Eda Zari, një album me muzikë liturgjike

Sep 4, 2016 | 11:00
SHPËRNDAJE

Pasi ka eksploruar forma nga më të ndryshme të xhazit, ka eksperimentuar me ritme, ngjyra, motive, Eda Zari ndërmerr një sfidë të re. Ajo i qaset liturgjisë, mistikes, fshehtësisë… Muaji shtator shënon edhe daljen e albumit të saj të titulluar “Entropi”, publikuar nga “Enja Records”. Pasi e testoi në publikun shqiptar këtë formë të re komunikimi, Zari e hedh këtë rrugëtim të saj në një album. Në bashkëpunim me instrumentistë të rrallë, mes të cilëve edhe trompisti Ibrahim Maalouf, si dhe korin “Joan Kukuzeli”, Zari në fut në një botë krejt tjetër.

eda zari

“Ky është një album ambicioz, i pari nga lloji dhe koncepti muzikal, ku mëkëmbet një shtyllë oktet-himnesh, përzgjedhur nga cikle të ndryshme të ceremonive fetare bizantine, orkestruar dhe interpretuar në një kontekst xhazi, krejtësisht kompleks, i pasur në poliritme, pirgje harmonish dhe melizma improvizuese vokale”, shkruhet në informacionin e “Enja Records”. “Eda Zari dhe artistët e saj të përzgjedhur guxojnë të hyjnë në ambientin e ‘kodit’ liturgjik–pastoral të këtyre tropareve.

Himnet (bazuar në dorëshkrimet muzikore bizantine që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Shqipëri) janë shkruar në sistemin e shenjave të muzikës bizantine të quajtur ‘semiografi’, sistem muzikor 1,500-vjeçar! Secili himn, nëpërmjet kadencave pianistike, ngjyrosjeve vokale solistike etj. përfton variacione dinamike dhe simbolika tingullore, duke i çuar ato në ‘tokë të re’, plot thekse solemne, për të mbërritur besueshëm te një publik, i cili nuk shijon vetëm tradicionalen, qoftë të këngës fetare bizantine, apo formën xhazit!”.

eda

Eda Zari është një nga këngëtaret më të suksesshme të xhazit. Ajo ka arritur të krijojë personalitetin e saj artistik të pangatërrueshëm me të tjerët.

Albumi: “Entropy”

• Eda Zari: vokal

• Ibrahim Maalouf (i ftuar special): tromp

• Florian Weber: piano

• Rhani Krija: perkursion, gumbrie

• Dietmar Fuhr : kontrabas

• Hayden Chisholm: saksofon, shruti box

• Kori i Psalteve “Joan Kukuzeli”

• “Enja Records” – München, Germany 2016

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura