Edi (Marshalli), 10 vite më pas, si “Saliu”, shpall një grusht shteti nga Presidenti

Apr 9, 2021 | 10:08
SHPËRNDAJE

ARTUR ZHEJI

Artur-Zheji

Pavetëdija, ose inkoshienti, siç edhe thirret shkencërisht, ky term vështirësisht i përkthyeshëm, sipas një lloj psikanalize, vdes në të njëjtën kohë me krijesën, së cilës i përket.

Është në të vërtetë instinkti mbrojtës më i thellë, apo e thënë, mburoja jonë e brendshme më e thellë, që na nxit mjaft shpesh në luftë të brendshme me vetëdijen. Po shpesh e kushtëzon atë dhe, po kjo e ashtuquajtur “pavetëdije”, na kërcënon dhe na ndalon, kur me veprimet tona, nën drejtimin e arsyes, rrezikojmë ekzistencën tonë fizike…

Ajo që po ndodh me Aeroportin është pa dyshim një pothuajse çmenduri. Të vërsulurit e Qeverisë ndaj punonjësve është një agresivitet që buron nga mbilodhja, nga shterimi i energjive mendore apo nga tërbimi i brendshëm i Marshallit, që po e sheh veten humbës ditë pas dite.

Në të vërtetë, marrëzia e deklaratave publike të Marshallit për “grusht shteti”, apo për “sabotim” të punonjësve kontrollorë, është thjesht nxitimi drejt aktit të fundit, që pason në këto raste: “dorëzimi” i plotë i logjikës, nën pushtetin e instinktit apo të pavetëdijes.

Pa u marrë me shpjegimin se përse marrëzia e “deklaratave marshalliane” është thjesht e vetëm marrëzi, (sepse e drejta e kontrollorëve është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shpalosjes së lirë të vullnetit të tyre), kuptoj se Marshalli po kalon ndërkohë, siklete të mëdha të brendshme, për ne, ende të panjohura, për pavetëdijen, siklete shqetësuese.

Kësisoj, pra, pavetëdija, që ka marrë nën kontroll të gjitha pushtetet e qenies së Edit, kërkon ta nxjerrë Marshallin nga loja e rrezikshme e këtyre zgjedhjeve kaq të mundimshme. Dhe e shtyn atë, Marshallin, në gabime pas gabimesh, që Ay të humbasë qartë, pastër, bukur… Dhe kështu plas lufta me kontrollorët e Aeroportit dhe Kryeministri ynë na flet për një konspiracion dhe për një grusht shteti, të kurdisur nga Presidenti, njësoj si Berisha më 21 janar 2011, kur Berisha akuzonte Presidentin Topi!!!

Hajde përputhje, hajde!

Sepse, ashtu si të gjithë e dimë, mënyra se si Berisha e menaxhoi tragjedinë e 21 janarit, ishte pikërisht mënyra më e mirë, që e çonte atë, Kryeministrin Berisha, drejt humbjes së plotë e të pastër të zgjedhjeve që pasuan 2 vite më vonë…

Kështu, pra, edhe pavetëdija Rama po e qorrolleps Marshallin Kryeministër për të shpëtuar nga kolapsi “njeriun Rama”… P.S. Paksa e ndërlikuar doli, por ju garantoj që është (në lexim të dytë) e thjeshtë për t’u kuptuar…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura