Dervishaj: Kemi gabuar me fushën, ju them planin për “Air Albania”-n

Mar 12, 2021 | 23:44
SHPËRNDAJE

Fusha ka qenë problemi më i madh i stadiumit më modern në Shqipëri. I pari i mbuluar në vendin tonë, nxori në pah edhe mungesën e eksperiencës për të trajtuar si duhet një fushë të cilën rrezet e diellit nuk e mbulojnë në çdo çep. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv në FSHF, përgjegjës për aspektin e infrastrukturës, ka kurajën që të pranojë edhe gabimet që janë bërë në trajtimin e fushës, ndërsa për “Panorama Sport” tregon edhe projektin për të ardhmen se çfarë do të ndodhë me të.

Air Albania

Profesor, si është ecuria e punimeve për rigjenerimin e fushës?

Punimet për fushën po shkojnë në mënyrë shumë normale. Po bëhet trajtimi që të jetë në kushte optimale për ndeshjen ndaj Anglisë më 28 mars. Janë vendosur llambat, sidomos për atë pjesë ku nuk bie dielli, por edhe pak minuta në pjesët e tjera. Që pas javës së parë të trajtimit, ka një zhvillim të mirë të rrënjëve të barit që po depërtojnë në mënyrë që të lidhet mirë me rërën. Edhe nga biseda me specialistin anglez, fusha po bën progres për të arritur gjendjen optimale.

Specialisti anglez, për faqen e FSHF-së, deklaron se “stadiumi është ndërtuar nga inxhinierë të ndryshëm, që nuk e kanë marrë shumë në konsideratë barin”. Kush mban përgjegjësi për këtë?

Shikoni, nëse do të lexojmë raportin që ka bërë specialisti anglez për fushën, nuk thotë kështu. Ndoshta është një gabim në përkthim ose ndoshta është shkruar jo korrekt. Specialisti anglez nuk ka thënë gjë për bazamentin, por ka thënë që ishte nevoja për llambat, gjë të cilën ne e dinim që në fillim. Aty ka një problem, që arkitekti ose projektuesi duhet të studionte edhe fushën, jo vetëm për bazamentin. Bazamenti është bërë tamam, që nga gërmimi; vendosja e një shtrese gjeotekstili që të mos kalojnë dherat te rëra dhe anasjelltas; vendosja e shtresave të granilit dhe rërës; vendosja e drenazhit kanë qenë shumë korrekte.

Pra, sipas jush, nuk qëndron ai konstatim i specialistit?

Mund të kenë qenë shumë inxhinierë, por ka pasur një supervizion të plotë. E përsëris, anglezi nuk ka thënë gjë për bazamentin që çalon. Është shumë i mirë, ashtu siç edhe drenazhi për kushtet e Shqipërisë, është shumë i mirë, pasi e ka përballuar shumë mirë pjesën e shiut. Ajo që ka qenë problem, për të cilën specialisti anglez e ka thënë edhe për fushën në “Elbasan Arena”, ka qenë se duheshin llambat për të ndihmuar procesin e rritjes së barit. Tjetra ka të bëjë me ndonjë trajtim jo të mirë nga ana jonë.

Çfarë nuk është bërë si duhet?

Mirëmbajtja. Specialisti ka vëzhguar edhe Elbasanin dhe na tha që “ka shumë ujë dhe duhet ulur sasia e vaditjes”. Gjithashtu, edhe në Tiranë, është tepruar pak me sasinë e ujit gjatë vaditjeve.

Thatë që e dinit që duheshin llambat, por pse nuk u blenë?

Po, e dinim, por vepruam siç na rekomandoi kompania greke që vendosi fushën. Ata sugjeruan që ta testojmë gjashtë muaj deri në 1 vit gjendjen e fushës pa llamba, nisur nga kushtet e mira atmosferike në vendin tonë. Tani i kemi marrë llambat dhe fusha do të bëhet në kondita optimale, por s’kanë të bëjnë inxhinierët.

Dervishaj

Po fusha ka qenë në gjendje të keqe, nuk ka asnjë gabim tjetër?

Po, ka pasur. E pranoj që ne kemi gabuar në mirëmbajtjen e fushës. Së dyti, plehrat ushqyes që ne blemë për fushën në disa momente kanë qëlluar të skaduar. Pra, edhe me etiketa brenda datës së skadencës, kompania na ka shitur mallin e skaduar. Për t’i bërë një tjetër autokritikë vetes, ne nuk kishim eksperiencën e duhur se si trajtohen fushat e mbyllura, gjë për të cilën kanë vuajtur edhe në stadiume moderne në Europë dhe kanë hasur problematika si “San Siro” në të shkuarën, derisa u ndërrua dhe u bë hibrid.

Cilat kompani e kanë bërë këtë?

Nuk kam ndërmend që t’ua përmend emrat. Përfaqësuesi shqiptar nuk kishte faj, plehun na e kompensoi, por dëmin na e bëri.

Nisur nga kjo, ju kujtoj që keni deklaruar se “fushat kanë nevojë për agronom”. Pse nuk ka pasur në “Air Albania” një të tillë dhe çfarë do të bëhet për të ardhmen?

Ka pasur agronom. Për të ardhmen federata do të bëjë një marrëveshje me këtë kompani angleze që duke blerë disa pajisje me vlerë deri në 5 mijë euro dhe duke i paguar një tarifë mujore përafërsisht 150 paund, të diagnostikojmë gjendjen reale të fushës me të gjithë parametrat, t’i dërgojmë të dhënat në sajtin e kësaj kompanie dhe të marrim recetën e trajtimit të fushës. Këtë praktikë e bën edhe Juventusi në stadiumin e vet. Ta testojmë si procedurë për fushat ku federata ka investuar dhe në rast se do të jetë efikase, ndoshta mund të jetë për të ardhmen praktikë edhe për klubet. Them ndoshta, sepse është ende një ide fillestare, e pavendosur. Mirëmbajtja është kryesorja, sepse edhe me barin më të mirë, pa mirëmbajtje të del jashtë përdorimit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/