Dodë Përvuka, simbol i votës së lirë

Aug 10, 2020 | 9:57
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ ndue-dedaj

Nëse Dodë Përvuka do ta kishte bustin para Kuvendit të Shqipërisë, ka gjasë që zgjedhjet në këtë vend të ishin të lira. Ky malësor mirditas sakrifikoi familjen për votën e lirë. Por aty mungon dhe obelisku i 17 deputetëve të opozitës shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, që u ekzekutuan nga regjimi komunist. Nuk janë aty as shëmbëlltyrat e kuvendarëve të Pavarësisë, etërve, për shkak të “biografisë” që mund të kenë pësuar më pas. Prandaj, parlamentarizmi ynë nuk ka kujtesë dhe është në këtë gjendje të mjerë. Edhe pse Kuvendin e pastroi jo pak dekriminalizimi, me “prurjen” e fundit nga listat e partive që dogjën mandatet, me invers, mund të thuhet se tempulli i demokracisë ra nga breshëri në shi…

Por të vijmë te Dodë Përvuka, nga Shëmria e Oroshit, i përmendur në Mirditë për hokat dhe urtinë, me një mallkim tragjik rënë mbi familjen e tij. Pati ndodhur kështu kur Mirdita u vu në provë. Në zgjedhjet e ‘45-ës, njeriu i thjeshtë Dodë votoi kundër Frontit, duke e hedhur kokrrën në kutinë e “reaksionit”. Nxituan t’i thoshin ata të komisionit (Partisë) të ndërronte mendje e ta nxirrte kokrrën sa nuk qe vonë e ta hidhte në kutinë e “duhur”, por burri i fisëm, shqiptar i kulluar, duke prekur kutinë si Biblën, ua ktheu: “Kjo asht shtëpi pa derë”, që do të thoshte se ajo kokërr nuk mund të nxirrej më prej aty, pasi ai e kishte hedhur me vetëdije të plotë, edhe pse e dinte se ç’rrufe do të binin mbi të!… Kështu na e thotë ndodhinë e 75 viteve më parë inxhinier Prengë Nikolli, nga Shëmria, duke shtuar se e kishte dëgjuar nga i ati. Aty morëm shkas që gjestin e pazakontë të Përvukës ta sillnim në kontekstin zgjedhor të sotëm, të rrënuar.

(Në parantezë ishim njohur me këtë figurë popullore para njëzet vitesh, kur humoristi oroshas Pashk Llusku po përgatiste për botim librin e tij me vjersha satirike “Ferr në këtë jetë e ferr në atë jetë”, ku do të përfshinte dhe disa nga dromcat satirike të Dodë Përvukës, që ai e vinte në krye të hokatarëve të Mirditës, i cili, bashkë me Dodë Llesh Gjonin e Gjomarkajve, bënin një dyshe të famshme fshikulluese.)

Ish-i dënuari politik, Gjetë Kadeli, e shtjellon ngjarjen tragjike për lexuesin e gazetës “Panorama”: “Fill pas Luftës thirrën tek Abacia e Oroshit, burrë për shtëpi. I thonë Dodë Përvukës, asokohe plak mbi 75 vjeç, në mes të popullit: Ke katër djem të rritur, me pushkë në krah, thuaju të mbështesin pushtetin popullor. Doda ua kthen të deleguarve: Djemtë i kam të rritun, dy prej tyne të martuem, dinë vetë se çfarë bajnë, por në më pyetshin mue, kurrë nuk do të bashkohen me ata që nuk njofin Zotin! Këto fjalë proverbiale shkuan gojë më gojë nëpër Mirditë. Nuk ishte më poeti shakaxhi i satirave, por pleqnari politik i kohës. “I tillë burrë ka qenë Doda, me të pa në sy e me ta thënë fjalën drejt, ani se të idhtë kur lypej…”, përmbyll tregimin e tij Kadeli. Thotë populli, fjala e drejtë ka inatin, e në rastin e tij, urrejtjen e hakmarrjen. Regjimi u lëshua mbi të si një ortek i pamëshirshëm. Nga pesë djem që kishte Doda, katër ia pushkatuan Forcat e Ndjekjes (Mbrojtjes së Popullit) në vitet 1947- 1948: Gjetën Frrokun, Markun dhe Zefin. Të vjen të thërrasësh: “Shekspir, ku je? Shekulli modern, XX, nuk është më pak i ‘pasur’ në tragjedi se mesjeta jote me mbretër vrastarë. ‘Mbretërit’ sërish vrisnin për fron…”. Doda nuk kishte asnjë titull në krahinë a bajrak, por ishte arketipi i malësorit të paepur, zot në kullën e tij, që nuk e pranonte regjimin e ri, i cili u hakmor mizorisht ndaj tij.

Do të ishte e tepërt një histori më e hollësishme në këto radhë. Kushdo që do të thellohej në të, do të thoshte: Çfarë përgjegjësie për votën dhe për shtetin e së drejtës nga një mirditas, që atë gjest të epërm fisnikërie do ta paguante me gjakun e të bijve dhe çfarë shpërdorimi skandaloz në kohën e sotme kur votat shiten e blihen me lekë, euro, thasë mielli etj. Nëse ai model do të ishte mbajtur parasysh si një “leksion”, ndoshta tjetërsoj do të kishte qenë reflektimi shqiptar para votës. Nuk ishte një kapriçio e çastit, por vetëdija e Dodës dhe e pjesës më të madhe të malësorëve se pushteti që po vinte do të ishte i egër dhe jo human. Vetëm dukun do të kishte demokratik. Klerikët katolikë, njëherësh antifashistë, ua kishin bërë me dije atyre se çfarë kishte ndodhur me stalinizmin në Bashkimin Sovjetik.

Dodë Përvuka nuk ka qenë i vetmi që ka bërë “sakrilegj” kundër votës së Frontit Demokratik asokohe në Mirditë, por dhe bajraktari i Velës, një votus në Kthellë të Epërm, si dhe të tjerë nëpër Shqipëri. Ishin burrat e dheut, mbrujtur me drejtësinë, sipas dokes së tyre të vjetër: “Me ndejt shtrembët e me fol drejt”.

Mirëpo, a ka dalë dikush nga politikanët tanë t’ua thotë këto zyrtarëve të lartë të OSBEODIHR-t? Po Këshillit të Europës e BE-së? Apo Dod Përvuka nuk ka qenë ndonjë politikan i shquar, që të jetë “i denjë” për institucione kaq të mëdha të demokracisë europiane? Nëse Dodë Përvuka do t’u ishte treguar atyre, në shqip, anglisht, gjermanisht etj., ata do të na kishin marrë më seriozisht, pasi do të gjykonin se ndër ne paskësh pasur njerëz që votën e kishin të shenjtë dhe jo bixhoz. Ne kemi pasur një grup deputetësh opozitarë në atë kohë, nacionalistë që shkuan në plumb, por “deputet” antikomunist në rrethinën e tij ka qenë dhe Doda ynë, ani se pa mandat zyrtar.

Nëse Dodë Përvukën nuk e kemi thirrur deri tash në skenën zgjedhore, si udhërrëfyes të dinjitetit në votime, është koha tani ta evokojmë shembullin e tij, kur pas disa muajsh kemi zgjedhjet e përgjithshme për në Kuvendin e Shqipërisë. Se si mundet që Dodë Përvukat e maleve dhe intelektualët idealistë të qyteteve tona ta shkonin nëpër mend se do të vinte një kohë, në shekullin XXI, ku vendi do të mbillej me drogë dhe me paratë e saj do të bliheshin vota?!… E pra, soj i tyre, ani se simbole të qëndresës morale antikomuniste, vijojnë me qenë “anonimë”, nuk është shkruar për ta nëpër libra historie e monografi, nuk ka për ta dokumentarë televizivë, afishe në muzeume, aq më pak dekorata. E shumta, ata mund të kenë dalë aty-këtu në faqe gazetash, pasi shtypi është gjithnjë i ndjeshëm ndaj historive e shpesh gjëmave të tyre njerëzore, ku në rastin e Dodë Përvukës kanë shkruar publicistët Gjergj Marku e Aleks Ndoja.

Qëndresa morale ka qenë jo thjesht një virtyt i shqiptarëve, por flamuri i indipedencës së tyre. Nëse kthehemi sërish në Shëmri, njëzet vite më vonë, Gjin Zef Gjeta, një banor i atyshëm, pasi kolektivizimi i mori gjënë e gjallë dhe tokën e trashëguar, ditën që do të lëroheshin ish-arat e tij nga kooperativa, u ul para hullisë së qeve dhe nuk pranoi të ngrihej, i bindur se kolektivizmi do t’i varfëronte njerëzit. Kurse Gjin Vorfi në Gëziq, në shenja revolte ndaj kooperativës, do të shkonte deri në vetësakrifikim të jetës.

Qëndresa morale është me e fortë se ajo me armë në male, pasi jo vetëm nuk derdhi gjak, por zgjati gjatë gjithë regjimit komunist. Kohët që do të vijnë do ta bëjnë këtë lexim të munguar të historisë sonë, puna është ta “lexojmë” ne sot, jo aq për të vënë në piedestal Dodë Përvukën me shokë, por për të ndërruar sjelljen tonë ndaj votimit dhe zgjedhjeve të korruptuara. Duke sjellë në vëmendje këtë model të qëndresës sonë morale të së shkuarës, askush nuk thotë të mos mësojmë nga manualet e demokracisë zgjedhore të Europës moderne, e cila nuk ka qenë shpërfillëse e traditës së vet parlamentare, edhe kur bëhej fjalë për një votë.

Fisnikët, që, “kur hidheshin themelet”, i hodhën kokrrat në kutinë e armikut, (që për ata nuk ishte i atillë!), na kanë lënë një mësim të madh moral, politik e juridik…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura