Dollari arrin 127 lekë, kuota më e lartë nga 2003

Mar 6, 2015 | 12:40
SHPËRNDAJE

Dollari po njeh vetëm rritje në kursin e këmbimit dhe dje është këmbyer me 127 lekë, duke shënuar një rekord të ri të paktën për 11 vitet e fundit.

Dollarë

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë tregonte se një dollar u shkëmbye me 126.99 lekë, një nivel ky që monedha amerikane nuk e njeh që nga viti 2003. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se hera e fundit që dollari ka qenë në nivele më të larta se kjo, ishte prilli i vitit 2003, kur monedha amerikane këmbehej me 129 lekë. Dhe, pas kësaj, në dhjetor u ul në nivelin e 108 lekëve. Dollari amerikan ka arritur edhe kuotat më të ultra, duke u këmbyer me 83 lekë në dhjetor të vitit 2007.

KURSI

Dollari ka kohë që në tregun vendës ka pësuar vetëm rritje, duke zhvlerësuar kështu monedhën tonë. Më herët, nivelet me të cilat është këmbyer dollari gjatë janarit dhe shkurtit kanë qenë mesatarisht 120 dhe 123 lekë. Por gjatë ditëve të fundit rritja ka qenë e vazhdueshme, duke shënuar gati 127 lekë. Por dollari nuk është mbivlerësuar vetëm përballë lekut, por në një vëzhgim të plotë të kursit të këmbimit në botë monedha amerikane ka fituar pikë mbi të gjitha monedhat e tjera.

Kështu, lidhur me euron, e ka zhvlerësuar atë në nivelet më të ulëta të 11 viteve të fundit, kjo pas lajmit se Banka Qendrore Europiane do të vërë në zbatim javën në vijim planin e deklaruar më herët nga Mario Draghi. Një euro është këmbyer dje me 1.1 dollarë, niveli më i ulët që nga viti 2003 që monedha europiane humb kaq shumë terren. Pikët që dollari ka fituar ndaj euros vijnë nga plani i BQE për të injektuar një shumë marramendëse eurosh në treg, me synimin e rregullimit të inflacionit, si dhe situatës ekonomike. Por ndërsa në tregjet e huaja euro është ulur në Shqipëri, këmbimi vijon të mbetet i njëjtë. Një euro nuk këmbehet poshtë 140 lekësh.

TË PENALIZUARIT

Lëvizjet e kursit të këmbimit në raportin euro-dollar në tregjet ndërkombëtare kanë penalizim edhe për ne. Kështu, forcimi i dollarit ndikon direkt te çmimi i naftës, e cila sot në tregjet ndërkombëtare shitet dhe blihet në dollarë, pavarësisht se cilës bursë i referohesh për çmimin final. Importuesit shqiptarë i referohen bursës së Londrës për blerjen e naftës, por pavarësisht kësaj forcimi i dollarit është kosto shtesë për xhepat e konsumatorit final, pasi efekti ndihet në gjithë zinxhirin e tregtisë.

Nga ana tjetër, një euro e dobët kudo në eurozonë, por e mbajtur e pandryshuar në Shqipëri, penalizon të gjithë ata që mund të përfitonin nga situata kur kanë një kredi në euro. Edhe pse kursi i këmbimit është i lirë dhe përcaktohet nga tregu, duket një tendencë e bankave për të mos lëshuar asnjë fije nga fitimi i tyre, duke mbajtur euron në 140 lekë.

KURSI NË BOTË

Gjithmonë e më shumë po vihet re një forcim i dollarit përballë gjithë monedhave të tjera. Përballë jenit forcimi ka qenë evident së fundmi dhe u është atribuuar shifrave pozitive të lakuara nga Shtetet e Bashkuara për punësimin. Përballë paundit ka një vlerësim të mirë dhe që deri në fundit të 2015 pritet të vijë më i mbivlerësuar, duke u këmbyer afër 1.4. Përballë frangës zvicerane sërish ka fituar pikë dhe kjo falë asaj që ekspertët e quajnë “uri e tregut për dollarë”. Efekti që nisi nga shifrat dhe më pas nga parashikimet e ekspertëve po konkretizohet në treg nga kërkesa gjithnjë e më e lartë.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura