Dorina Garuci, me “Ethet e së premtes mbrëma” në Vjenë

Sep 17, 2015 | 16:59
SHPËRNDAJE

Ajo iu kthye sërish “Etheve të së premtes mbrë- ma”, por tanimë jo si një konkurrente e ndrojtur në një talent-shou, por si një yll në një skenë të madhe.

garuci1Vetëm pak kohë më parë, këngëtarja shkodrane Dorina Garuci ka qenë protagoniste në mjuzikëllin e famshëm “Saturdays Nights Fever”, në Vjenë të Austrisë. Dorina pati rolin e Stefanisë, të cilin e performoi shkëlqyeshëm, duke marrë shumë vlerësime.

Këto ditë këngëtarja është në Shkodër dhe rrëfen këtë eksperiencë të paharrueshme. “Ftesa për të marrë pjesë në këtë mjuzikëll më erdhi pas një tjetër produksioni që unë kisha bërë në Vjenë.

garuciU ndjeva shumë e privilegjuar për faktin sepse atje gjithçka bëhet shumë kohë më përpara. Ftesa më erdhi pikërisht mua nga qindra kolegë të tjerë, të cilët kishin aplikuar për këtë mjuzikëll. Mua m’u duk si qershia mbi tortë direkt pas një produksioni tjetër, që siç duket rezultoi i suksesshëm.

Një eksperiencë shumë e mirë për mua. Relativisht ne kemi pasur rreth 18 shfaqje me 11 mijë shikues. Kam pasur fatin që të bashkëpunoj me njerëz tepër të rëndësishëm në Vjenë. Për mua nuk ishte pak, atë çfarë kam bërë në Shqipëri, në Shkodër, ta realizoj edhe atje.

Të luash rolin kryesor në një mjuzikëll kaq të rëndësishëm dhe të njohur, për mua nuk ka qenë aspak e lehtë”, thotë Garuci. Kaq ka mjaftuar që këngëtarja shkodrane, falë talentit të saj, jo vetëm të surprizojë në skenën e Amstetten në Vjenë, por të marrë edhe ftesa të tjera.

garuci2Garuci tregon për projektet në të ardhmen, duke mos përjashtuar mundësinë e një mjuzikëlli në Shqipërinë e saj.

“Kam pasur fatin që për gjithë këtë periudhë të njihem dhe të krijoj kontakte të reja, të krijoj publikun tim dhe natyrisht që kjo më ka shërbyer shumë. Jam e lumtur kur thonë kush është ajo shqiptarja që po bën bujë këtu.

Kam një tjetër ftesë, për një tjetër produksion atje, këtë herë në Baden të Austrisë, për një produksion që është “Jekyll and hyde” ku do të kem sërish rol protagonisteje. Jam e fokusuar te studimet, produksionet dhe ftesat që po më vijnë, por që Shqipërinë asnjëherë nuk dua ta lë në harresë.

Eksperienca që unë po përjetoj momentalisht duhet t’i shërbejë një publiku, i cili kërkon diçka më të veçantë, më vlerësuese dhe më profesionale. Në Vjenë po përjetoj ëndrrën time dhe dëshiroj që të vazhdoj më tej.

Uroj që të mos jetë shumë larg realizimi i dëshirës sime për të ardhur në Shqipëri. Në momentin që do të jem gati për të bërë atë hap, do të vij edhe këtu”. Të mbash peshën e një kombi nuk është e lehtë, shprehet vajza shkodrane që u duartrokit shumë fort në mes të Vjenës. “Është shumë e vështirë.

Nuk do të jetë vetëm që të përfaqësoj veten. Kam peshën e një flamuri dhe një kombi të tërë, dhe për mua që në momentin që hap sytë në mëngjes është pikërisht kjo ndjenjë, forca e vetes.

Më motivon absolutisht që të vazhdoj e të punoj më fort, jo vetëm për veten, por për të gjithë Shqipërinë time. Krijimi i imazhit të “shqiptares” më ngroh shumë dhe më motivon që të vijoj më tej.

Dëshiroj që edhe publiku atje të më japë sadopak nga ajo dashamirësia, që kam marrë në vendin tim dhe që nuk e ndërroj me asgjë në botë”. Shqiptarja që mori famë në Austri, ka edhe një mesazh për të rinjtë.

Dorina thotë se asnjëherë nuk duhet të dorëzohen dhe secili të ndjekë ëndrrën e tij pa reshtur. “Njeriu kur kërkon diçka me shumë forcë, Zoti dhe puna të nxjerr gjithmonë në dritë. Kjo ka qenë motoja ime.

Jam rritur me artin dhe me Shkodrën time. Një ndër mendimet e mia që më është sjellë gjithnjë në kokë është: të punosh shumë fort se gjithmonë do të dalë një ditë në dritë. Konkurrenca më e madhe që mund të kesh është me vetveten.

Këtë do t’u thosha të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të cilët kanë dëshirë që të ndjekin ëndrrat e tyre. Duhet punë, dëshirë dhe besim”.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura