E humbëm rastin për lustracionin

May 4, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

SHPËTIM IDRIZI

  Të enjten, Parlamenti shqiptar miratoi një të ashtuquajtur ligj për hapjen e dosjeve. Në mënyrë para-gjykuese ai shmangu marrjen në konsideratë të një projekti të shoqërisë civile që e solli në Kuvend deputetja Mesila Doda dhe unë. Argumenti se projekti ynë shkonte në kundërshtim me Kushtetutën nuk ka kuptim, sa kohë që ai tekst nuk kishte shkuar në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese, e cila është institucioni i vetëm që shpall kushtetutshmërinë ose jo të projektligjeve. Maxhoranca nuk tregoi asnjë shenjë respekti për mendimin ndryshe, të cilin ne e përfaqësonim dhe vinte prej shoqërisë civile: ajo mund të shartonte përbërjen e projektit të vet me atë të shoqërisë civile, duke i dhënë ligjit përfundimtar përmasën kryesore që i mungon: lustracionin.
Pse ne insistojmë për lustracionin? Dhe sa logjik është argumenti i mbrojtësve të ligjit se teksti i tyre reflekton modelin gjerman dhe kaq mjafton për ta shpallur atë si të drejtë dhe që zgjidh problemin?
Ne insistojmë për lustracionin, pse ai do të ishte hapi plotësues dhe përfundimtar i dhënies së një lloj drejtësie sociale dhe politike në vend pas një periudhe të gjatë komunistizimi. A është vendosur kjo drejtësi? Me ligj, pa ligj d.m.th. në mënyrë morale? Jo, dhe ka një arsye shtesë ligjore për ta bërë këtë. Një nga hapat e drejtë të ndërmarrë menjëherë pas vendosjes së pluralizmit ishte dhënia e pafajësisë së të burgosurve dhe të persekutuarve politikë. Nëse ata ishin të pafajshëm, dikush duhej të paguante për mbajtjen e tyre në burg në mënyrë të padrejtë. A e ka paguar kush për abuzim me ligjin e kohës, për interpretim ekstremist të këtij ligji? Jo.
Së dyti, ne mendojmë se miratimi i lustracionit është hap themelor për dekomunistizimin. Ky proces asnjëherë nuk është përmbyllur në vendin tonë dhe fakti që kanë kaluar 25 vjet do e lehtësonte procesin. Do ishte një shërbim për brezin e ri, që nuk e ka idenë për atë që ka ndodhur në periudhën e komunizmit.
Së treti, ne mendojmë se mënyra si i është qasur ky ligj këtij problemi të madh, ruan një dimension pervers të shantazhit politik, i cili nuk është baras me lustracionin. Sipas ligjit në fjalë, drejtuesit e institucioneve mund të kërkojnë informacion për ata që zgjidhen, votohen, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, por nuk ka vijim. Informacioni i mbledhur nuk përdoret ligjërisht për të shmangur figurat e komprometuara, por mbetet në dorën e një drejtuesi, i cili mund ta përdorë për shantazh kur të dojë.
Mbrojtësit e ligjit përdorin argumentin se ligji mbështetet te modeli gjerman. Jo, këtij ligji i mungon pikërisht përmasa morale ose e gjyqit moral, që në Gjermani ishte bërë para se të miratohej ligji. Ishte ky mekanizëm paraprak, që pengoi hyrjen në politikë të njerëzve të përlyer me vepra kriminale në shërbim të regjimit komunist. Ai u vu në lëvizje mbi baza morale që në momentin e parë të bashkimit të dy Gjermanive, nga shoqëria e cila akuzoi publikisht nivele të ndryshme të funksionarëve të regjimit komunist. Ligji të cilit ne i referohemi, e zhvilloi më tej procesin e transparencës. Gjermania nuk kishte pse të zhvillonte një proces lustracioni ligjërisht kur ai ishte zhvilluar më parë mbi baza morale. Kurse shtetet e tjera të dala nga regjimi komunist e parashikuan lustracionin pikërisht mbi baza ligjore. Ne duhet të mbanim parasysh pikërisht këtë dimension, që e jetësuan vendet e tjera.
Kjo shumicë qeverisëse nuk mund të mbajë barrën e një procesi të vonuar plot 25 vjet. Por, që ta përmbyllte një proces kaq të rëndësishëm historik, do duhej të parashikonte dhe lustracionin, si kontributin më të madh të dekomunistizimit të vendit. Pjesë e këtij procesi është dhe kërkimi i varreve të të zhdukurve të regjimit komunist, që e nderon shumicën qeverisëse, që vjen kryesisht nga e majta, por lustracioni ishte dhe mbetet i domosdoshëm për të vendosur përfundimisht drejtësinë sociale në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura