Dilema greke

Feb 28, 2015 | 13:33
SHPËRNDAJE

ZENELI & VANN

  Fatmirësisht për të gjithë, qeveria greke dhe ato të Eurozonës arritën një marrëveshje për të shtyrë programin e shpëtimit të Greqisë për katër muaj. Kjo kohëzgjatje do t’u mundësojë të gjitha palëve të praktikojnë mendim kritik dhe strategjik drejt zgjidhjes së kësaj sfide.

Megjithatë, katër muaj janë një periudhë shumë e shkurtër. Nëse nuk menaxhohet me kujdes, kjo zgjatje do të rezultojë si fitorja e Pirros. Pa këtë marrëveshje, Greqia përballej me perspektivën e mbetjes pa para. Financat e vendit po zvogëlohen, duke i shtuar këtu edhe një mesatare prej 2 miliardë eurosh në javë që po fluturojnë nga sistemi bankar vendës jashtë vendit. Gjithsesi, negocimi i suksesshëm i një pakete shpëtuese pa i dhënë vëmendje të barabartë dhe të theksuar adresimit të sfidave strukturore të vendit, do të ishte si të vendosje thjesht një fashë të përkohshme te një plagë.

THYERJE PREMTIMESH
Dilema e parë me të cilën përballet qeveria, është ajo e shmangies së përshtypjes se nuk po u përmbahet premtimeve të fushatës. Megjithatë, në anën pozitive të ekuacionit, implementimi i shumë prej reformave të nevojshme strukturore ka qenë edhe bazë e premtimeve të fushatës së qeverisë aktuale. Lufta ndaj korrupsionit, sigurimi i mbledhjes së taksave, rritja e transparencës së qeverise, reduktimi i burokracisë, lehtësimi i procedurave të të bërit biznes dhe implementimi i shumë reformave të tjera janë kritike për t’i dhënë energji të reja ekonomisë greke.

Këto përfaqësojnë edhe pikat kryesore në të cilat qeveria gjermane- larg prej të qenët e obsesionuar me masat shtrënguese, për të cilat edhe është atakuar- është pothuajse në një linjë me qeverinë e Tsipras. Në mes të një krize, është e lehtë të anashkalohet fakti se qeveria greke ka një mundësi të jashtëzakonshme në duart e saj. Edhe përpara fushatës së fundit, Tsipras, Varoufakis dhe të tjerë, me të drejtë kanë folur për një nevojë urgjente për të ndryshuar modelin ekonomik grek. Kjo krizë i ofron qeverisë një mundësi të mirë për të vënë në jetë ato reforma strukturore, që do të ishin të vështira për t’u implementuar në kushte normale.

KOHA ËSHTË ESENCIALE
Që qeveria greke e njeh nevojën e implementimit të reformave të cilat janë edhe arsyet kryesore për shumë nga problemet e vendit, kjo është një shenjë pozitive, por i duhet të veprojë tashmë. Ekziston një nevojë kritike për një strategji të qartë që të adresojë krizën aktuale. Politikisht, zoti Tsipras mund të japë shumë arsye bindëse se qeveritë e mëparshme greke janë përgjegjëse për këtë lëmsh. Është për shkak të gabimeve të tyre, me dashje apo pa dashje, që borxhi i Greqisë i ka kaluar limitet.
Kjo nuk është për faj të Bashkimit Europian apo bankave të saj. Me kalimin e kohës, qeveria mund të arrijë të plotësojë disa nga premtimet e fushatës, por vetëm duke implementuar një strategji bazë të qartë. Kjo është mundësia e parë dhe e vetme për të thyer “trekëndëshin e hekurt” të partive të vjetra, interesave të biznesit të oligarkëve dhe mediave të tyre. Me këtë si pikënisje, detyra themelore – për të ridrejtuar ndjenjat e krenarisë kombëtare drejt asaj që Greqia duhet të arrijë – është kritike, por krejtësisht e mundshme. Është e arsyeshme dhe e pritshme që ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, do të qëndrojë në krah të Tsipras për t’u siguruar se ky i fundit do te jetë i suksesshëm në misionin e tij.
Nga ana tjetër, ajo të cilën Schauble kundërshton fuqimisht është kthimi te situatat e njëjta të mëparshme: “biznes si gjithmonë” apo tërheqja nga reformat e nisura. Përqendrim te themelorja Qeveria duhet të vendosë si duhet të veprojë që të përmirësojë sfidat strukturore. Komunikimi strategjik i vazhdueshëm duhet të jetë një element kritik i kësaj strategjie. Duke implementuar menjëherë ndryshimet e duhura strukturore për të përmirësuar qeverisjen dhe sundimin e ligjit, qeveria do të nisë procesin e promovimit të konkurrueshmërisë, besimit dhe zhvillimit ekonomik. Këto masa do të çonin në promovimin e besimit të investitorëve edhe jashtë vendit.
Me përmirësimin e rregullave të qeverisjes, komuniteti i biznesit, investitorët dhe sipërmarrësit do të ishin në gjendje të kthenin vëmendjen e tyre ndaj fitimeve të biznesit, në vend të lundrimit në burokracinë qeveritare. Reforma strukturore, si për shembull mbledhja e taksave, kanë nevojë për vëmendje të menjëhershme. Nuk duhet të jesh ekonomist që të kuptosh se evazioni fiskal privon qeverinë nga të ardhurat e duhura për të paguar për programet sociale, pensionet dhe pagat e shërbimit civil – duke përfshirë këtu edhe ata që qeveria ka premtuar se do të ripunësojë.
Mungesa e konkurrueshmërisë së Greqisë është problematike. Renditet e fundit në Bashkimin Europian. Në indeksin europian të “arritjes” “European catch-up index”, Greqia është e prapambetura europiane, duke u kaluar edhe nga të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ajo renditet afër fundit, në vend të 27-të, nga 35 vende të marra në konsideratë. Do të ishte gabim nëse qeveria dhe populli grek do ta shihte dilemën aktuale si një rezultat të borxhit të lartë sovran. Janë deficitet strukturore të Greqisë që kanë shkaktuar krizën e borxhit. Tani është veçse koha për të mos humbur një krizë të mirë.

*Dr. Valbona Zeneli është profesore në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Joseph Vann është profesor i studimeve të sigurisë dhe ish-punonjës i qeverisë së SHBA. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall dhe të qeverive të SHBA dhe Gjermanisë.
* Artikulli është marrë nga “The Globalist”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura