Dhunoi qytetarin se i gërvishti makinën, prokuroria çon në gjyq ‘sherifin’ e Korçës

Apr 25, 2015 | 13:39
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Korçës ka dërguar në gjykatë dosjen në ngarkim të Arben Hysenit, ish-zv.drejtor i Policisë së Qarkut Korçë, që pak kohë më parë dhunoi në rrugë një qytetar, që i gërvishti automjtetin.

Dhunimi i te riut në Korçë nga policia

Prokuroria bën me dije se në dosje janë përfshirë edhe efektivi i policisë, shtetasin Robert Memelli, edhe ai i akuzuar për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, në dëm të shtetasit Tomi Misha.

Po ashtu, edhe ky i fundit është marrë i pandehur për veprën penale të “Drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të policisë…”, ndërsa vëllai i tij, shtetasi Ernest Misha akuzohet për “Kundërshtim i forcave të rendit publik…”.

Ngjarja për të cilën janë marrë të pandehur këta persona ka ndodhur në datë 20 shkurt 2015, kur shtetasi Tomi Misha ka goditur me automjetin e tij, mjetin në të cilën gjendej zv.drejtori i Policisë së Qarkut Korçë, shtetasi Arben Hyseni.

Pas goditjes së mjeteve, efektivi i Policisë Memelli, në prani të zv.drejtorit, ka goditur shtetasin Misha. Vëllai i Tomi Misha, në përpjekje për të ndihmuar vëllain, ka goditur efektivin e policisë Memelli dhe më pas është larguar.

“Shtetasi Tomi Misha, i cili pas analizave, ka rezultuar se ka konsumuar alkool mbi normën e lejuar për drejtim automjeti, është shoqëruar pas incidentit në komisariatin e Policisë, ku janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuar në prova se aty është goditur nga shtetasi Arben Hyseni, i cili, për shkak të funksionit të tij, ka pasur lehtësi të hyjë në ambjentet e komisariatit të Policisë Korçë’-thuhet në dosjen e akuzës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura