Drejt një dekade të humbur?

Oct 13, 2015 | 12:35
SHPËRNDAJE

SELAMI XHEPA &
KLODIAN TOMORRI

    Zhvillimet ekonomike në vend vazhdojnë të prodhojnë tregues jooptimistë. Në tremujorin e dytë, Prodhimi Kombëtar ishte, sipas Bankës së Shqipërisë, 2.5 për qind më i ulët nga niveli potencial. E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se vetëm për këtë tremujor ekonomia prodhoi gati 100 milionë dollarë më pak mallra dhe shërbime nga sa është e aftë të furnizojë. Ky është një hendek shumë i madh prodhimi, që manifestohet në kapacitete substanciale prodhuese të papërdorura mes bizneseve dhe në papunësinë e lartë, veçanërisht atë afatgjatë. Nga ana tjetër, tregtia e jashtme gjithashtu e ka humbur forcën e saj tërheqëse për rritjen ekonomike. Eksportet dhe importet kanë rënë, duke shitur më pak mallra në tregjet e huaja dhe ato të vendit.

Rritja anemike e tremujorit të dytë është e fundit në serinë e një kalvari të gjatë dhe lodhës depresioni të deritanishëm. Për shkak të rritjes disavjeçare nën potencial, të ardhurat për frymë janë tani janë rreth 15 për qind poshtë nivelit që sugjeronte trendi natyral i ekonomisë para krizës. Në rang kombëtar, humbjet kumulative (potenciale) janë rreth 2 miliardë dollarë dhe vazhdojnë të rriten. Për çdo shqiptar kjo përkthehet në afër 700 dollarë më pak të ardhura në vit.

Pasoja kryesore e rritjes anemike është se ajo përkeqëson çdo problem tjetër ekonomik. Para së gjithash, prej tri vitesh pagat reale në ekonomi janë në trajektore rënëse. Vitin e kaluar, sipas INSTAT-it, pagat mesatare të zhveshura nga rritja e çmimeve ranë nga 1.1% në shtet deri në 6.6 për qind në sektorin privat. Pensionet u rritën më pak se inflacioni, ndërsa dërgesat nga emigrantët dhe transfertat sociale nga buxheti janë po ashtu me rënie, çka tregon se standardi i jetesës për shumicën dërrmuese të shqiptarëve është përkeqësuar duke i detyruar familjet të rrudhin konsumin.

Shqetësimi është se kjo periudhë e gjatë stresi ekonomik mund të komprometojë seriozisht zhvillimet afatgjata të ekonomisë së vendit. Prej gati pesë vitesh, ekonomia shqiptare po rritet me më pak se 3% në vit në terma realë, me pikën më të ulët, atë të vitit 2013, me pak mbi 1% dhe me një rritje shumë të ngadaltë nga një vit në tjetrin, por që akoma do të mbetet nën 3%. Është e qartë se prodhimi aktual i ekonomisë dhe të ardhurat e familjeve janë dukshëm më poshtë nga sa duhet të ishin. Por, edhe më shqetësues është fakti se pjesa më e madhe e këtyre humbjeve besohet të jenë të përhershme: gati gjysma e hendekut të prodhimit është akomoduar jo nga rritja më e shpejtë e ekonomisë, por nga ulja e potencialit të saj. Kjo konfirmohet nga vlerësimet e institucioneve prestigjioze.    

Nëse shohim projeksionet afatmesme të FMN/Bankë Botërore, ritmet e rritjes pritet të arrijnë diku rreth 4% në vitet e ardhshme. Nëse edhe gjatë pesë viteve të ardhshme vendi do të vazhdojë të ruajë ritme të tilla të rritjes ekonomike, me një mesatare të dekadës me 3-4%, mund të thuhet pa frikë se kjo do të cilësohej nga historia e ekonomisë si një dekadë e humbur. Në termat e përafrimit dhe konvergjencës me ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së, vendi do të shënonte pothuaj një vendnumëro, duke rritur dhe më tej hendekun në raport me vendet e reja anëtare të BE-së dhe duke mbetur poshtë nivelit të 1/3-s së mesatares së të ardhurave për frymë të BE-së. Sërish, pas gati tri dekada e gjysmë tranzicion drejt ekonomisë së tregut të lirë, Shqipëria dhe vendet e rajonit do të rrezikonin të mbeteshin në periferi të botës së zhvilluar dhe demokratike.  

Gjithashtu, është shqetësues fakti se shumë nga faktorët që ushqejnë rritjen ekonomike janë tkurrur: sektori i jashtëm (eksportet), investimet e huaja direkte, remitancat nga jashtë, kreditimi i ekonomisë nga sistemi bankar dhe investimet publike e private- të gjitha vazhdojnë të mbeten problematike. Gjendja e financave publike kërkon konsolidim të mëtejshëm, duke vepruar si një kufizim i fortë buxhetor mbi mundësinë e ndjekjes së politikave buxhetore më të forta. Papunësia mbetet në nivele të larta dhe shqetësuese, veçanërisht mbi brezin e ri. Klima e biznesit në vend nuk po shënon ndonjë reformë thelbësore që të bëjë një diferencë.

Edhe iniciativat e ndërmarra me disa ligje të reja për të joshur më shumë investimet e huaja të mëdha në vend, siç ishte ligji për investimet strategjike, nuk pritet të funksionojë, duke pasur parasysh që ai ndërhyn në të drejtën e pronës private në mënyrë të pamotivuar dhe gjithkush do të trembej të përballej me gjykatën ndërkombëtare në një rast të caktuar.
Është e vërtetë që disa masa për përmirësimin e qeverisjes së korporatave shtetërore dhe pronës publike janë shumë pozitive. Veçanërisht situata në korporatën energjetike, menaxhimi më i mirë i territorit dhe përpjekjet për të vendosur më shumë barazi në treg nëpërmjet formalizimit të sektorit të korporatave dhe sipërmarrjeve të mëdha. Sidoqoftë, ato janë të pamjaftueshme për të ndryshuar trajektoren e rritjes ekonomike anemike që vazhdon prej kohësh.

Në afat më të gjatë, një rritje ekonomike në nivele të tilla, rrezikon ta mbajë vendin ngërthyer në kurthin e vendit në zhvillim, ose “kurthin e zhvillimit”, siç kanë mbetur prej dekadash shumë syresh, si Meksikë, Brazil, Turqi, Argjentinë etj.
Që vendi të rikthehet në nivelet e rritjeve të larta ekonomike, janë të nevojshme të kryhen reforma – jo aksione- që përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme funksionimin e shtetit ligjor; që ndryshimet në kursin e politikave nga një maxhorancë te tjetra të mos jenë “ndërprerëse”, por korrektuese, kalibruese dhe përmirësuese; që administrata të mos jetë një zgjatim i partisë në pushtet, por e qëndrueshme, profesionale dhe efikase në punë e vet; që sistemi tatimor të jetë i thjeshtë në zbatim dhe i përballueshëm, duke shmangur diskrecionin e nëpunësit në vlerësimin tatimor; që korrupsioni të luftohet në të gjitha nivelet e qeverisjes me rregulla, me standarde dhe procedura transparente, dhe jo ta përdorim si një retorikë boshe sa për të mbushur raporte për donatorët; që politikëbërja të mos niset nga premisa populsite, por nga qasje realiste, edhe pse shpeshherë të dhimbshme në afat të shkurtër; që qeverisja të jetë e institucioneve dhe jo e individëve. Sa më herët të fillojmë të mendojmë seriozisht në terma të tillë, aq më shpejt mund të kapim shansin të rivendosim vendin në shina të drejta për të ecur me shpejtësi për të kapur vitet e humbura në histori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura