E duam Korçën?

Aug 31, 2012 | 13:33
SHPËRNDAJE

ALEKSANDRA KOLEZI

Përpara disa ditësh lexova një opinion të një vajze të re korçare, ish-gazetare, e cila si shumë të rinj të tjerë shqiptarë ka ndjekur dhe ndërtuar jetën e saj diku gjetkë.
E përpos atij shkrimi apo artikulli me stil peotiko-gazetaresk, në pamje të parë vajtues, por thellë-thellë shkruar me filozofinë “bëni siç them unë po mos bëni siç bëj unë”, syri më kap edhe një sërë komentesh të tjera me lloj-lloj nuancash emocionale, botuar nëpër të përditshmet shqiptare, në lidhje me shembjen e Shtëpisë së Flamurit në Korçë. Ky lloj lajmi vjen e bëhet edhe më pikant kur kombinohet me vjedhjen e pikturave të Mios, në përpjekje të dështuara për të tingëlluar sa më konspirative.
Tani ajo qe ka ndodhur, ka ndodhur. Është atje në mes të qytetit si një dëshmi e pakontestueshme dhe shumëkush që ka parë dhe që e ka dëgjuar lajmin e stërholluar, mund të kujtojë dy shprehje të mençurisë popullore “Fshati që duket nuk do kallauz” dhe “Ja ku është ujku, ju kërkoni gjurmët!”.
Në mënyrë shumë spontane, sapo shoh pamjen e Shtëpisë së shembur, me vjen ndër mend një koment bërë javën e kaluar nga një specialist i Mjekësisë Gjyqësore që tha: “Gjatë autopsisë viktimat të tregojnë me hollësi si ka ndodhur ngjarja, mjafton vetëm t’i këqyrësh me kujdes”.
…Më vjen natyrshëm një nënshqeshje ironike për sloganin e fundit “Zgjohu korçar!”, ku mediatikisht (përsëri gazetaria hyn në mes) u propagandua si një tubim paqësor qytetar që kërkon ringritjen e godinës… As vetë s’e kuptoj se si nënqeshja ironike më kthehet në cinike…
Nëse qytetarët e Korçës duan vërtet të ringrihet godina e mandej të ruhet siç e meriton, edhe përpos përvjetorit të 100-të të pavarësisë, e nëse ata seriozisht e pretendojnë këtë nga qeverisja e tyre vendore apo qendrore, atëherë pse po kërkojnë të zgjojnë njëri-tjetrin nga gjumi?!
Më duket kontradiktore të kërkosh “korçarin” të zgjohet, ndërkohë që Ministria, qeveria, institucionet flenë!!! Ja edhe u zgjuan korçarët, – nga të cilët unë pak syresh njoh të jenë duke fjetur, – po pastaj??? Apo slogani ishte në kufij të naivitetit dhe ata kanë nder mend të rrinë zgjuar e ta ruajnë atë grumbull dherash tash e tutje???
A mos vallë “Zgjohu korçar!” është në të vërtetë thirrje për atë grup të madh korçarësh në diasporë, të cilët jam e sigurt se vetëm me pak vullnet e koordinim të mirë mund ta ringrenë godinën shumë herë më shpejt sesa Ministria e Kulturës të ketë mbyllur raportin për ngjarjen, pale të presim për alokim fondesh.
Ndryshimi i asaj që ndiej unë si korçare me ato që lexoj nga disa ish-kolege të mia ish-gazetare, nuk është mllef për ata që qeverisin lokalisht. Madje, nuk e pranoj teorinë e betonizimit të Korçës. Dhe për ta parë këtë, nuk ka nevojë të jetosh në Korçë, e rëndësishme është ta kesh zemrën në Korçë. Nuk ka nevojë të japësh edhe mend nga maja e kontinentit tjetër. Dikush që e do vërtet Korçën, nuk shkruan ato që i pëshpërisin gojët e liga në vesh. Nëse vërtet të shqetëson një fenomen, nëse vërtet të shqetëson betonizimi, atëherë bëj pak kërkim ose investigim të thjeshtë gazetaresk – si alfa e profesionit – përpara se të nxjerrësh dufin e të trillosh.
Po unë si korçare pretendoj që kultura, edukata qytetare që na ka lënë natyrshëm tradita e qytetit, të dalin mbi pseudovlerat, sepse vetëm kështu do kemi mundësi ta shohim realitetin në sy. Nuk do biem pre e klaneve dhe e interesave, do themi gjithmonë atë që mendojmë hapur edhe pa na organizuar dikush nëpër pseudomitingje me pankarta e slogane të sponsorizuara.
Nëse ka ende korçarë që zemrën e kanë në Korçë, ju bëj thirrje të bashkojmë zemrat dhe mendjet e qeta dhe të mbështesim Korçën. Së bashku, kudo që jemi, mund të ringremë jo vetëm Shtëpinë e Flamurit, por mund të bëjmë shumë herë më tepër se kaq. T’u tregojmë edhe më skeptikëve që korçarët e marrin vetë fatin e tyre në dorë. Jemi shembulli i qytetarisë e të tillë do të mbetemi jetë e mot!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura