Durrsakja, ndër 30 gratë më të fuqishme në industrinë e financave në SHBA

Sep 23, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Emrat shqiptarë që janë të suksesshëm jashtë nuk janë të paktë, por media përgjithësisht njeh e trumbeton vetëm ata që bëjnë rrugë në fushën e artit. OK, financat nuk janë aq të thjeshta e nuk se i japin kënaqësi masës, por raste si i Lela Prodanit ka pak dhe vështirësia, nga pikëpamja e kapacitetit profesional, është gjithaq e madhe dhe e rëndësishme. 

Lela Prodani
Lela Prodani

Intervista e saj është marrë nga “Trusted Insight” dhe përtej temave teknike, Lela na tregon për mundësinë e femrave për të çarë në këtë sektor, që nuk është i thjeshtë as në SHBA.

Financa është një industri, që në mënyrë tradicionale është zotëruar nga meshkujt. Sa vazhdon të jetë i vërtetë ky mendim?

Puna ime e parë pas mbarimit të kolegjit ishte në një zyrë tregtare në një firmë të vogël broker. Kur fillova, shumica e këshilltarëve financiarë ishin meshkuj dhe shumica në zyrat mbështetëse ishin femra. Të gjitha aktivitetet e tregut ku unë kam marrë pjesë ishin kryesisht të mbizotëruara nga meshkuj. Edhe sot, në fushën e investimeve institucionale, femrat mbeten një minoritet. Megjithatë, pavarësisht kësaj që thashë më parë, unë nuk mendoj që gjinia është penguese për të pasur sukses.

Pasi unë u largova nga firma broker, disa femra ishin rritur në detyrë në pozicione me autoritet dhe fuqi. Ti mund t’ia dalësh në këtë industri, pavarësisht nëse je një femër apo një mashkull. Diskriminimi mund të ketë qenë mbizotërues shumë kohë më parë, por nuk mendoj se kjo përbën më një problem. Unë besoj se çdo grua që hyn në industrinë e investimeve mund t’ia dalë të ketë sukses, për aq kohë sa ka pasion për këtë profesion.

A ka ndonjë gjë që industria mund të bëjë për t’u përkujdesur që më shumë femra të angazhohen në të?

Po. Te “Mercy” po mendojnë të bëjnë shumë aktivitete që nga mbledhja e një grupi investitoresh femra për të biseduar rreth temave si aftësitë negociuese dhe mundësitë për karrierë, deri tek organizimi i takimeve sociale, ku anëtarët ndajnë përvojat e tyre rreth punës në një firmë investimesh. Më duket sikur sa herë që ne bisedojmë me femrat, nuk ka shumë femra që luajnë golf. Sa herë që ka një event biznesi që përfshin golfin, shumë pak femra duan të shkojnë. Grupi po mendon të organizojë një aktivitet golfi, ku dikush të mund t’i mësojë bazat e golfit përpara se ato të mund të luajnë. Kjo mund të ndihmojë që më shumë femra të marrin pjesë nëpër aktivitete biznesi, ku ato nuk do të shkonin, thjesht sepse nuk dinë si të luajnë golf.

“Mercy Health” praktikon investimet me përgjegjësi sociale. Na tregoni rreth këtij misioni…

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Në këtë moment investimi me përgjegjësi sociale ka vetëm një kufizim për duhanpirjen, por ne po marrim një iniciativë për të zgjeruar mandatin tonë për përgjegjësitë sociale. Tani po punojmë me misionin këtu te “Mercy” për të na ndihmuar të formulojmë ide dhe struktura të mira. Ne kemi një takim të komitetit tani shpejt dhe ne po përgatitemi të drejtojmë investime me përgjegjësi sociale, iniciativa dhe përqasje në procesin e ESG-së.

(Mjedis, shoqëri, qeverisje-tri shtyllat e qëndrueshmërisë) Këto përqasje mund të variojnë nga pasqyrimet përjashtuese (të ngjashme me kufizimin kundër duhanit që po zhvillojmë momentalisht), në investimet me menaxherë që përfshijnë pasqyrimet e ESG-së në proceset e tyre, deri te qasjet më direkte si investimet me impakt.

Lela Prodani gjatë marrjes së çmimit në SHBA
Lela Prodani gjatë marrjes së çmimit në SHBA

A mendoni që investimet me përgjegjësi sociale janë ndryshim themelor në industri, apo është thjesht një modë që disa institucione po ndjekin?

Shumë investitorë europianë janë përfshirë në mandatet e SRI-së dhe ESG-së për shumë kohë. Mendoj se ne jemi pak mbrapa këtu në SHBA, por nga bashkëbisedimet e kohëve të fundit me kolegët shumë e më shumë njerëz po marrin iniciativa në investimet me përgjegjësi sociale, veçanërisht firmat jopërfituese ose ato me përkatësi fetare. Mua më duket se investitorët dëshirojnë të bëjnë më shumë se thjesht të investojnë, ato duan të ndikojnë gjithashtu edhe në komunitet.

Një nga pengesat në investimet në SRI/ESG është që ndikon në performancën e saj. Shumë njerëz mendojnë se nëse ata investojnë në SRI/ ESG, ata do të kenë kthime. Ne kemi bërë disa kërkime në këtë fushë dhe nuk mendojmë se kjo është domosdoshmërisht e vërtetë. Ne mendojmë se investimet e qëndrueshme mund të japin kthime që janë në të njëjtën linjë me etapat përkatëse. Megjithatë, ashtu si me çdo menaxher, ne mendojmë se përzgjedhja e menaxherëve është kyç në këtë fushë.

Zyrat e investimeve në spitale, përgjithësisht janë diçka e re në industrinë e kujdesit për shëndetin. Çfarë roli luajnë këto zyra në këtë industri?

Zyrat e investimeve në shëndetin publik përbëhen nga njerëz inteligjentë dhe inovatorë që përpiqen gjithmonë t’ua dalin punëve përpara. Ka një ndjenjë të fortë bashkëpunimi midis ekipeve të investimeve në institucione të ndryshme. Sa herë që takohemi në konferenca ose në biseda me kolegët tanë, ne kemi bashkëbisedime të ngjashme: “Në rregull. Çfarë mund të bëjmë më mirë?

Si mund t’i arrijmë objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis me kthime të ulëta? Si mund të gjejmë mënyra krijuese për të përfituar nga dislokimet e tregut dhe mundësitë e reja? A mund të jemi krijues dhe të shtojmë vlera nëpërmjet zgjidhjeve më të rregulluara si makinat me kredi, apo gjëra të tjera si këto?”. Nuk është çështje konkurrence, është më tepër për të ndarë ide dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Ky lloj bashkëpunimi duket i rrallë në fushën e investimeve.

Më duket se ka më shumë konkurrencë në universitete, sesa në fushën e kujdesit për shëndetin. Ne komunikojmë me kolegë të tjerë dhe ndajmë ide, unë mund t’u telefonoj kolegëve të spitaleve të tjera për ndihmë ose për pyetje në lidhje me menaxherët. “A ke folur me këtë menaxher?”. Ata janë shumë mbështetës për të ndarë ide. Ne jemi njësoj dhe mua më pëlqen shumë ky fakt.

Me çfarë sfidash të veçanta përballen zyrat e investimeve të kujdesit për shëndetin?

Kthimet e ulëta janë një sfidë e madhe dhe kjo jo vetëm në fushën tonë. Ndoshta është e njëjta sfidë edhe për industritë e tjera. Është shumë e vështirë të arrish objektivat dhe qëllimet tona në këtë mjedis, ose të duhet të marrësh më shumë risqe, ose duhet të heqësh dorë nga disa likuiditete, me qëllim që të mund të kesh kthime me të larta. Ndonjëherë as kompensimi (kthimi për sasinë e rrezikut) nuk është i mjaftueshëm për rrezikun e marrë në projekte. Është me të vërtetë një sfidë. Në këtë mjedis të duhet të punosh për të ulur pagesat, ose të hysh në investime private për të pasur kthime më të larta. Kjo nuk është një sfidë vetëm në fushën e kujdesit për shëndetin. Është një sfidë e përgjithshme, por kthimet përfundimisht po ndikojnë në objektivat dhe qëllimet e fondeve.

Cilat janë këshillat që do t’u jepni grave të reja, që duan të hyjnë në fushën e investimeve.

Duhet ta keni me pasion fushën e investimeve. Duhet të keni dëshirë të shkëlqeni kur jeni minoritet në industri. Të gjeni një ekip pune të mrekullueshëm, që ushqen njohuri dhe mendjemprehtësi financiare. Mos ndaloni kurrë së mësuari. Duhet të shohim më shumë gra në industri. Ne duhet të punojmë shumë fort për të inkurajuar gratë e reja që kanë pasion financën, të zgjedhin fushën e investimeve si një zgjedhje për karrierën e tyre. Është një karrierë shumë emocionuese dhe për njerëz që pëlqejnë të mësojë vazhdimisht është një vend i mrekullueshëm.

*”Trusted Insight” është rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë. Ai lidhet me vendimmarrësit e investimeve në dhurimet, fondacionet, pensionet, kompanitë e sigurimeve, fondet sovrane të pasurisë, zyrat familjare, korporatat dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura