Gjykatësi në çështjen penale në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump vendosi sërish të hënën se zoti Trump ka shkelur urdhërin që ia ndalon të sulmojë dëshmitarët për këtë proces gjyqësor.
Gjykatësi e paralajmëroi prerazi zotin Trump se mund të burgoset nëse vazhdon të injorojë urdhërin e gjykatës.
Gjykatësi Juan Merchan e mori vendimin në fillimin e javës së tretë të procesit gjyqësor, periudhë gjatë së cilës janë dëgjuar dëshmitarët. Në këtë çështje penale, akuzat janë për falsifikim të të dhënave të biznesit të Organizatës Trump, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels.
Ish-presidenti Trump ka mohuar pretendimin e zonjës Daniels për një marrëdhënie seksuale mes tyre, si dhe ka mohuar të 34 akuzat e ngritura ndaj tij. Por, gjykatësi Merchan e paralajmëroi zotin Trump se shkelja e urdhërit të gjykatës “është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor. Nuk mundem ta lejoj këtë të vazhdojë”.
Gjykatësi Merchan tha se “gjëja e fundit” që do të donte ishte ta dërgonte zotin Trump në burg, por se do ta bënte këtë nëse do të duhet. “Je ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ndoshta edhe presidenti i ardhshëm”, shtoi gjykatësi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al