“Dua të fitoj sërish me Juven”, Ronaldo “shpërthen” pas 770 golave të shënuar: Jam Kristiano, ku e gjeni guximin që të më…

Mar 15, 2021 | 13:37
SHPËRNDAJE

“Ej, unë jam Kristiano Ronaldo! Ku e gjeni guximin të më kritikoni? Ku e gjeni guximin të më vini në dyshim”. Ishte ndoshta ky mesazhi që donte të jepte Kristiano Ronaldo përpara një prej kamerave të stadiumit, teksa vinte gishtin në veshin e djathtë, pas golit të tretë personal të realizuar kundër Kaljarit, pas vetëm 32 minutash loje. Dhe ndoshta me të vërtetë, të gjithë ata që patën guximin ta kritikonin pas Portos, kush e di çfarë mund të kenë menduar pasditen e djeshme, me Fabio Kapelon në krye të listës. Gjithsesi, Ronaldo ecën përpara, madje përveçse u ngjit në kuotën 770 gola në karrierë, kërkoi që të shfrynte edhe ndaj medias, veçanërisht kundër rrjetit “Sky Sport”, nga i cili erdhën edhe akuzat më të rëndë duke parë se në stafin e tyre janë pjesë pikërisht Kapelo, që nuk e frenuan aspak gjuhën, duke drejtuar gishtin nga portugezi.

ronaldo 1

Pasi takimi mbaroi, Ronaldo po i drejtohej tunelit të dhomave të zhveshjes, por tentativat e gazetarëve të “Sky Sport” morën si përgjigje një fytyrë të egër, por edhe një shtytje shumë nervoze nga ana e futbollit të mikrofonave. Mesazhi ishte i qartë, 36-vjeçari nuk i ka kapërdirë kritikat dhe vazhdoi që të qëndronte në heshtje, në atë heshtje që bën shumë zhurmë… Por, gjithsesi ajo që u intereson më shumë tifozëve bardhezi është se nëpërmjet “Instagramit” të tij, CR7 lëshoi edhe një mesazh që ngjan me konfirmimin se do të jetë pjesë e Juventusit edhe sezonin e ardhshëm:

“Sot (dje), pasi u ngjita në kuotën zyrtare të 770 golave në karrierë, fjalët e mia të para janë të gjitha për Pelenë. Kjo, pasi nuk ka lojtar në botë që nuk është rritur duke dëgjuar historitë e ndeshjeve, golave dhe sukseseve të tij dhe pa dyshim që unë nuk bëj përjashtim nga kjo. Për këtë arsye jam më shumë sesa thjesht i lumtur, por edhe mjaft krenar që kaloj rekordin e golave të Pelesë, një objektiv që nuk e kisha menduar as në ëndrrën time më të bukur prej një djali të rritur në Madeira. Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar për mua në këtë udhëtim fantastik. Më besoni kur falënderoj për këtë arritje timen të gjithë shokët e skuadrave që kam pasur, trajnerët, tifozeritë e ndryshme, por mbi të gjitha familjes dhe miqve që kanë qenë gjithmonë me mua, në momentet e bukura dhe të vështira, – poston Ronaldo, ndërsa paragrafi i fundit ishte edhe ai më i rëndësishmi. – Tani po pres me padurim që të luaj ndeshjet e radhës! Po pres me padurim të vulos rekorde dhe trofe të tjerë. Më besoni, historia ime është ende shumë larg fundit. E ardhmja ime është e nesërmja dhe dëshira për të vazhduar së fituari me bluzën e Juventusit dhe të Portugalisë”, përfundonte CR7.

URIMI I PELESË – Ndërkohë, pasi e thirri në apel, Kristianon e ka uruar edhe legjenda braziliane. “Urime që theve rekordin e golave të mi në ndeshjet zyrtare. Çfarë karrierë te bukur që po bën! Të admiroj shumë dhe ky nuk është sekret për asnjë besoj. Po e lë edhe këtë foto tonën së bashku në nderin tënd, por edhe si rrjedhojë e dashamirësisë dhe simbol i miqësisë sonë që ekziston prej vitesh”, shkruante Pele.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura