Dokumentet britanike: Pse Zerva përzuri çamët nga Greqia

Apr 5, 2015 | 23:02
SHPËRNDAJE

Dokumentet britanike të kohës hedhin më shumë dritë mbi tragjedinë e shqiptarëve të Çamërisë. Një dosje prej dhjetëra faqesh e vitit 1945, e hartuar nga Ministria e Jashtme britanike, i dedikohet dëbimit të shqiptarëve dhe përgjegjësisë së çdo pale, madje edhe të vetë britanikëve dhe rolit të tyre në këtë dëbim. Dosja me kodin HS 5/91 përmban korrespondencat e kohës së oficerëve britanikë në terren me komandën e tyre në Bari të Italisë, si dhe disa raporte interesante.

Britaniket ne Greqi

Në një prej raporteve të kësaj dosjeje konfirmohet se shqiptarët ishin paralajmëruar për tragjedinë dhe masakrat që po i prisnin. Sipas tyre, një ditë para nisjes së sulmeve së Zervës, ishin vetë gjermanët që paralajmëruan minoritetin shqiptar çam të largohet, duke u dhënë madje 40 ditë kohë. Për shkak të arsyeve taktike ushtarake, gjermanët nuk vepruan mbi trupat e Zervës. “Në qershor të 1944, trupat e Zervës sulmuan dhe morën zonat e Paramithisë dhe Pargës duke kërcënuar kështu të gjithë minoritetin shqiptar nga Margariti në perëndim në bregdet, dhe në veri në rrugën Janinë-Igumenicë. Për arsye taktike, gjermanët vendosën që këto zona të mos i rimarrin dhe paralajmëruan minoritetin shqiptar të vendoset në veri të rrugës Janinë-Igumenicë, në një periudhë prej 40 ditësh, duke nisur nga data 26 qershor 1944. Ata e ndoqën këtë këshillë dhe trupat e Zervës ecën në gjurmët e tyre. I gjithë minoriteti shqiptar në këto zona, me gra e fëmijë, bashkë me gjënë e gjallë, shkuan drejt veriut për në Shqipëri, ndërsa burrat qëndruan rreth zonës së Filatit për të luftuar me grekët. Ka shumë mundësi që këta minoritarë kanë luftuar kundra Zervës bashkë me gjermanët”, thuhet në një raport britanik të 21 shtatorit 1944, i hartuar nga kapiteni Mind. Ai raportoi më tej se pozita e shqiptarëve të Çamërisë do të përkeqësohet për shkak se një pjesë e madhe e tyre ishin bashkuar me grupet komuniste të EAM-it në Greqi. Trupat e nacionalistit grek, Napolon Zerva dhe EAM kishin nisur tashmë armiqësinë mes tyre që shkoi deri në një luftë civile disavjeçare në Greqi. “Minoriteti shqiptar është tepër i frikësuar me situatën e pasluftës dhe me shumë gjasë ata u janë afruar përfaqësuesve të EAM-it në lidhje me këtë çështje duke u thënë se do t’i ndihmojë në luftë kundër Zervës që përfaqëson ata nacionalistë që kërkon largimin e minoritetit shqiptar dhe Epirin e Veriut, nëse i mbështesin në kërkesat që ata kanë. Nëse Zerva ka mësuar diçka në lidhje me këtë, atëherë të gjithë minoritetin shqiptar ata do ta klasifikojnë si pjesë e atyre çetave. Zerva i quan të gjithë shqiptarët armiq, njësoj si gjermanët dhe EAM/ELAS”, raportoi kapiteni britanik.

PËRPLASJA E HOXHËS ME ZERVËN
Ndonëse komunistët shqiptarë të LNÇ-së qëndruan mjaft pasivë mbi tragjedinë çame, ata u përballën me një incident tepër të fortë me trupat e Napolon Zervës, ku u përfshi personalisht edhe Enver Hoxha. Sipas britanikëve, në datën 4 tetor 1944, Enver Hoxha thirri në një takim urgjent të gjithë misionarët ushtarakë të huaj në Shqipëri për t’u raportuar se trupat e Zervës kishin sulmuar partizanët shqiptarë në afërsi të kufirit në Konispol, duke lënë të vrarë dy partizanë shqiptarë e duke plagosur 7 të tjerë. Sipas Hoxhës, Zerva kishte mbështetjen e gjermanëve në këtë aksion. “Enver Hoxha thirri sot në një takim të gjithë krerët e misioneve të huaja dhe dha këtë deklarim: Në datat 29 dhe 30 shtator, forcat greke në afërsi të Konispolit dhe pranë kufirit sulmuan forcat partizane me një grup të përbërë me forca të Zervës dhe gjermanë, të cilët kaluan kufirin për në Shqipëri. 2 partizanë shqiptarë u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën. Me urdhrin tim, forcat partizane do të ndjekin Zervën deri në Greqi, pasi aksioni i tyre konsiderohet si një agresion i hapur ndaj shqiptarëve, të cilët nuk kanë dëshirë të përfshihen me vendet e tjera”, raportoi për komandat e tij më 4 tetor 1944 oficeri britanik Smith. Por, britanikët paralajmëruan ashpër Enver Hoxhën që të mos tentonte të kalonte kufirin me Greqinë. Duket se ata ia arritën ta bindin Hoxhën, nisur edhe nga fakti se çdo acarim situate nuk do t’i vlente aspak Hoxhës. Nga ana tjetër, britanikët paralajmëruan edhe Zervën të mos vepronte në kufirin me Shqipërinë. 

ARSYET E ZERVËS DHE PËRGJEGJËSIA E BRITANIKËVE
Sipas kreut ushtarak të komandës britanike në Bari, Zerva sulmoi zonat e shqiptarëve në Çamëri me justifikimin që ai të kalonte në bregdet për më shumë furnizime, por po ashtu edhe t’u merrte shqiptarëve ushqime e mall. Por, britanikët nuk dyshuan aspak se qëllim i Zervës ishte vetëm dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre. “Zerva dëshironte të shkonte me ambiciet irredentiste greke për të pastruar të gjitha tokat greke nga shqiptarët. Nuk është shumë e qartë se sa e drejtë ishte arsyeja e parë, e cila u përdor si justifikim nga Zerva për të bërë sulmin, që u cilësua si çështja më e rëndësishme nga Zerva. Por nisur nga akuzat se po sulmohen grekët që jetojnë në Jugun e Shqipërisë dhe dëshira e tij e shprehur që të shkojë në Veri përtej kufirit, në fakt tregon se arsyeja e vërtetë dhe më e rëndësishmja ishte e arsyeja e fundit (përzënia e shqiptarëve). Për më tepër, minoriteti shqiptar përbuzet nga Zerva për më shumë se një arsye, dhe bashkëpunimi i tyre me EAM/ELAS i ka dhënë atij një justifikim më shumë për të goditur EAM/ELAS, sepse tashmë ai mund t’i akuzojë ata se bashkëpunojnë me minoritetin shqiptar “gjermanofil”, raportoi për Londrën komandanti britanik. Por në mënyrë të hapur, ai pranoi edhe përgjegjësinë e palës britanike në tragjedinë çame. Sipas tij, misionet britanike ndihmuan shqiptarët të largoheshin sa më parë nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës. Sipas tyre, kjo u bë për qëllime humanitare. “Misionet britanike haptazi ndihmuan në evakuimin e minoritetit shqiptar, ai ishte një akt humanitar për të parandaluar keqtrajtimin e tyre në Greqi”, raportoi oficeri lt. kolonel Deakin.
DOKUMENTIN R 1
Force 133/Sekret/ 21 shtator 1944
Raport nga kapiteni Mind, i cili ka qenë pjesë e oficerëve të ndërlidhjes në Epir që nga gushti i 1943-shit.
1-Të gjithë grekët (duke përfshirë edhe ata të Zervës) iu referohen organizatës së partizanëve të krahut të majtë, të cilat mbajnë yllin e kuq.

2-Në tetor 1943, një çetë prej 150 vetash hyri në Greqi dhe luftoi me EAM/ELAS në luftë civile kundër Zervës. Elementë të kësaj çete kanë qëndruar që atëherë në zonën e Filatit.
3-Në tetor 1943, Ismail Hakiu u dha asistencë trupave të EAM/ELAS. Pasi iu premtua një oficeri britanik në shtator, ai tha se do të luftonte përkrah aleatëve dhe disa nga njerëzit e tij vendosën yllin e kuq si shenjë e besimit të mirë, ndryshe nga të tjerë të Ballit Kombëtar që bashkëpunonim me gjermanët. Hakiu ndërroi anën sërish dhe në janar 1944 shkoi me gjermanët. Kjo e komplikoi situatën dhe ndihmon të kuptohet për t’i shpjeguar akuzat e Zervës se disa çeta janë në bashkëpunim me Ballin Kombëtar dhe po ashtu me EAM/ELAS-in.

4-Marrëdhëniet mes liderëve etnikë shqiptarë në Greqi dhe gjermanëve u acaruan kur minoriteti shqiptar e kuptoi se gjermanët do të iknin nga Greqia dhe se ata do të ishin në një pozicionin të vështirë me grekët. Shumë nga liderët shqiptarë çamë u larguan nga Janina dhe u vendosën afër zonave të Filatit. Në qershor të 1944-s, trupat e Zervës sulmuan dhe morën zonat e Paramithisë dhe Pargës, duke kërcënuar kështu të gjithë minoritetin shqiptar nga Margariti në perëndim në bregdet dhe në veri në rrugën Janinë-Igumenicë. Për arsye taktike, gjermanët vendosën që këto zona të mos i rimarrin dhe paralajmëruan minoritetin shqiptar të vendoset në veri të rrugës Janinë-Igumenicë në një periudhë prej 40 ditësh, duke nisur nga data 26 qershor 1944. Ata e ndoqën këtë këshillë dhe trupat e Zervës ecën në gjurmët e tyre. I gjithë minoriteti shqiptar në këto zona me gra e fëmijë, bashkë me gjënë e gjallë, shkuan për në veri, në Shqipëri, ndërsa burrat qëndruan rreth zonës së Filatit për të luftuar me grekët. Ka shumë mundësi që këta minoritarë kanë luftuar kundër Zervës bashkë me gjermanët.
5-Kam biseduar me shumë përfaqësues politikë të EAMit në zonën e Filatit, të cilët shprehën dëshirën që minoriteti shqiptar dhe grekët të mbeten miq dhe se Greqia pas lufte do t’i lejonte shqiptarët të qëndronin në shtëpitë e tyre në Greqi. Minoriteti shqiptar është tepër i frikësuar me situatën e pasluftës dhe me shumë gjasë ata u janë afruar përfaqësuesve të EAM-it në lidhje me këtë çështje, duke u thënë se do t’i ndihmojnë në luftën kundër Zervës që përfaqëson ata nacionalistë që kërkon largimin e minoritetit shqiptar dhe Epirin e Veriut, nëse i mbështesin në kërkesat që ata kanë. Nëse Zerva ka mësuar diçka në lidhje me këtë, atëherë të gjithë minoritetin shqiptar ata do ta klasifikojnë si pjesë e atyre çetave. Zerva i quan të gjithë shqiptarët armiq, njësoj si gjermanët dhe EAM/ELAS.

DOKUMENTI NR
2 Top-sekret/ 4 tetor 1944. Force 399/

Majori Smith Enver Hoxha thirri sot në një takim të gjithë krerët e misioneve të huaja dhe dha këtë deklarim: Në datat 29 dhe 30 shtator, forcat greke në afërsi të Konispolit dhe pranë kufirit sulmuan forcat partizane me një grup të përbërë me forca të Zervës dhe gjermanë, të cilët kaluan kufirin për në Shqipëri. 2 partizanë shqiptarë u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën. Me urdhrin tim forcat partizane do të ndjekin Zervën deri në Greqi, pasi aksioni i tyre konsiderohet si një agresion i hapur ndaj shqiptarëve, të cilët nuk kanë dëshirë të përfshihen me vendet e tjera”. Telegram për Ministrinë e Jashtme Me rëndësi
1-Enver Hoxha informoi misionet aleate në datën 4 tetor se në datat 29 dhe 30 shtator forcat e LNÇ-së u sulmuan në afërsi të kufirit grek në Konispol nga një forcë e përbashkët me stupave të Zervës dhe gjermanët. Me urdhrin e Hoxhës, forcat e LNÇ-së do të ndjekin këto forca nga pas deri në Greqi.

2-Konsiderohet në fakt se nuk ka gjasë që Zerva të shqetësohet nga ky agresion. Është bërë çdo përpjekje për të siguruar çdo fakt. Lt.kolonel Palmer, i cili u tërhoq sot nga Shqipëria, mund të jetë në gjendje të japë detajet e plota. Ndërkohë, oficeri që është lënë me detyrat e tij në shtabin e LNÇ-së i është ngarkuar që të paralajmërojë Enver Hoxhën që është në interesin e tij që të shmangë çdo provokim në Greqi dhe që në mënyrë strikte të mbajë trupat e tij brenda kufirit shqiptar. Do të ishte e vlefshme po ashtu që të paralajmërohej edhe Zerva në mënyrë që të shmangë çdo incident në kufi. Po ashtu, një mision nga EAM-i grek ka ardhur në shtabin e LNÇ-së në Shqipëri javën e kaluar.

DOKUMENTI NR. 3

Force 399/ 13 dhjetor 1944/ sekret Lt. Kolonel Deakin/oficeri përfaqësues në Bari Marrëdhëniet shqiptaro-greke
1-Ka një armiqësi tradicionale mes shqiptarëve dhe grekëve në Epir. Ata shqiptarë janë myslimanë dhe si të tillë ata cilësohen nga grekët si shqiptaro-turq. Gjatë kohës së luftës, shqiptarët në zonën e Thesprotisë, në mënyrë që të forcoheshin më shumë kundër grekëve, bashkëpunuan me gjermanët dhe pranuan armë nga ata. Fatkeqësisht, përderisa asnjë nga oficerët tanë nuk ka qenë i pranishëm në këtë zonë, nuk është e qartë nëse kjo lloj politike u ndoq nga shumica e popullsisë apo vetëm nga disa prej tyre.

2-Zerva sulmoi shqiptarët në qershor dhe korrik 1944 për këto arsye: A) Ai kërkoi një forcë më të madhe në bregdet që t’i krijonte mundësinë atij të penetronte te furnizimet që vijnë nga deti për forcat e tij. B) Ai kërkoi tokën më të mirë që kishin në zotërim shqiptarët, në mënyrë që të kishte ushqime të mjaftueshme për trupat e tij. C) Shqiptarët kishin goditur me herët trupat e Zervës dhe kishin shkatërruar të mbjella dhe shtëpi në zonën e veriut të Prevezës. D) Zerva dëshironte të shkonte me ambiciet irredentiste greke për të pastruar të gjitha tokat greke nga shqiptarët. Nuk është shumë e qartë se sa e drejtë ishte arsyeja e parë, e cila u përdor si justifikim nga Zerva për të bërë sulmin, u cilësua si çështja më e rëndësishme nga Zerva. Por, nisur nga akuzat se po sulmohen grekët që jetojnë në Jugun e Shqipërisë dhe dëshira e tij e shprehur që të shkojë në Veri përtej kufirit, në fakt tregon se arsyeja e vërtetë dhe më e rëndësishmja ishte arsyeja e fundit (përzënia e shqiptarëve).
3-Aktualisht pozicioni aktual për minoritetin shqiptar është tepër i komplikuar, ndoshta jo për atë grup që nuk bashkëpunoi me gjermanët, por tani edhe si rezultat i ndërmjetësimit të partizanëve shqiptarë, kanë arritur në bashkëpunim me EAM/ELAS-in. EAM/ELAS-i nuk ka shfaqur asnjëherë si organizatë qëllime dhe ambicie irredentiste apo armiqësi me minoritetin shqiptar në Greqi. Për më tepër, minoriteti shqiptar përbuzet nga Zerva për më shumë se një arsye, dhe bashkëpunimi i tyre me EAM/ELAS i ka dhënë atij një justifikim më shumë për të goditur EAM/ELAS sepse tashmë ai mund t’i akuzojë ata se bashkëpunojnë me minoritetin shqiptar “gjermanofil”.

4-Për më tej, pozicioni aktual, nga ku Zerva po tenton të largojë dhe përzërë edhe ato pak minoritarë shqiptarë që kanë ngelur në Greqi dhe madje pret që edhe misionet britanike të ndërhyjnë në këtë çështje, kështu që minoriteti shqiptar nuk ka gjasa të trajtohet mirë nga ndjekësit e tij. Misioni britanik haptazi ndihmoi në evakuimin e minoritetit shqiptar, si një akt humanitar për të parandaluar keqtrajtimin e tyre në Greqi.
5-Në lidhje me këtë çështje, si dhe për informacionet e datës 5 dhjetor, oficeri Cleveland duhet të vazhdojë të provojë largimin e trupave të Zervës me makinat e tyre dhe të lejohen që të shkojnë në Epir. Ky pozicion është i pakënaqshëm, nëse këta njerëz do të mbahen të ndaluar. Shpagimi do të kërkohet nga ndjekësit e Zervës ndaj çdo shqiptari të mbetur në këtë zonë.

 ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura