DOKUMENTI/ Ministria, letër Universitetit të Tiranës: Nuk plotësoni kushtet, ulni kuotat në këto dy fakultete

Aug 13, 2019 | 14:00
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Dy fakultete në Universitetin e Tiranës nuk përmbushin kushtet për t’u hapur në vitin e ri akademik 2019-2020.

universitet

Ky është konkluzioni i ekspertëve të Ministrisë së Arsimit, pas verifikimeve në terren të kapaciteteve pritëse, bazuar në kuotat e deklaruara nga Universiteti. Më problematikët rezultojnë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe ai i Drejtësisë. Ndërsa i pari nuk plotëson kriteret infrastrukturore për të pritur numrin e studentëve që dëshiron, i dyti me kapacitetet akademike që ka, nuk plotëson standardet e parashikuara. Të dyja këto shkelin ligjin e arsimit të lartë dhe vendimin e qeverisë për hapjen, riorganizimin e universiteteve. Si fillim, u është nisur rekomandimi, që këshillon Senatin Akademik të përmirësojë këto raporte, duke ulur numrin e kuotave.

“Senati Akademik i Universitetit të Tiranës të marrë masa për rishikimin e kuotave për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2019-2020 në Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Institutin e Studimeve Europiane dhe Departamentin e Gjuhës Angleze në filialin Sarandë”.

KAPACITETET PRITËSE

Ndonëse për vitin e ri akademik në Universitetin e Tiranës do të ulen gati 10 për qind më pak studentë se viti që shkoi, sërish, numri i tyre rezulton të jetë më i lartë sesa kapacitetet e vetë Universitetit. Më konkretisht, Fakulteti që nuk plotëson standardet është ai i Gjuhëve të Huaja. Normativa për sipërfaqe të shfrytëzueshme sipas fushave të studimit është minimumi 2.5 m2 për student, ndërkohë pavarësisht aplikimit të dy fashave orare, Fakulteti ofron më pak se norma minimale e parashikuar. Numri i studentëve që rinj që parashikohet të presë ku Fakultet, është 3848 studentë, nga të cilët 1705 kuota të miratuara nga Senati Akademik dhe 2143 studentë aktualë. të gjithë këta do të mësojnë në ambiente jo më shumë se 4407 m2. Një llogaritje e thjeshtë konkludon se raporti m2/student është 2.1. “Pavarësisht aplikimit të dy fashave orare, Fakulteti ofron më pak se norma minimale e parashikuar, duke e tejkaluar kapacitetin pritës minimal me 572 studentë të parashikuar. Në gjendjen aktuale, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka kapacitet infrastrukturor pritës minimal për 3276 studentë”, thuhet në konkluzionet e raportit të hartuar nga grupi i punës.

MONITORIMI

faksimile mas

Sa i takon raportit student-pedagog, Fakulteti i Drejtësisë dhe Instituti i Studimeve Evropiane rezultojnë me mangësi. “Fakulteti i Drejtësisë nuk plotëson kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 418, datë 10.5.2017 ‘Për standardet, kriteret dhe procedurat për hapjen, riorganizimin ndarjen, bashkimin ose mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë dhe të degëve të tyre’. Sipas VKM-së në fjalë raporti pedagog-student standard është 1 me 45”, citohet në dokumentin e hartuar nga ekspertët e MASR.

Në Fakultetin e Drejtësisë ky raport shkon 1 me 55, ndërsa tek ISE 1:56. Sakaq, në gjendjen aktuale, te Drejtësia duhet të studiojnë jo më shumë se 3150 studentë, ndërsa numri i tyre me kuotat e deklaruara tejkalohet me 685 studentë më shumë. Departamentet përbërëse të Institutit të Studimeve Europiane dhe Institutit të Fizikës Bërthamore të Aplikuar, si njësi kryesore të Universitetit të Tiranës, nuk përmbushin këtë kriter gjithashtu. E njëjta gjë vlen edhe për departamentin e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Tiranë, si dhe departamentin e Gjuhës Angleze në filialin Sarandë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura