Demarkacioni përçan koalicionin

Nov 14, 2017 | 9:02
SHPËRNDAJE

Deputetët e PDK-së kanë kritikuar dje drejtuesit e Komisionit të ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi se nuk kanë ofruar asgjë të re rreth demarkacionit përderisa ata të AAK-së kanë kërkuar që Komisioni të mos ngutet me punën e tij. Analistët vlerësojnë se kjo është përçarja e parë e partnerëve të koalicionit qeverisës, shkruan sot gazeta Zëri.

demarkacioni

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila ka mbetur pa zgjidhje tash e dy vjet, gjatë ditës së djeshme “përçau” partnerët e koalicionit qeverisës. Përderisa Komisioni i ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (i caktuar nga kryeministri Haradinaj) raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, deputetët e partive politike që janë pjesë e koalicionit shfaqën mendime kontroverse lidhur me të gjeturat e deridjeshme.

Gjersa deputetët e AAK-së u bënë thirrje anëtarëve të Komisionit që të mos nguten, por ta bëjnë punën sa më mirë dhe të sjellë fakte, ata të PDK-së konsideruan se gjatë ditës së djeshme Komisioni nuk ka ofruar asnjë të re rreth demarkacionit.

Përkundrazi, sipas tyre, ky Komision në raportimin e djeshëm është marrë vetëm me punët e ish-komisionit paraprak, të drejtuar nga Murat Meha.

Pavarësisht tyre, përfaqësues të partnerit tjetër të koalicionit, Nisma për Kosovën, konsideruan se Komisioni gjendet para një presioni të madh për finalizimin e raportit.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në të tilla çështje duhet të ofrohen fakte e jo të bëhen deklarata politike. Ata me këtë rast nuk kanë përjashtuar mundësinë që demarkacioni të bëhet shkas për t’u përçarë përfundimisht ky koalicion.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura