Donaruma “grushton” kritikat: Çdo portier mund të gabojë!

May 12, 2018 | 14:12
SHPËRNDAJE

I kryqëzuar nga mediat dhe një pjesë e tifozërisë, por Xhixho Donaruma nuk pranon të dorë- zohet. Portieri kuqezi ka bërë disa deklarata të shkurtra për televizionin e klubit duke folur për përjetimin e humbjes ndaj Juves dhe për objektivat e mbetur sezonalë.

Duke u rikthyer të mbrëmja e së mërkurës, numri 99 i Milanit deklaroi: “Është normale që të jemi të gjithë shumë të zhgënjyer. Ishim përgatitur për ta fituar atë finale dhe më vjen shumë keq që nuk ia dolëm. Tani duhet të shohim përpara sepse kemi edhe dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme për këtë sezon dhe sidomos për atë që do të vijë. Nga paraqitjet me Fiorentinën dhe Atalantën varet pjesëmarrja në Ligën e Europës”. Teksa foli për gabimet e tij ndaj Juventusit, 19-vjeçari nuk krijon alibi e aq më pak nuk justifikohet.

donaruma

Xhixho e njeh delikatesën e rolit, teksa përpara kamerave pranoi: “Ajo që më ndodhi mua, mund t’i ndodhë çdo portieri tjetër sepse i tillë është roli ynë. Tani nuk është momenti për t’u ndalur dhe për të menduar për atë gabim ndaj duhet të kthejmë sa më shpejt faqe dhe të interpretojmë si duhet takimet e mbetura”. Ana psikologjike e skuadrës mund të jetë një thikë me dy presa, pasi nga njëra anë mund të ndikojë negativisht, por nëse përdoret në mënyrën e duhur mund të kthehet në stimul për të arritur një rezultat pozitiv në Bergamo. “Ndaj Atalantës do të shikoni një ekip që do të mundohet që zhgënjimin e humbjes ndaj Juves ta kthejë në pikë forcë. Duam të tregojmë se sa vlejmë. Shokët në stërvitjet e fundit i kam parë shumë të motivuar dhe në Bergamo do të japim më të mirën”, përfundoi fjalën e tij portieri i Milanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura