“Do të djegim ty dhe familjen tënde”, gjyqtari i Korçës denoncon kërcënimin: Pronat tona nuk na i merrni dot

Sep 9, 2018 | 10:05
SHPËRNDAJE

Kërcënohet me jetë gjyqtari i Gjykatës së Korçës pas një vendimi të dhënë prej tij disa kohë më parë për çështje pronash. Lajmi konfirmohet nga Policia e këtij qarku, ku gjyqtari i Shkallës së Parë, Besnik Shehu, ka denoncuar dy kërcënuesit e tij, shtetasit Emin Myrtollari dhe Muhamet Hoxha.

Besnik Shehu
Besnik Shehu

Siç mësohet, Myrtollari ka qenë palë në procesin gjyqësor, ndërsa Hoxha dyshohet se ditën e djeshme ka qenë në mbështetje të mikut të tij. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në një vend publik dhe menjëherë pas kësaj, vetë gjyqtari i është drejtuar Policisë duke deklaruar se ishte kërcënuar ai vetë dhe familja e tij.

“Do të të vrasim. Do të djegim ty dhe familjen tënde. Ke bërë gabim me vendimin që ke dhënë. Pronat tona nuk na i merrni dot. Do pendohesh”. Këto janë kërcënimet e dy personave, të cilët Policia i ka shoqëruar dhe po i merr në pyetje. Sipas deponimit të dhënë nga gjyqtari Shehu, ai po pinte një kafe në orët e mëngjesit, kur dy personat janë afruar dhe e kanë kërcënuar në lidhje me çështjen që kanë pasur me të. Mësohet se paditës i kësaj çështjeje ka qenë shtetasi A. Qeraxhi, i cili në objektin e padisë kërkonte anulim të vendimit të komisionit, për shkak se tokat e tij i kishin zënë Myrtollarët. Ndërkaq, Prefektura e Qarkut Korçë ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të akteve të marrjes të pronësisë.

Gjyqtari i Shkallës së Parë ka dhënë vendim duke anuluar aktet për fshatin Porodinë, ku edhe ndodhen pronat. Tashmë është bërë edhe gjykimi në apel dhe vendimi i Shkallës së Parë ka mbetur në fuqi. Çështja ndërmjet palëve ndërgjygjëse për pronat është në Gjykatën e Lartë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura