Dyshohet se puthi nxënësen e mitur, ja kush i erdhi në gjyq mësuesit për ta mbështetur

May 2, 2018 | 17:19
SHPËRNDAJE

SARANDE/ SHPRESA DINE/ Gjykata e Sarandës la dje në burg më- suesin Neshat Tepelena, i cili u denoncua për ngacmimin e një nxënëseje 11- vjeçare.

Ngjarja, për të cilën ai akuzohet, dyshohet se ka ndodhur rreth dy muaj më parë në shkollën “Ali Hajdini”, në fshatin Kalasë të Delvinës. Gjyqtari Sokol Pine, e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e firmosur nga prokurori Elidon Hysenaj dhe vendosi si masë sigurie “Arrest në burg”, kërkesë kjo e pranuar në emergjencë nga Gjykata për shkak të afateve.

mesues-neshat-tepelena

Por duke qenë se ai dyshohet për abuzim me të mitur, Gjykata shpalli më tej moskompetencë, duke ia kaluar dosjen Gjykatës së Gjirokastrës. Mësohet që vetë mësuesi, i cili ka qenë prezent në sallën e gjyqit, ka deklaruar se është i pafajshëm.

Ai ka mohuar akuzat e familjarëve të nxënëses së tij 11 vjeçe, duke theksuar se gjithçka është e sajuar dhe se e vërteta shumë shpejt do të dalë në dritë. “Jam i pafajshëm. Po më marrin në qafë kot, pasi nuk kam lidhje me atë çfarë akuzohem”, është shprehur në Gjykatë mësuesi 58-vjeçar.

Dje, në Gjykatë nuk është parë asnjë familjar i së miturës, të cilët edhe denoncuan rastin, fillimisht në media e më pas edhe në Polici.

Ndërkaq, është parë njëri nga djemtë e mësuesit, i cili jeton në Itali. Ai nuk pranoi të fliste për mediat, duke theksuar se do të prononcohej në një moment të dytë. Por vetë prezenca e tij në Gjykatë dhe ardhja nga Italia, është konsideruar si një mbështetje e të atit.

Avokati mbrojtës, Ilir Nikolla, u shpreh dje se nuk ka asnjë provë për klientin e tij për ta mbajtur në burg.

“Dua të ndaj me ju një fakt, i cili ka të bëjë me mbarsjen në opinionin publik të kësaj çështjeje. Unë mendoj që kjo çështje është sensitive në kuptim të opinionit publik, por në kuptim të ligjit ajo nuk ekziston. Nuk ka asnjë provë të vetme, që është bazuar kërkesa e Prokurorisë për të ndaluarin Neshat Tepelena”, u shpreh avokati i të arrestuarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura