkohë që Televizioni Shqiptar është pjesë e tij e me këtë rast e falënderoj që më mbështeti, po kështu Qendrën Kombëtare Kinematografike që na financoi, Drejtorinë e Përgjithshme të Kinemasë në Itali dhe Institutin Italian të Kulturës që do të organizojë premierën bashkë me ne.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura