Dimensionet e dështimit të Greqisë përballë FMN-së

Jul 4, 2015 | 11:35
SHPËRNDAJE

PLARENT RUKA

   Mospagimi nga ana e Greqisë i këstit 1.6 miliard euro ndaj FMN-së e bën Greqinë vendin e parë perëndimor që bie në nivelet e shteteve të dështuara, si Zimbabve apo Somalia, ku shkelje të tilla të detyrimeve ndërkombëtare janë një hiç kundrejt teatrit tragjik të konflikteve sociale dhe varfërisë së tejskajshme. Sigurisht, Greqia nuk mund të krahasohet me këto vende.  Gjithsesi, fakti që politikanët grekë, të cilët kanë për detyrë të ruajnë reputacionin e vendit, si dhe të garantojnë prosperitetin e brendshëm dhe të jashtëm të tij social, ekonomik e më gjerë, dëshmon seriozitetin e situatës ekonomike dhe financiare të këtij vendi, si dhe dështimin e klasës politike për ta udhëhequr Greqinë drejt daljes së krizës. Po cilat janë dimensionet politike të këtij dështimi, dhe a ka domethënie ky zhvillim për interesat shqiptare?
* * *
Së pari, mosgjetja e burimeve për të paguar një këst gati 10 herë më të vogël se sa përfitimi që do të kishte Greqia po ta paguante atë, përbën në rastin më të mirë një dëshmi të kolapsit buxhetor të Greqisë, për të mos thënë një veprim arbitrar të udhëheqësve politikë për të çuar pragmatizmin e tyre aventuresk në skajet më ekstreme. Nëse do të ishte argumenti i parë i vërtetë, atëherë politikanët duhet të tregonin më tepër përgjegjshmëri në tavolinën e negociatave, dhe të shmangnin këtë kolaps. Ata kanë pasur të paktën pesë muaj në dispozicion për të shmangur këtë kolaps, që kur Syriza erdhi në pushtet e mandatuar për të nxjerrë vendin nga kriza. Nëse është argumenti i dytë i vërtetë, atëherë ky është vetëm fillimi i një procesi zinxhir që vjen nga kjo papërgjegjshmëri. Kjo sjellje mund të dëshmojë realpolitikën e klasës politike greke që është në fuqi, dhe faktin që ajo çmon më tepër përfitimet afatshkurtra kundrejt ruajtjes së reputacionit në negociatat e ardhshme. Në fakt, mosshlyerja e detyrimit lehtëson virtualisht barrën në terma afatshkurtër, pasi e shtyn atë për një moment tjetër më të favorshëm. Tashmë, asnjë institucion i përgjegjshëm nuk ndjen ndonjë detyrim për të negociuar paketë ndihme me Greqinë. Megjithatë, është fakt se kreditorët nuk e kanë mbyllur derën për këto negociata.
* * *
Së dyti, drejtuesit e shtetit grek kanë thirrur një referendum për të pyetur popullin nëse i miraton kushtet e kreditorëve apo jo. Me këtë lëvizje duket se Athina nuk heq dorë nga Kali i Trojës. Jo më kot liderët europianë ndihen të fyer dhe të tradhtuar nga ky propozim. Jo se ata janë kundër referendumeve, si mjete të demokracisë së drejtpërdrejtë. Por sepse ky referendum, me këshillimin e qartë të qeverisë greke për të refuzuar masat, do të justifikojë kursin e saj antieuropian. Kjo qeveri ka premtuar “çudira”, dhe populli e ka mandatuar atë për t’i bërë ato realitet. Tani që “çudirat” po kthehen në makth për popullin, qeveria hedh tezën e referendumit si mjet legjitimimi të diletantizmit të saj. Në të vërtetë, kësaj qeverie nuk i mungon legjitimimi për të negociuar kushtet e ndihmës me kreditorët. Përkundrazi, ajo shet tezën e demokracisë për të justifikuar pamundësinë e mbajtjes së premtimeve ëndërrimtare. Vlen të theksohet se kjo qeveri kërkon t’ua atribuojë dështimet shumëvjeçare të qeverive greke kreditorëve, ndërkohë që është Greqia që ka rendur pas tyre pasi tregjet financiare i kanë mbyllur derën. Këtë udhëheqësit europianë nuk e kapërdijnë lehtë. Ata e njohin dhe e respektojnë demokracinë më mirë se ata që pretendohet se e kanë shpikur atë. Dhe pikërisht për këtë shkak, ata presin përgjegjshmëri dhe realizëm prej politikës greke, që të sigurojë stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
 * * *
Së treti, FMN-ja trajtohet rëndom me përçmim prej politikanëve grekë. Kanë pjesërisht të drejtë, pasi asnjë qeveri e përgjegjshme nuk do të preferonte të kufizonte autonominë e vendimmarrjes nëpërmjet kushteve të FMN-së. Marrëdhënia me FMN-në dihet që e kufizon qeverinë në politikat e saj ekonomike dhe monetare. Megjithatë, ky institucion i kompenson disa disavantazhe të shkaktuara prej tregjeve financiare, duke ofruar kredi me kushte të favorshme. Nga ana tjetër, është fakt i njohur që qeveritë e dobëta i kanë përzemër marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare, për të justifikuar disa lloj masash ekonomike që nuk gëzojnë popullaritet, por që mund të marrin bekimin e teknokratëve ndërkombëtarë. A e bën kjo qeverinë greke të fortë? Përkundrazi, ky qëndrim e vendos qeverinë greke në një situatë komike, duke qenë se nga njëra anë u kërkon kreditorëve të mos i vendosin kushte të rënda për huat, dhe nga ana tjetër u kërkon hua, edhe pse është e ndërgjegjshme që FMN-ja nuk mund të ndryshojë politikën dhe filozofinë e vet të funksionimit për hir të Greqisë. Në çdo rast, mospagimi i këstit të radhës tregon se politikanët grekë po luajnë me zjarrin, pasi e futën tashmë vendin në listën e zezë.
* * *
Së katërti, pyetja që lind është se kush do t’i japë hua tani Greqisë? Nëse loja me falimentimin e shtetit mund të shihet si zgjidhje, atëherë politikanët gabohen rëndë. Falimentimi nuk është një instrument për të filluar qeverisjen nga e para. Ai nuk e legjitimon shtetin për të ndërruar fytyrën e tij. Ndërsa mosshlyerja e detyrimeve të fut në listën e zezë, shpallja e falimentit e shkatërron reputacionin e vendit për një kohë të gjatë. Nëse politikanët grekë mendojnë të ndërrojnë kursin e orientimit gjeopolitik për të përballuar krizën, atëherë ata po u bëjnë shërbimin më të keq brezave të ardhshëm dhe tregojnë se nuk e kanë merituar në asnjë rast privilegjin e anëtarësimit në BE.
* * *  
Së fundi, po për interesat shqiptare, çfarë ndikimi do të kenë këto zhvillime politike në vendin fqinj? Për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi, këto mesazhe janë një ogur jo i mirë. Sigurisht, Shqipëria nuk pritet të shoqërojë Greqinë në rrugën e saj, por ajo nuk mund të shpëtojë pa u ndikuar, për sa kohë ekonomitë tona janë në njëfarë mase të ndërlidhura. Asnjë shqiptar nuk mund të “fërkojë duart” nga kjo situatë, për sa kohë që Shqipëria ka përfituar prej remitancave greke gjatë viteve më të vështira të tranzicionit. Sigurisht, marrëdhëniet greko-shqiptare janë komplekse dhe kanë dritëhije të theksuara, sikurse shumica e fqinjëve në botë. Por kjo që po i ndodh vendit fqinj nuk është rast për t’u krenuar, për sa kohë që viktimat e vërteta të këtij tërmeti ekonomiko-financiar janë qytetarët e thjeshtë, të cilët pak mundësi kanë të korrektojnë në këtë amulli papërgjegjshmërinë politike të qeverisë së tyre. Qeveria shqiptare mund të përballet me një kthim vullnetar të emigrantëve shqiptarë, dhe ky fenomen duhet të shfrytëzohet pozitivisht, duke kapitalizuar në ekonomi burimet, përvojën dhe njohuritë që sjellin këta emigrantë. Përveç solidaritetit, shqiptarët duhet të tregohen të matur për të menaxhuar drejt pasojat e efekteve zinxhir në ekonominë tonë. Ky mund të jetë një rast i përshtatshëm për të ridimensionuar marrëdhëniet ekonomike, shoqërore dhe politike me Greqinë, për t’i vendosur ato në baza të shëndosha për hir të brezave të ardhshëm.
*  Ekspert për të drejtën europiane

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura