Dokumenti sekret, paktet për Veriun do të arrihen fshehtas para takimeve

Aug 31, 2012 | 14:26
SHPËRNDAJE
Foto e takimit Thaçi-Tadiç e publikuar në korrik

Çështja e Veriut të Kosovës, edhe pse po lobohet fort nga ndërkombëtarët që të përfshihet në bisedimet e reja mes Kosovës e Serbisë, është diskutuar paralelisht me bisedimet teknike mes dy palëve në takime të fshehta. Madje ish-diplomati amerikan, Daniel Server, ka deklaruar për gazetën prishtinase “Zëri” se ka indikacione që marrëveshjet do të arrihen para se palët të takohen publikisht. Sipas Server, takimi i liderëve apo palëve në përgjithësi do ketë rëndësi për simbolikën që përfaqëson ai shtrëngim i duarve, por jo për të arritur marrëveshjet. Një dokument diplomatik perëndimor nga Beogradi, i shkruar me gjuhën e kabllogrameve amerikane, që daton nga koha kur pushtetin në Serbi e kishte Boris Tadiç, flet për dëshirën e pranuar të Beogradit për negociata sekrete me Prishtinën, krahas dialogut teknik. Përgjatë këtyre negociatave, përmes një vendimi administrativ do krijohej territori i veçantë i quajtur “Veriu i Kosovës”, shkruan gazeta “Zëri”. Në artikull thuhet se termi autonomi për veriun nuk përmendet, por një prej pikave thotë: “Të drejta të zgjeruara dhe status për serbët që jetojnë në komunat e Veriut të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, duke e krijuar (përmes një vendimi administrativ) një rajon të vetëm të quajtur Veriu i Kosovës, me të drejta të veçanta të përfaqësimit”. Beogradi po kërkon nga amerikanët, gjermanët dhe britanikët që serbët e veriut të Kosovës, përmes zgjedhjeve të kenë Parlamentin e tyre me të drejta ekzekutive. Në këtë dokument të siguruar nga “Zëri” thuhet se marrëveshjet janë planifikuar që të arrihen para zgjedhjeve të prillit të mbajtura në Serbi, përmes “diskutimeve diskrete”. Dokumenti ka rrjedhur tashmë nga diplomacia perëndimore në Beograd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura