Depozitat rriten në gusht, por bankat nuk japin kredi

Oct 2, 2015 | 12:17
SHPËRNDAJE

Bankat vazhdojnë të mos japin kredi për bizneset, edhe pse në gusht kanë pasur një rritje të pazakontë prej 60 milionë USD në depozita. Bankat vazhdojnë të ndjekin një politikë mbrojtëse, duke u përshtatur me një stanjacion të kërkesës së bizneseve për kredi të reja.

Banka e Shqiperise
Banka e Shqiperise

Në kushtet e pasigurisë ekonomike, e cila parandjehet që në fillim nga bizneset, edhe bankat po përshtaten me të tjera investime, duke përjashtuar kreditimin. Studimet e bankës flasin për një ulje të kërkesës për kredi, si dhe një rritje të kushteve për të dhënë financime nga bankat.

Sot ekonomia shqiptare, edhe pse raportohet me rritje në shifrat 2.5 për qind, mund të shërbejë si shembull për ekonomistët. Buxheti i shtetit realizon vetëm gjysmën e investimeve të parashikuara, bankat ulin sasinë e kredive për biznesin, dhe sërish ka rritje ekonomike. Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon vetëm shifrat.

Në gusht, sasia e kredisë për ekonominë ishte 550.188 miliardë lekë. Në korrik ishte 551.588 miliardë lekë dhe në janar të këtij viti ishte 557.667 milionë lekë. Me pak fjalë, gjatë kësaj periudhe bankat jo vetëm që nuk kanë dhënë financime, por kanë mbledhur të paktën 7 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro.

Duhet theksuar se bankat japin çdo muaj kredi të re, por sasia e kredive që mbledhin është më e madhe sesa ajo që japin. Dhe kjo po ndodh në një kohë që depozitat janë shtuar. Pas tërheqjes në qershor dhe korrik, në gusht ka një shtesë prej rreth 6.2 miliardë lekësh depozita.

Pra, para ka, thjesht nuk është klima e duhur për t’ia dhënë ato biznesit. Kështu mendojnë bankat, dhe ato biznese janë. Në këto kushte, pra, kur bankat rrudhin me rreth 9 miliardë lekë kredinë për bizneset, dhe e mbajnë thuajse të pandryshuar atë për individët, duhet të ndërhyjë qeveria. Por duket se edhe qeveria po i mban paratë për vete.

Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se investimet publike, të cilat mund të nxitin në njëfarë mënyre rritjen ekonomike, jo vetëm që nuk janë në ritme të kënaqshme, por janë përgjysmuar. Kjo në krahasim me planin e rishikuar të qeverisë në korrik. Matematikisht si qeveria, edhe bankat po kursejnë paratë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura