“Do të jap dorëheqjet nëse konfirmohen akt-akuza”- Paralajmëron Thaçi dhe ngre dyshime për sabotim të takimit në Shtëpinë e Bardhë: Ajo komunikatë hodhi në erë…

Jun 29, 2020 | 20:26
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohen akuzat e ngritura nga prokurori pranë Gjykatës Speciale në Hagë, ku ai bashkë me Kadri Veselin akuzohen për krime lufte.

thaci

Në fjalimin e mbajtur pasditen e kësaj të hëne i paralajmëruar tri ditë më parë, Thaçi tha se ditët në vijim do të zhvillonte konsultime me liderët politikë në vend.

Ai e konsideroi sabotim publikimin e akuzave ditën kur ishte nisur për në Shtëpinë e Bardhë, ku të shtunën e shkuar ishte paralajmëruar një takim i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes midis Kosovës dhe Serbisë dhe ku i pranishëm do të ishte edhe presidenti amerikan Donald Trump, krahas drejtuesve shtetërorë të dy shteteve.

Pjesë nga deklarata e Thaçit: Nuk e di a ishte rastësi, apo intrigë që në mes të rrugës drejtë Shtëpisë së Bardhë doli njoftimi për një akt akuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit i paguar për lirinë e Kosovës.

Rrugën ma prenë, por nuk ma cenojmë besimin dhe vlerat që përfaqësojnë SHBA për mua dhe qytetaret e Kosovës, ajo është shtëpia e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Në praktikën e demokracisë, lajmërimi i një akt akuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.

Asnjë qëllim i mirë, asnjë vullnet i madh për drejtësi nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e Shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje  e rrufeshme? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën dhe vendin e duhur. Ndërsa përgjigja e shkurtër është se ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësi takimin rëndësishëm në shtëpinë e Bardhë.  

Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshëm. Me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe do ta mbroj veten dhe luftën tonë për liri. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura