Dëmtimi i linjave nga kompanitë, OSHEE propozon masa ligjore

Dec 7, 2016 | 11:38
SHPËRNDAJE

Administratori Adrian Çela deklaroi dje se OSHEE-ja do të vendosë sanksione ndaj firmave private, që do të dëmtojnë linjat elektrike. Nga Lapraka, ai denoncoi një tjetër rast të dëmtimin të linjave dhe aseteve të OSHEEsë nga kompani private, që punojnë në projekte publike dhe kjo situatë po bëhet e vazhdueshme tashmë, gati alarmante.

adrian-cela-620x4321

“Dy ditë më parë denoncuam subjektin privat ‘CoGet’, i cili po punon për koperacionin italian në sistemin e ujësjellësit, që dëmtoi linjat tona, duke lënë për mbi 3 orë banorët pa energji elektrike. Po sot, e njëjta firmë, dy metra më tutje, ka dëmtuar sërish në dy pika të ndryshme linjën e tensionit të mesëm dhe linjën e tensionit të ulët, duke lënë 3500 abonentë pa energji elektrike në zonën e Laprakës”, u shpreh Çela.

OSHEE-ja nga ana e saj i ka paraqitur këto raste në organet kompetente, por siç duket rezultati është i papërfillshëm.

“Për rastet e dëmtimeve kemi lajmëruar policinë dhe më tej çështja kalon në Prokurori, por këtu mbyllet hetimi. Ka pasur raste që kompani të ndryshme i kemi denoncuar 2-3 herë rresht si ‘Salillari’, apo ‘Albavia’, që kanë punuar për Unazën e Madhe, ose të ‘Kodra e Diellit’, zona këto që janë kthyer në gangrenë për OSHEEnë dhe abonentët e saj, për shkak të dëmtimeve të shumta, duke lënë banorët për orë të tëra pa energji elektrike, edhe pse OSHEE-ja ka investuar në ato zona. Doja t’ju bëja me dije se po marrim nisma ligjore dhe do t’ia propozojmë edhe Këshillit të Ministrave për të parashikuar sanksione të forta ndaj kompanive që dëmtojnë linjat tona, madje deri në konfiskim të garancive, apo ndërprerje të energjisë elektrike të atyre institucioneve që financojnë këto punime”, u shpreh Çela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura