Detajet/ Si e festoi PS-ja 27 vjetorin, mungesat që ranë në sy. Rama: Më mirë se ne s’keni parë

Jun 13, 2018 | 11:08
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI / Socialistët festuan dje 27-vjetorin e krijimit të partisë së tyre. Festimet u zhvilluan njëkohësisht në të 61 bashkitë e vendit, ndërsa në Tiranë, ceremonia festive u zhvillua në oborrin e Muzeut Kombëtar.

ps festa

Mungoi në këtë ceremoni kreu i saj, Edi Rama, i cili ishte në Durrës me ministrat e tij në turin llogaridhënës. Ra në sy mungesa e disa figurave të vjetra të kësaj partie, si Servet Pëllumbi, i cili ka qenë gjithmonë prezent në çdo përvjetor, Namik Dokle, Arta Dade etj.. Mungesa u panë dhe nga partitë parlamentare, PD apo LSI, të cilat kanë marrë pjesë zakonisht me përfaqësuesit e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, tha se PSja është forca që po e çon vendin drejt integrimit europian. “Sot, 27 vite më vonë, Partia Socialiste është krenare që mbetet luftëtarja kryesore për integrimin europian të Shqipërisë. Sot beteja jonë është: të shtrojmë rrugën finale drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e bërë Shqipërinë pjesë reale të Europës. Po përse duhet jenë krenarë socialistët shqiptarë sot? Çdo socialist është krenar para qytetarëve shqiptarë, si kontribuues i madh i modernizmit të Shqipërisë”, tha Balla. Socialistët, sipas kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, transformuan kryeqytetin.

“Socialistët shqiptarë janë krenarë që kanë transformuar çdo qytet të Shqipërisë, çdo qendër të madhe urbane të saj, duke e rilindur dhe duke e bërë Shqipërinë të jetueshme në çdo skaj të saj. Socialistët shqiptarë janë po aq krenarë që me rikthimin tonë në krye të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti i cili rrezikonte të asfiksohej nën “gërhimat e gjumit” të Lulzim Bashës, sot po kthehet në destinacionet kryesore europiane të turizmit me imazhin e një qyteti modern”, tha Balla.

Kryetarja e PS-së së Tiranës, Blerina Gjylameti, vlerësoi betejat e kësaj strukture për zgjedhjet e 2017-s apo dhe ato për Bashkinë e Tiranës. Ceremoninë e djeshme në oborrin e Muzeut Kombëtar e hapi kryetari i parë i PS-së së Tiranës më 1991, Halil Lalaj, dhe tregoi arsyet e transformimit të PPSH-së në parti Socialiste.

“Tanimë, në 27 vjet, mund t thuash me plot gojën se Partia Socialiste është parti me histori. Na u desh të zgjohemi në 1991 dhe u zgjuam, u bëmë bashkë për veten tonë, për fëmijët tanë, për ata me të cilët ndanim halle të përbashkëta. Në Shqipëri, 160 mijë anëtarë të Partisë së Punës, 11 mijë në Tiranë dhe qindra- mijëra të tjerë, njerëz të thjeshtë, të lidhur me atë sistem, nuk mund të liheshin pa alternativë. Prandaj u zgjodh deviza jetëgjatë e socialdemokracisë, e cila na bashkoi dhe na bëri fitues”, u shpreh Lalaj. Ai kërkoi që debati të mos shuhet në PS.

“Një opinion përtej pensionistësh, sugjeron që debati i brendshëm në parti të mos mbetej në “na ishte një herë..”. Me dijen që partia është një organizëm i gjallë, me vetëdijen se kundërshtari i sotëm më i egër nuk është Berisha e aq më pak Basha, se kundërshtari i sotëm më i egër është vetvetja, me dëshirën për të qenë fitimtarë mbi çdo të keqe, ngado që të vijë, e mbyll këtë fjalë duke u uruar të gjithëve gëzuar festën e familjes sonë të përbashkët”, u shpreh Lalaj.

RAMA 

Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht Kryeministër i vendit, Edi Rama, uroi socialistët për 27-vjetorin e krijimit të partisë. Gjatë një takimi llogaridhënës me qytetarët në Durrës, Rama tha se Partia Socialiste ka rezultuar më e mira në vend. “Me të gjithë respektin për të gjithë ata që janë këtu si qytetarë nga rrugët e tjera të jetës, atyre që janë këtu edhe si pjesë e familjes sonë politike, Partisë Socialiste, dua t’ju uroj 27-vjetorin e Partisë Socialiste. Të tjerëve që janë këtu dhe s’janë bërë akoma pjesë dhe mendojnë që janë më mirë diku tjetër, i them më mirë se te ne nuk ka. S’jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë akoma”, tha kreu i Partisë Socialiste. Gjatë paradites, Rama uroi gjithë socialistët për festën e krijimit të partisë së tyre me një pikturë të tij me simbolet e socialistëve.

ps festa ps ps1 ps2 ps3 ps4 ps5 ps6 ps7 ps8 ps9 ps10 ps11 ps12 ps13 ps14

Urimi i Rames foto e dites rama PS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura