Dy emna, dy zane, nji mision: Zbulimi i së vërtetës

Jul 25, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

sami_repishtiSAMI REPISHTI

Më 2 korrik, shtypi ameri kan dhe botënor dhanë lajmin e vdekjes së filozofit hebre, Eliezir Wiesel, lektorit karizmatik, profesor i Humanistikës, autor i 60 librave dhe fitues i çmimit “Nobël për Paqe”, në mes tjerash. “Ajo që karakterizoi këtë emën të dalluem nuk ka qenë puna e tij, por boshllëku që puna e tij mbushi në nji botë dhimbshëm indiferente”, shkruente Joseph Berger në nekrologjinë e botueme në “The New York Times”, më 3 korrik 2016.

Merita e tij ka qenë denoncimi i persekutimeve naziste në kurriz të popullit hebre në Europë gjatë L2B, ku edhe ai vetë ishte viktimë që nga mosha 16-vjeçare. Sot celebrojmë fortësinë e tij me mbijetue ferrin e Auschwitzit pa humbë asnji herë besimin në Zotin (që ai sfidoi shumë herë!) dhe sidomos shpresën, këtë armë të fundit të çdo viktime. Kjo shpresë mbijetese u ushqye për nji qëllim të caktuem: me krye nji “mision” mbas shpëtimit nga kampi i vdekjes: me folë, me shkrue, me tregue të vërtetën për krimin e kriminelin nazist dhe punën e tyne të ndytë në skajet ma të errëta të humnerës naziste.

Personalisht, e kuptoj shumë mirë këtë ndjenjë! Tregimet e tij të llahtarshme nga ferri që vrau me plumb e me gaze mbytëse ma shumë se 11 milionë viktima (6 milionë hebrenj; ma shumë se nji milion fëmijë!) i dhanë atij titullin “Ndërgjegjja e vërtetë e botës”. Wiesel u ba nji mbijetues i ferrit nazist që refuzoi me lejue botën të harrohet krimi i shëmtuem.

Me elokuencën që e dallonte Wiesel u ba kampioni i të drejtave të njeriut e simbol i shpresave për të ardhmen, nji dëshmitar që luftoi për njerëzimin kundër sëmundjes ma të randë të njerëzimit: indiferencën morbide. “Mbylli sytë, mbylli veshët. Nuk due të dij çka bahet në botë!”, rrëfehej nji ish-koleg, që përqafoi këtë filozofi dhe pranoi efektet shkatërruese të së keqes mbi tokën tonë e që humbi miqësinë time për jetë.

E tmerrshme! Thanja e Wiesel-it: “Na duhet të jemi të gjithë dëshmitarë të memories sonë” më kujton priftin tonë, bashkëvuejtesin tim, tashma të pavdekshëm, At Zef Pllumin, e dëshminë e tij “Rrno, vetëm për me tregue!”, monument i pavdekësisë së shpirtit njerëzor. Shkrimet e Elie Wiesel-it janë variante të nji teme të vetme: si reagojmë na, e si trajtojmë na njeni-tjetrin në shoqëninë tonë, të harruemin, të smurin, të shtypunin… e të huejin, që nuk flet gjuhën tonë e që nuk përqafon mendimin tonë”.

Parashtrimi i “problemit” e përpjekja me iu përgjegjë pyetjes së shtrueme kanë pasunue jetët tona, e kanë forcue guximin tonë me shërbye pajtimin e paqen. Na kanë frymëzue! Fryma humanitare e Elie Wiesel-it arriti edhe në Shqipëri, me përkrahjen që u dha viktimave të terrorit serb në Kosovë në marsin e vitit 1999. Prof.dr. Mentor Petrela, anëtar aktiv i Akademisë Botënore të Neuro-Kirurgjisë, shkroi nji eulogji prekse në “Panorama”, substantive dhe mirënjohëse për qëndrimin e të ndjerit Wiesel. (Rrëfim: prof.dr.Petrela ashtë kushërini im).

Pak ditë ma parë, më 10 korrik 2016, vdiq gazetari i shquem amerikan me origjinë hebreje, Sydney H.Schaunberg, i njohun për demaskimin e krimeve komuniste në Kambodia: ma shumë se dy milionë qytetarë, sidomos ata me kulturë, u nxorën nga banesat e tyne me dhunë dhe u detyruen me jetue në katunde të largëta dhe të mbrapambetuna, ku mbretnonte terrori i kuq dhe uria.

Qytetet u zbrazën plotësisht nga qytetaria në emën të “themelimit të nji shoqënie agrare”, nji andërr frikësuese e udhëheqësve vendës nën kryesine e të çmendunit Pol Pot. Si gazetar i “The New York Times”, Schaunberg fitoi çmimin prestigjioz “Pulitzer” për gazetari.

Ai raportoi krimet e dëshmueme gjatë burgosjes: urinë, vrasjet “sans quartier”,(a la haxhiqamilçe!), smundjet, punën skllavëruese, brutalitetin ekstrem. Nji popull i tanë u ushqye me bar, insekte, gjarpnij, mij fushe dhe nji lugë me oriz të pazier në ditë. Emni i Pol Pot-it kaloi në histori si “monstri i Kambodia”-s, kryesisht nga denoncimet e Sidney Schaunbergut me tregimet e shkatërrimit të nji popullsie të tanë, të qetë e punëtore nga nji “marrëzi e historisë”.

Shumica e ushtarëve, tregon ai, ishin të rinj, akoma të parritun “në përgjithësi pa personalitet, robotë me dy kambë, brutal pa kufi…, të armarosun vetëm për vrasje”. Shkrimet e tij janë materiali i filmit të suksesshëm “The killing fields”, që tronditi miliona shikues në të gjithë botën, “me vërtetësinë për vuejtjet që kalonte nji popullsi në luftë që, në fakt, ishte krejt e panevojshme”. Denoncimi i kësaj tragjedie njerëzore u ba misioni i jetës së tij, nji shërbim që ai mori përsipër dhe kreu me sukses e me sensin e nji detyre të përqafueme vullnetarisht.

Në sferën fetare, misioni bahet urdhën hyjnor për nji besimtar; me krye “nji shërbim të shenjtë”: mbrojtjen e lirisë dhe dinjitetit të njerëzimit mbar, kudo dhe kurdoherë! Nji “thirrje nga nalt” që krijon shenjtorë e heroj…! Sot, unë kërkoj nji emën, due të ndigjoj nji za, shpresoj në nji shenjtor ose hero që të marrë përsipër zbulimin e plotë të së vërtetës mbi krimet komuniste në Shqipëri.

Heshtja e thellë që dëshmojmë sot, e lindun nga pakujdesia dhe e ushqyeme nga moskokçamja e plotë në Shqipëri, me tmerron! Sepse nuk gjej nji përgjigje që më ngushëllon…, e aq ma pak ngushëllon familjarët e viktimave sot të harruem nga inondacioni i të mirave materiale që ofron “moderniteti” bashkëkohor.

Më duket sikur fshamjet e viktimës nuk ndigjohen sepse mbyten nga muzika degraduese e “tajvanave” të shumët të kryeqytetit e qyteteve tjerë; më duket sikur lotët e grave të lanuna shkret e fëmijëve të lanun jetimë nuk tërheqin vëmendjen e shumicës që ka sigurue për vete dhe për të afërmët e vet nji jetë pa brenga që nuk lejon hymjen e lotëve në banesën e tyne…!

Si mund të pengohet ecja e vrullshme e këtij fenomeni që eventualisht sjell gjakderdhjen, e reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kërcënues? Nga larg, shpeshherë kam përshtypjen se shumë shqiptarë kanë humbë “identitetin” e tyne, respektin për veten e tyne dhe shpresën për nji të ardhme ma të mirë, ma premtuese. Kjo gjendje më frikëson, sepse nji masë e tillë amorfe ashtë pre e gatshme e “pseudopolitikanëve”, që gënjejnë kur flasin, që identifikojnë problemet shoqënore pa asnji mbështetje faktuale, e japing receta falso për tejkalimin e gjendjes. Për këta spekulatorë të mjerimit të përgjithshëm, faktet kanë humbë kuptimin e ynë sepse nuk shërbejnë gënjeshtrën e tyne.

Mbetet dëfrimi, karadyzeni otoman. Ai zëvendson realitetin që s’ka fuqi me u imponue. Latinët kishin shprehjen “panem et circenses” (bukë e lodra). Mjafton! Por të shkretët shqiptarë nuk kanë as bukën e gojës shpeshherë! Të sprovuem nga nji cinizëm i tillë, popullsia e çveshun nga logjika dhe e lodhun nga çkujdesja e plotë, bien viktimë e “pseudove” që në esencë janë moralisht jashtë binarit. Ka mjaft viktima, sidomos të rinj, të vetmuem, pa perspektivë, të dëshpruem në nji shoqëni që nuk i përkrahë e që janë në kërkim të nji jete që vlen të jetohet, nji jete që ka nji kuptim, e që nuk e gjejnë.

Mbetet vetëm, nji rrugë, e papranueshme dhe falso, ajo e dhunës individuale ose kolektive. Zakonisht, kombet mbledhin mendjen e fuqitë që kanë mbas përvojës tragjike që kalojnë. Por unë kam përshtypjen se vendi i jonë sot nuk ashtë në gjendje me shkelmue të kaluemen tragjike, as gjen forcën e duhun me ndihmue ardhjen e së resë që premton.

Sfidat janë të përditshme për shtetet e shoqënitë demokratike që kërkojnë pjesëmarrjen e qytetarëve, të shoqënisë ku qytetarët jetojnë të lirë. Në Shqipëri duket se pyetja vihet: a janë shqiptarët qytetarë të lirë, në kuptimin e kulturuem të fjalës, me identifikue problemin, me e përshkrue atë dhe me diskutue lirisht në nji atmosferë demokratike?

***

Gjatë studimeve të mia në la Sorbonne (Paris,1970-71) si bursist i qeverisë franceze, me koncentrim në veprat e shkrimtarit Andre Malraux, i drejtova shkrimtarit nji “Letër”, ku në mes tjerash shkruejshe: “… Zhvlerësimi i njeriut i organizuem nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtënoi të burgosun në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, në mënyra nga ma të llahtarëshmet…

Të jetosh në nji kamp përqendrimi ashtë vetë ferri mbi tokë. Të përballosh torturën, të sotmen, të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë njena mbas tjetrës dhe për dhjetë vjet me radhë, ashtë në fund të fundit nji agoni ma e thellë se ajo e vdekjes…”. Nji përpjekje me zbulue krimin në Shqipëri! Vdekja e shkrimtarit pengoi takimin për nji dialog që kërkoi z.Malraux, i prekun nga tregimi i im. “Misioni” i zbulimit të së vërtetës, në këtë rast i krimeve komuniste në Shqipëri, fitonte në atë kohë nji nga vlerat morale të pakrahasueshme.

Megjithatë, edhe ma vonë përpjekjet për nji “mision” të këtillë nuk kanë qenë të kënaqshme, kryesisht sepse “autoritetet” e ardhuna në fuqi, kapitali moral i të cilëve ka qenë vuejtja e ish të persekutuemëve dhe të ish-shpronsuemëve arbitrarisht e me dhunë ekstreme, tue përfshi edhe tortura deri në vdekje, preferuen rrugën ma pak të vështirë: marrjen e pushtetit…, por jo përgjegjsinë e zbatimit të drejtësisë në dënimin e krimeve të kryeme.

Nuk ashtë ndërmarrë nji inisiativë për hapin e parë të procesit të dekomunizimit të vendit me dënimin publik, në gjykata të hapuna, të ideologjisë vrastare e të praktikës kriminale të Partisë Komuniste shqiptare. Përkundrazi! Ish-udhëheqësit e kësaj partie dolën para gjyqit të kryesuem nga nji njizetë e pesë vjeçar dhe nji prokuror njizetë e tetë vjeçar (siç!) për gjykimin e ish-presidentit dhe të nandë zyrtarëve të lartë të ishregjimit komunist. Kjo farsë makabre ofendoi viktimën!

Që në fillim, akuzat për shpërdorim detyre dhe pasunie të popullit damtuen seriozitetin e proçesit gjyqsor. Në nji atmosferë gjysëm karnavaleske zhvillohej gjykimi i akteve barbare gjatë 45 vjetëve të kalueme; në mes tjerash, vrasja me gjyq e pa gjyq të ma shumë se 7.000 qytetarëve shqiptarë. “Presidenti” u dënue me 9 vjet; Ish-prokurori i Përgjithshëm, që pranonte se kishte dhanë ma shumë se 400 dënime me vdekje, mori 11 vjet. Ministri i Mbrendshëm, pesë vjet…, e kështu me radhë. Vendimi i Gjykatës mori karakter thjesht politik, e dëshproi nji popullsi të shumëvuejtun.

Kudo flitej që “Qeveria demokratike” mbronte meturinat e komunizmit në Shqipëri, nji opinion që vazhdon edhe sot! Vendimi nuk ishte nji lajm sensacional, ashtu siç pritej nga të gjithë. Tashma, shumë shqiptarë ishin të zhgënjyem me Qeverinë e re, dhe të preokupuem nga nevoja urgjente me u punësue.

“Ata as kishin kohë, as ishin të interesuem me zbulue krimet e së kaluemes”, shkruente nji vrojtues i të drejtave të njeriut. U krijue atmosfera e heshtjes dhe mospërfilljes që vazhdon edhe sot: faji nuk dënohet; krimi paguen! Vendimi i Gjykatës ishte i papritun edhe nga vetë të dënuemët.

Monstri me fëtyrë njeriu, Aranit Çela, kaposhi i Vlorës, u tha haptazi kolegëve të burgut: “Shokë, mos u ankoni; po të ishim ne gjykatës, do t’i kishim vrarë të gjithë!”. (Dëshmi e ish-drejtorit të burgut).

Ashtë kjo atmosferë mbytëse që nuk lejoi inisiativat serioze për zbulimin e krimit komunist. Akoma sot nuk dihet numri i saktë i viktimave, nuk gjinden varret e tyne dhe nuk kthehen pasunitë e grabituna arbitrarisht.

Akoma sot bahen deklarata pompoze antikomuniste, e shpërblehen me poste qeveritare e pasuni prrallore shumë nga ishkriminelët e së kaluemes tragjike, trashëgimtarë të pushtetit e të jetës luksoze për vetë e për familjarët e tyne, nji privilegj që u mohue për dhjetra mijëra viktima të pafajshme. “Të gjithë i dinin krimet që ishin kryer ‘me urdhër nga lart dhe duhej të hanin dhe’ që të mos kishte dëshmitarë për të mbështetur, dhe për të mos u vërtetuar në të ardhmen akuzat ndaj diktaturës”, shkruente ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithëshme të Republikës së Shqipërisë.

Më kujtohen sot tregimet për thirrjet histerike të zonjës Nedi Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, që shkulte flokët e kokës kur ndigjonte demonstratat e studentëve, dhetor 1990, që thrrisnin “Liri, Demokraci!”, “Ç’bëhet kështu? Ku do vemi ne…, kemi duart e lyera me gjak!…”.

Nuk besoj se zonja Myftiu ka qenë e informueme plotësisht për të gjitha krimet që burri i saj dhe xhelatët tjerë komunistë kryenin në vendin tonë: 7,367 gra të burgosuna, 308 gra të çmenduna në hetuesinë komuniste, 45 gra të vdekuna në qelitë e burgut, 450 gra të pushkatueme, simbas disa burimeve serioze. Pa marrë parasysh se numri i viktimave burra ka qenë shtatë herë ma i madh…!

Para nji realiteti të këtill, dëshiroj të përsëris thanjen e bashkëvuejtsit tim, Visar Zhiti: “…duhet të jemi të aftë të nxjerrim nga dhembja virtyte, e të krijojmë ‘kulturën e vuajtjes’ që popujt e zhvilluar e kanë”. Kultura që nderon e respekton çdo vuejtje, nga çdo anë që vjen: e vështirë? Po! Por zonja në fjalë nuk ka përse të frikësohet! Viktima që thërriste “Liri, Demokraci” në rrugët e qyteteve tona në dhetor 1990 tregoi fisnikërinë e popullit tonë: përbuzi urrejtjen, përbuzi hakmarrjen, përqafoi pajtimin e kërkoi drejtësinë… që e mashtroi randë!

Ky akt sublim do të mbetet në historinë tonë si modeli i sjelljes së qytetnueme dhe i respektit suprem për lirinë dhe dinjitetin e individit, … edhe për kundërshtarin! Sot, veprimtaria politike në Shqipëri, fatkeqsisht ka humbë randësinë e vet esenciale: shërbimin për popullin mbarë, megjithëse jam i sigurt që ka shqiptarë të gatshëm, të vullnetshëm dhe të aftë me ndryshue kursin e sotëm.

Sot, dëshmojmë qëndrimet pothuejse infantile të elitës politike të vendit, megjithëse jam i sigurt që ka “elita” të gatshme me ndryshue kursin e sotëm. Sot, nëse këto “elita” nuk plotësojnë detyrimet e tyne qytetare, me përdorue fjalët e Thomas Jefferson-it, “unë dridhem nga frika për vendin tim, kur mendoj se, në fakt, mund të përfundojmë me nji udhëheqje që meritojmë!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura