Dështimi me sportin, si qeveria dhe FSHF-ja po e çojnë futbollin drejt greminës

Apr 12, 2022 | 8:13
SHPËRNDAJE

Situata aktuale në futbollin shqiptar vërtetoi edhe një herë se qeveria dhe federata kanë dështuar me këtë sport. Dhe problemi më i madh është që gjithçka u duket normale. Pra ky ka qenë sezoni kur është trumbetuar pa fund për stadiume të reja, por ndërkohë Kastrioti, Kukësi, Teuta i kanë luajtur të gjitha ndeshjet jashtë qytetit të tyre deri tani. Sikur të mos mjaftonte kjo edhe Partizani, Dinamo e Tirana kanë mbërritur në atë pikë sa edhe derbit t’i luajnë në Elbasan…

EDI RAMA ARMAND DUKA

Hej, Shqipëria nuk është në gjendje lufte që gjysmat e ndeshjeve të luhen jashtë qyteteve respektive!!!

Federata e ka certifikuar këtë kampionat pa tifozë duke e nxjerrë futbollin jashtë misionit të tij argëtues dhe edukues, ndërsa qeveria e sheh dhe nuk bëzan. As që do t’ia dijë…

Sikur të mos mjaftonte ky menaxhim skandaloz i kampionatit kombëtar tani nisin të ndjehen edhe efektet reale të skemës me 10 ekipe. Formati që i intereson vetëm FSHF-së nuk ka prodhuar futboll më cilësor gjatë këtyre viteve. Nuk ka sjellë as më shumë tifozë në stadiume, nuk ka sjellë më shumë të ardhura dhe nuk ka rritur cilësinë në Kategorinë e Parë. Përkundrazi, vitin tjetër me gjasë do të shohim Dinamon, Skënderbeun, Flamurtarin, Lushnjen, Apoloninë, Tomorin, Besëlidhjen në Kategorinë e Parë.
Ndërsa Luftëtarin me Elbasanin në të Dytën. Nëse zhvillim futbolli quhet lënia jashtë Superiores e më shumë se gjysmës së qyteteve tradicionale të futbollit, atëherë FSHF të na shpjegojë se cili është përfitimi? Ndërsa qeveria të shpjegojë se përse nuk miratohet ligji për sponsorizimin dhe përse e ka braktisur futbollin në atë pikë sa nuk i bën më përshtypje që kampionati po shndërrohet në një garë thjesht sa për të kaluar radhën. Prandaj tani është e vështirë të kuptosh se:

– Përse kemi stadiume të reja, por pa tifozë?

– Pse klubet tona janë të zhytura në borxhe?

– Pse shumica e qyteteve të mëdha janë jashtë elitës dhe jashtë vëmendjes së qeverisë dhe FSHF-së?

– Pse klubet tona prodhojnë kaq pak për ekipet kombëtare?

– Pse klubet tona vazhdojnë të “hanë” para nga taksapaguesit shqiptarë?

– Pse reduktohet me 64 % fondi vjetor për shumësportëshin pa asnjë motiv nga ministria e sporteve?

Mirëpo është mbërritur në këtë pikë sepse jo vetëm që nuk ka pasur një strategji reale për zhvillimin e sportit, por edhe sepse qeveria ia ka lënë federatave ta menaxhojnë si pronë të vetën dhe jo si pronë të shqiptarëve. Është mbërritur në këtë pikë sepse askush nuk jep llogari për punën që bën dhe nëse i realizon objektivat. As qeveria as federatat. Madje aq dëshpëruese është situata saqë për zgjidhjen e kësaj situate qeveria “kurdis” KOKSH-in që të kërkojë hapjen e basteve për të shpëtuar sportin…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura