Dita e Verës, festë parake e njeriut parak

Mar 14, 2016 | 11:43
SHPËRNDAJE

sazan-guriNGA SAZAN GURI

Dita e verës për shumë- kush duket si një ditë thjesht pagane, për rininë e sotme duket si një ditë plot  diell që e lexojnë dhe e mësojnë përmendësh nga ekranet e televizorëve, për ca ateistë, duke qenë se kjo ditë paskësh qenë me origjinë parakristiane, vlerësohet si një ditë koti, ndaj dhe e hoqën gjatë regjimit totalitar, por që në fakt ajo është më tepër se kaq. Me të vërtetë është festë e primatëve europianë pagane, të cilët kurrë nuk janë rrekur të sajojnë ndonjë gjë kot së koti.

Por të mbështetur në dije të vërteta shkencore apo në njohje të thella të gjithësisë, ata kanë krijuar ditë e festa me kuptim sa mistik, sa shkencor, aq dhe ligjësor e natyror. Për ne shqiptarët e sotëm, ruajtja e kësaj dite/date përbën memorien apo “hardisk”-un e një kombi, që jo pak syresh na zbresin diku aty nga fundi i shekullit XIX, ka që e çojnë aty njësh me sllavët e ardhur nga shekulli VI, mezi ca të tjerë e zbresin kinse me ilirët e me gjysmë zëri, sikur bëjnë turp e faj, e thonë, por që në vërtetë është kjo kujtesë e popullit të Elbasanit, Librazhdit, Strugës, Dishnicës etj., që na lidh me të kaluarën e largët e të përhumbur të vazhdimësisë, me atë jo vetëm ilire, por më së tepërmi me atë pellazge. Dihet që emrat e muajve, ditëve, planetëve në botë, sot thirren, ashtu të shpikur po nga këta popuj paganë apo pellazgë, që pa një pa dy historia e shkruajtur nga të fortët e zanafillojnë me grekët apo me latinët e disa shekujve para Krishtit. Pyetja është e thjeshtë. Popujt, që kanë pasë jetuar para tyre, madje para egjiptianëve, para babilonasve e para shumerëve punonin, mbillnin, jepnin e merrnin me kafshët e tyre të punës, me produktet bujqësore, me se merreshin vesh?

Me tinguj, jo! Me pasthirrma, jo se jo! Apo me prapathirrma?! Shikoni se sa me kuptim thirreshin emrat e muajve të para shoqërive greko-romake. Janari-kallnuari (nga ngricat, kështu thirret ende ky muaj, sot në veri), shkurt-i – frori, far uari – february (nga hedhja e farës së drithërave që mbahej familja), marsi-mbar (që të ishte mbarë jeta e re apo viti i ri, ndaj dhe 1 marsi ishte asokohe dita e vitit të ri), prilli – prin (muaj që prin vitin), maj-i – i majmur, i madh, (nga dita e madhe), qershori nga çelja e qershive, (frutës së parë të vitit, por edhe nga kur-shi, si muaj që bie shi), korriku – nga të korrurat (e drithërave), gushti – ngushtohet dita, guna, (edhe nga thatësira, dushku, ku fshatarët mbledhin dushqe për dimër), shtatori, tetori e nëntori quheshin vjelja e parë, e dytë dhe e tretë deri pak para disa dekadash, vonë-vonë thirret vjeshta nga vjelja, por ndryshe quhen edhe britmi i parë – shtatori, britmi i dytë – tetori, dhe nëntori quhej brumori, ku zinte bruma dhe dhjetori quhej dimnori-ditë të mënuara. Pra, ky popull fantastik iu dha emra muajsh gjuhëve ndërkombëtare, si Janarin, Shkurtin, Marsin, Prillin, Majin, mori ca nga këto gjuhë, si Shtatorin, Tetorin, Nëntorin e Dhjetorin, por mbajti dhe të vetat, si Qershorin, Korrikun, Gushtin, për t’ju treguar – dhashë, mora, lashë.

Për t’ju treguar që kur unë hidhja farën me ligje astronomike, hënore, ti shumeras, babilonas, egjiptian, grek e romak, ose s’kishit le, ose ishit në shpella, pa ju ardhur epoka ime. Po edhe muajt shtator, tetor, nëntor e dhjetor janë me kuptim shqip dhe sipas kalendarit pellazg, sepse kalendari për këtë popull fillon me Marsgegënisht vit i m(b)arë. Ky kalendar nuk është thjesht në memorie te malësorët e Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Mirditës etj., por ende përdoret te njerëzit e fundit ndër ta sot.

Le të kthehemi te dita e verës. Në Ditën e Verës (1 Mars sipas kalendarit pellazg), shqiptarët e riteve të ndryshme fetare shkonin herët në mëngjes në majat e larta të maleve të tyre për të përshëndetur lindjen e Diellit, i cili në antikitetin e largët adhurohej nga ilirët e pellazgët si Perëndia e tyre e lashtë. Po ashtu, dita e Shën Gjergjit (23 prill) kremtohej me panaire blegtorale nga shqiptarët e të gjitha riteve bashkërisht, jo si adhurim për Shën Gjergjin, por si kult që shënonte fillimin e “vitit veror”, më saktë shtegtimin e bagëtive në kullotat malore.

Edhe Shën Mitri (23 tetor) kremtohej, jo si adhurim fetar për Shën Dhimitrin, por si kult për fillimin e “vitit dimëror”, më saktë shtegtimin e tufave nga kullotat verore në ato dimërore (në veri). I vetmi popull që e kremton me të njëjtin emër si atëherë, pra, stina me emër – vera, është thirrur para se romakët të thërrisnin stinën e pranverës “prima vera”, sepse fjala “prima” vjen prapë nga “prin” e shqipes dhe vera, tipikisht nga fjala verë për stinë të shqipes, sepse ata i thonë “estate” kësaj stine. Kështu që dita e verës është dita më e lashtë e motmotit shqiptar. Kjo festë e cilësuar më 14 mars, si ditë e tillë fillon me ditën e parë të Marsit dhe mbaron deri në ditën e solsticit pranveror më 22 mars. 1 Marsi simbolizon ditën e parë të vitit, sipas llogaritjeve astronomike të pellazgëve apo njerëzve para hënor ose pasatlantik, siç i quante Naimi. Shikoni se sa me kuptim është zgjedhur ky muaj dhe kjo ditë si kryedita e vitit.

Pikërisht, në këtë muaj e këto ditë para 14 marsit, fillon zgjimi i farërave të hedhura në shkurt, fillon zgjimi nga përgjumja letargjike e kafshëve të dimrit, fillon ndërrimi i gjakut të njerëzve nga njëfarë mpiksjeje e muajve të kallnurit apo dimnit (dimën-ditë të mënuara-ditë të mërzitura). Java e parë e marsit fillon me përgatitjet, si për shembull, në mëngjeset e këtyre ditëve, njerëzit dhe kafshët e shtëpisë qëlloheshin e rriheshin me degë qershie apo me degë thane për të ripërtëritur trupin, pra, që gjaku të dalë nga gjendja e të qenët paksa viskoz që njeriut i duhet për të përballuar dimrin. Fëmijëve iu lidhen në krahë apo në dorë peri i Marsit apo verorja, apo një tringjyrëshe për t’i mbrojtur nga sëmundjet e diellit, pra, për t’u kujtuar atyre (në rolin e doktorit natyrë) se tashmë e tutje kujdes diellin. Këto ditë trupi lahej, duke nxjerrë yndyrat dhe helmet e veta, ndaj dhe viheshin veroret, të cilat simbolizonin kësisoj pastërtinë dhe shëndetin. Peri i Marsit nuk duhej të hiqej deri ditën e solsticit pranveror të kohëve pagane, ose të Shëngjergjit të kohëve të pas Krishtit apo deri ditën e Novruzit të kohëve pas Islamizmit.

Kësodore, festat e pas Krishtit paskëshin qenë shpikur njëherë, si 25 dhjetori, 6 janari, 14 marsi, thjesht ndërruan të zonë – nga festa pagane në festa fetare, por që të gjitha kanë për bazë rregullin natyror që nuk është shpikur me grekët e me latinët, e as me egjiptianët e sumerët, por me atë popull që erdhi pas Atlantidës, prej larg (pellazg), pas ciklit akullnajor 23,000 vjet para Krishtit. Madje, i madhi Naim dhe tanë rilindja thotë për këtë popull se ka lind para Hënës. Në kuptimin se kur ky popull filloi të mendonte për gjëmat e natyrës, si për ciklin akullnajor, përmbytjen e madhe, ata, aty nga mijëvjeçari i dhjetë, zbuluan rolin e Hënës në këto procese, ku sot në shkencat gjeologjike, ky proces ndikues i Hënës në tokë është më se i vërtetuar. Le të kthehemi gjene te dita e verës. Siç thamë më lart, java e dytë e marsit, pra, java para 14 marsit, ose e thënë si atëherë “Të afruanit e verës” mbart detyra të tjera përgatitore.

Shtëpitë lyheshin me gëlqere, për të thënë se iku mugëtira, grija, errësira dhe hyri dita, drita, dielli. Vezët lyheshin me fletë qepe, (kujtoni ditët e Pashkëve që bëjnë të lyejmë vezët me të kuqe), fëmijët gostiteshin me ara, bajame etj. Gratë dilnin në lëndinat e sapolulë- zuara, e mblidhnin 14 lloje lakrash të egra dhe gatuanin byrek e kulaçe, ku vihej një monedhë leku dhe të gjithë shtyheshin e nguteshin kush e gjente, aq sa krijohej hareja për ditët e para e të mbara të vitit, dhe se atij që i binte quhej njeri me fat. Këto skena, sikundër shumë vërsnik të tjerë, autori i ka shijuar e ndijuar si të papërsëritshme, ku ky brez, sot, gjynah që nuk arrin t’i prekë dot.

Lakra e lakrori gatuhej me miell misri, për t’i bërë një “dush” të mirë sistemit të zorrëve të lodhura me yndyrat e dimrit. Zojat merrnin lule thane, lule kumbulle, lule pjeshke dhe i vendosnin te dera e shtëpisë, ndërkohë që te pragu i shtëpisë vendosnin një plis të thatë bari për fat e m(b)arësi, si për të thënë se si lule do të jetë jeta jonë, dhe si për t’i dhënë fjalën natyrës e mjedisit se si ky plis bari do të mbajmë. Ai që ngrihej i pari ditën e verës, shiste gjumin e dimrit dhe i thoshte me humor e shaka vëllait, motrës apo mikut se të kam shitur gjumin e dimrit, ose nxitonte të mbushte ujë i pari, çka mendohej se merrte fat e mbarësi. Mëmat e shtëpisë zienin vezë, me ujin e të cilave lahej fytyra e pjesëtarëve të familjes, duke e forcuar atë me vitaminë kalcium për të përballuar diellin.

Pra, dita e verës, ditë vetëm e popullit para hënor, para europian, para ilir, para helen, para romak, ditë unikale, emblemë e popullit shqiptar. Madje, aktori i madh Astrit Çerma e tregon thjesht dhe ambël si një ballakume Elbasani ardhjen e ditës së verës. Në anët e Elbasanit – thotë ai – deri tash vonë tregohej se “e Bukura e Dheut”, me një qerre të artë tërhequr nga Zogjtë e Qiellit çdo vit, dy javë para marsit, zbriste andej lart nga Çerma e Nikajve (Çermenika) dhe vinte që të “trembte” acarin e shkurtit për të gëlu jeshillëkun, për të lulëzuar lulen dhe për të rinuar gjethen. Kudo ku shkelte kama e së Bukurës së Dheut ledhatohej nga menekshet dhe karakaftet që përpara saj i “hardhonin” në tokë Zogjtë e Qiellit. Për të pritur të Bukurën e Dheut dhe Zogjtë e Qiellit, njerëzit vishnin rrobat më të reja dhe më të bukura, vendosnin në kyçin e dorës verore bërë nga fije shumëngjyrëshe lini ose pambuku, hapnin sepetet prej dru lisi, nxirrnin zairet të ruajtura nga viti i shkumë, pala fiku, arra, lajthi, mollë e ftonj të thatë e të tjera dhe ia falnin.

Ndërsa për Zogjtë e Qiellit gatuanin një lloj ambëlsine, të thatë, pa sherbet. Kjo lloj ambëlsine duhej të shkërmoqej thërrime-thërrime dhe të vendosej në pllaka guri e vende të thatë që Zogjtë e Qiellit ta çukisnin. Thërrimet e saj nuk duhej të binin përdhe, sepse “ishte gjynaf”. Zogjtë e Qiellit mund të “idhnoheshin” dhe mund të mos e binin siç duhet erën luleve dhe jeshillëkun e barit… Kjo rrëfenjë e vjetër, si edhe shumë rrëfenja të tjera, kanë të bëjnë me simbolin e festës së Ditës së Verës, ballakumet. Por është një ambëlsinë në Elbasan që quhet FULI. Është një ëmbëlsirë “e thatë” pa sherbet. Një ëmbëlsirë me disa karakteristika tepër të veçanta, si ëmbëlsirë vetëm e qytetit të Elbasanit dhe e askujt tjetër, ku çuditërisht nuk lidhet as me rrethinat pranë të Elbasanit.

Gatuhet me miell gruri, me vaj ulliri dhe tlynë, (thonë edhe me miell thekre). Bëhet si ëmbëlsirë vetëm kur lind fëmija ose në përvjetorë lindjesh dhe në asnjë gëzim tjetër. Pra, ka të bëjë me “lindjen”, me ripërtëritjen dhe me vazhdimin. Veçori tjetër është, kur hahet kjo ëmbëlsirë, nuk duhet që asnjë thërrime të bjerë në tokë se është gjynah (kujto Zogjtë e Qiellit). E fundit veçori është se hahet me dorë. Kësisoj, “Dita e Verës” është Dita më paqë- sore, më paqësorja, sepse ajo vjen nga larg, thellë nga fëmijëria e shoqërisë njerëzore. Vjen ashtu, siç vjen gjithmonë fëmijëria: Me lodra dhe lojëra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura