“E ardhmja e rajonit tonë është BE”- Ministri Hasani në konferencë me homologun kroat: Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë

Apr 23, 2024 | 14:12
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani në një konferencën për shtyp me homologun kroat Gordan Radman ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë vendin tonë për integrimin në BE.

hasani

Gjatë fjalës së tij, ministri Hasani u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë bërë më miqësore, ndërsa bashkëpunimi më i ngushtë. Ai u shpreh se gjatë takimit ranë dakors për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.

 

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për integrimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pas anëtarësimit në BE, arritjet tuaja janë inkurajuese për të gjithë ne”, tha ministri i Jashtëm.

Ndërsa shtoi se: “Gjykuam se ka ardhur koha për një takim ndërmjet dy qeverive G2G,  pasi jemi  të bindur se ky ndërveprim do t’i japë një dimension të ri, më të plotë bashkëpunimit dypalësh. Për ne, Kroacia është një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit, aksi që lidh Tiranën me Evropën në rrugë tokësore. Dhe në fakt, me Kroacinë nuk është vetëm gjeografia ajo që na bashkon – në të vërtetë na bashkojnë një themel vlerash të përbashkëta. Kroacia është shembull pozitiv dhe shtytës i arritjes së qëllimit të anëtarësimit në BE në një kohë të shkurtër, tregues se përpjekjet dhe këmbëngulja shpërblehen. Modeli juaj është veçanërisht i rëndësishëm për ne që ta implementojmë në procesin tonë të integrimit. Diskutuam si të shkëmbejmë dhe vëmë në praktikë njohuritë tuaja në negociatat e anëtarësimit dhe ndihmën që  na keni ofruar në këtë proces.”

I pyetur nga gazetarët se “Cili është qëndrimi juaj për anëtarësimin e vendit tuaj në BE, nisur dhe nga situata e Maqedonisë së Veriut me këtë proces?”, ministri Ilgi Hasani u përgjigj se: “Ka vetëm një të ardhme për Shqipërisë, anëtarësimi në BE. Qeveria, faktori politik dhe e gjithë shoqëria shqiptare nuk kanë asnjë mëdyshje mbi këtë të ardhme dhe ne mund të jemi ndër rastet unike, ku i gjithë spektri politik është pro evropian. Ashtu si edhe për anëtarësimin në NATO, që ka të njëjtën mbështetjen, si sot edhe 15 vjet më parë. Ne do të vazhdojmë të kryejmë reformat sikur të anëtarësohemi nesër.

Gjykojmë se duhet të bëjmë maksimumin që i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Do të mbështesim forcat politike evropiane, të cilat, si në rastin e Maqedonisë së Veriut nesër, janë thirrur në zgjedhje. Pasi e ardhmja e rajonit tonë është BE dhe në këtë vizion kemi mbështetjen e vendeve anëtare të BE, me në krye Kroacinë.”

Fjala e plotë e ministrit:

Përshëndetje e faleminderit i dashur Gordan (në kroatisht)!

Është kënaqësi për mua që ndodhem në Zagreb, në këtë vizitë zyrtare të parë, menjëherë pasi Shqipëria dhe Kroacia, kremtuan 15 vjetorin e anëtarësimit të tyre në NATO. I lumtur të dëshmoj se marrëdhëniet tona janë bërë më miqësore dhe bashkëpunimi ynë edhe më i ngushtë.

Falënderoj kolegun dhe mikun tim Gordan për mikpritjen dhe dëshiroj t’ju konfirmoj se pas zgjedhjeve një javë më parë jemi besimplotë në bashkëpunimin me qeverinë e re të ardhshme në të njëjtën frymë të partneritetit strategjik, i cili është më i fortë sot dhe ushqehet nga prioritetet tona të përbashkëta të politikës së jashtme dhe i njëjti vizion për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Këtë e dëshmon edhe dialogu intensiv politik midis dy qeverive në kuadrin dypalësh dhe atë rajonal.

Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për integrimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pas anëtarësimit  në BE, arritjet tuaja janë inkurajuese për të gjithë ne.

Gjatë takimit patëm një shkëmbim të frytshëm dhe të hapur mendimesh lidhur me zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.

Gjykuam se ka ardhur koha për një takim ndërmjet dy qeverive G2G,  pasi jemi  të bindur se ky ndërveprim do t’i japë një dimension të ri, më të plotë bashkëpunimit dypalësh.

Për ne, Kroacia është një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit, aksi që lidh Tiranën me Evropën në rrugë tokësore. Dhe në fakt, me Kroacinë nuk është vetëm gjeografia ajo që na bashkon – në të vërtetë na bashkojnë një themel vlerash të përbashkëta.

Kroacia është shembull pozitiv dhe shtytës i arritjes së qëllimit të anëtarësimit në BE në një kohë të shkurtër, tregues se përpjekjet dhe këmbëngulja shpërblehen. Modeli juaj është veçanërisht i rëndësishëm për ne që ta implementojmë në procesin tonë të integrimit. Diskutuam si të shkëmbejmë dhe vëmë në praktikë njohuritë tuaja në negociatat e anëtarësimit dhe ndihmën që  na keni ofruar në këtë proces.

Gjej rastin t’ju falënderoj për asistencën tuaj konkrete me ekspertë të integrimit për ekipin tonë negociator.

Me kolegun  dhe mikun tim Gordan, diskutuam edhe si të rrisim bashkëpunimin në fushën e turizmit. 2023-i ishte një vit mbresëlënës për turizmin në Shqipëri me pothuajse 10 milionë turistë, dhe për ta bërë këtë zhvillim të qëndrueshëm, përvoja dhe bashkëpunimi mes nesh janë të vlefshme. Nisja e fluturimeve direkte mes Tiranës e Zagrebit në mes të qershorit, hap i rëndësishëm që shpresoj të vijohet nga të tjerë.

Më lejoni të shpreh vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe i jep shtetit të Kosovës, demonstrim i së cilës ishte votimi së fundmi në favor të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Shqipëria dhe Kroacia janë të bindura se e ardhmja e Republikës së Kosovës është integrimi euroatlantik i saj, së bashku me vendet fqinje dhe mike në rajon.

Diaspora shqiptare në Kroaci është një urë e qëndrueshme midis dy vendeve dhe për këtë arsye e çmojmë kontributin e saj si pjesë konstruktive e shoqërisë kroate.

Në kushtet e sfidave të reja, të shkaktuara, ndikuara apo inkurajuara nga konteksti i zhvillimeve në Ukrainë, konstatuam nevojën për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin dypalësh e shumëpalësh në rajon, por edhe partnerët evropianë e të NATO-s për t’iu bërë ballë sfidave të sigurisë sot dhe në të ardhmen.

Edhe njëherë ju falënderoj për pritjen e ngrohtë dhe takimin e frytshëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura