Dha leje për hotel, pezullohet nga detyra Shefi i Urbanistikës në Durrës

Mar 13, 2018 | 14:53
SHPËRNDAJE

Është pezulluar nga detyra shefi i Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Adhurim Qehajaj. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me lejen për ndërtimin e një hoteli në zonën e Urës së Dajlanit.

Vendimin për pezullimin e tij e ka marrë gjykata pas kërkesës së Prokurorisë së Durrësit.

Sipas hetimeve, ka rezultuar se Qehajaj si shef i Urbanistikës dhe zhvillimit të territorit në Bashkinë e Durrësit është i përfshirë në dhënien e lejes për objektin në një zonë të rëndësisë së veçantë, ku është i ndaluar ndërtimi.

Njoftim mbi një hetim të Prokurorisë së Durrësit

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për të vendosur caktim të masës së sigurimit me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të detyrës” së Drejtorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, për shtetasin Adhurim Qehajaj, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.02.2007) parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Kërkesa e mësipërme vjen pas hetimit mbi dhënien e një lejeje zhvillimi dhe ndërtimi nga Bashkia Durrës për objektin në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi që ndodhet ndërmjet rrugës Kombëtare tek “Ura e Dajlanit”  dhe bregut të Detit.

Prokuroria arriti në përfundimin se leja e dhënë nga Bashkia Durrës është në kundërshtim me kriteret e ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” i ndryshuar, dhe VKM nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” i ndryshuar.

Objekti me sipërfaqe 1516.8 m2 ndodhet brenda kufirit kufizues të përcaktuar si Zonë me Rëndësi Kombëtare, në pjesën e Brezit Bregdetar.

Gjithashtu Gjykata në Durrës vendosi caktimin e  masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive në lidhje me objektin dhe truallin duke urdhëruar:

-Pezullimin e kryerjes së mëtejshme të punimeve të ndërtimit në objektin “Hotel 5-6 kate dhe 1 kat nëntokë” në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi, lagje nr. 13, Plazh, Durrës.

-Pezullimi i kryerjes së transaksioneve në pasurisë në pronësi të shtetasit Ndriçim Domi.

Prokuroria saktësoi se leja e zhvillimit dhe ndërtimit është dhënë për një zonë të përcaktuar si të Rëndësisë Kombëtare dhe është Këshilli Kombëtar i Territorit organ kompetent përgjegjës për të miratuar lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për zona të rëndësisë kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura