DËSHMIA/ Burri rrëfen vrasjen e gruas: I kërkova para, por s’më dha

Oct 10, 2015 | 21:37
SHPËRNDAJE

Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në lagjen “15 Tetori” në Fier, Arqile Fili ka rrëfyer në Polici arsyet dhe detajet e grindjes me të shoqen, që çuan në vrasjen e saj.

Fili ka pranuar se është grindur me të shoqen natën e vrasjes, sepse ajo refuzoi t’i jepte para. Ai është mbrojtur para Policisë duke thënë se nuk kishte qëllim ta vriste.

“Isha i dehur dhe nuk mbaj mend shumë. Por kur hyra në darkë, ajo më kërkoi paratë që më kishte dhënë në mëngjes dhe i thashë se i kisha shpenzuar. I kërkova para për të nesërmen, sepse ajo ngrihej herët se punonte në tregun e perimeve, por refuzoi.

Pas kësaj u grindëm dhe nuk mbaj mend si e kam goditur”, tregoi ai. Sipas ekspertizës, Fili ka përdorur një gur peshoreje për të vrarë gruan. Ai ka goditur në kokë duke e lënë të vdekur.

Ndërkohë që sot rreth orës 10.00 viktima është përcjellë për në banesën e fundit nga të afërm e familjarë. Ajo që është vënë re gjatë mbrëmjes së djeshme dhe sot ka qenë edhe mungesa e energjisë elektrike në shtëpinë e çiftit, të cilën OSHE e kish ndërprerë para dy muajsh pasi ishin debitor.

Krimi në familje ka ndodhur mbrëmjen e datës 8 tetor ndërsa 20 orë më vonë u zbulua si ngjarje nga e bija e çiftit. I shoqi e ka mbajtur kufomën brenda në shtëpi, duke mos lajmëruar askënd për ngjarjen.

Ndërkohë, e bija e tyre e martuar pasi ka tentuar të flasë me prindërit në telefon dhe ata s’i janë përgjigjur ka mbërritur me urgjencë duke parë edhe skenën e rëndë.

Të gjithë të afërmit e njihnin autorin si njeri që konsumonte rregullisht alkool, ndërsa nuk kishin dijeni se ai kishte problem e konflikte me gruan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura