Debati për kujtesën përtej Kinostudios

SHPËRNDAJE

Jonila godole shkrim
DR. JONILA GODOLE

Çështja e transmetimit të filmave propagandistikë të prodhuar në Kinostudio, përveçse e përfshiu  shoqërinë shqiptare në një debat dikotomik (pro dhe kundër, komunistë dhe antikomunistë, nostalgjikë dhe kundërshtarë), hodhi dritë mbi një fakt të trishtueshëm: Procesi ynë i reflektimit mbi diktaturën është endemik, në hapat fillestare dhe nevoja për ta njohur të kaluarën është një urgjencë historike!

Në vështrim të parë u duk sikur debati për “ndalimin” e filmave nxori në pah nostalgjinë e shqiptarëve për të shkuarën komuniste. Nuk dua të besoj se mbështetësit e zjarrtë të prodhimeve propagandistike të Kinostudios do të donin t’u kthehej mbrapsht një sistem represiv si ai i Hoxhës. Mbase ca do ta donin, por le të marrim të mirëqenë se janë një pjesë e vogël. Nostalgjia që mbyti rrjetet sociale, faqet e shtypit dhe ekranet televizive nuk ishte aq për sistemin, sesa bazohej te ruajtja e një cope identiteti të tyre në atë kohë të jetuar brenda kushteve të vështira të diktaturës.

Se parë nga perspektiva e sotme, asnjëri nuk beson vërtet që fshatari mund ta japë tokën e tij me dëshirë, që besimtari të kthehet me dëshirë në ateist sepse ia kërkon partia, që fëmija të dojë udhëheqësin më shumë se nënën, dhe të tjera gjepura si këto. Por mbase nga 1990-a deri më sot, të shkurajuar nga realiteti “demokratik” ata kanë përzgjedhur anët pozitive të jetës në atë sistem duke i integruar ato në aktualitetin që jetojnë. Kjo është e kuptueshme dhe nuk mund të fajësohen për këtë.

Por ka diçka që duhet të na bëjë me turp si shoqëri dhe që ngjan se është arsyeja kryesore e harresës sonë kolektive, fakti që ne ende nuk kemi rënë dakord, të gjithë, se periudha komuniste është epoka më e errët e historisë së Shqipërisë! Dhe ende nuk janë evidentuar qartë përgjegjësit e saj. Dënimi i së shkuarës nuk ndodhi as kur pas 1990-ës narrativa propagandistike e sistemit doli zbuluar si mashtrim dhe manipulim i masave për 45 vjet. Mungesa e një imperativi shtetëror dhe transparencës institucionale për regjimin komunist nga rënia e sistemit deri më sot, ka ushqyer opinionin publik me fitoret e “Shqipërisë fushë me lule” të trumbetuar në komunizëm dhe ka lënë në heshtje kufomat që nuk janë aspak të fshehura në qilar, por sheshit, si dëshmi e gjallë e shtypjes dhe terrorit ndaj çdokujt që mendonte ndryshe.

Në ekranet kombëtare gjermane krimet e Hitlerit ndaj hebrenjve dhe kombësive të tjera, si dhe dëshmitë e atyre që mbijetuan janë të pranishme gati 2-3 orë në ditë, për të mos i lënë brezat e rinj të harrojnë çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka qenë në gjendje të bëjë njeriu ndaj njeriut. Pyetja që shtrohet në rastin tonë është se çfarë kanë zgjedhur shqiptarët të kujtojnë nga kjo e shkuar e tyre, cili është sistemi vlerësues i diktaturës? Përse kjo tolerancë e jona ndaj krimeve të komunizmit dhe mospërballjes me të keqen?

Debati për shfaqjen e filmave “me kriter” tregon pikërisht mosnjohjen e thellë të atij regjimi në rrafsh më të gjerë. Si shoqëri nuk dimë shumë për ata që persekutuan dhe ata që u persekutuan; nuk dimë si funksiononte kontrolli i shtetit dhe i organizmave të tjera ndihmëse mbi jetën e përditshme të shqiptarëve; nuk dimë mënyrat e funksionimit të propagandës që na bën edhe sot të ekspozuar ndaj propagandave të kamufluara të kohës; nuk dimë as rëndësinë që PPSH, Enver Hoxha, Sigurimi etj., kishin realisht për njerëzit e të gjitha shtresave në atë kohë; nuk dimë pse dhe deri në ç’masë spiunimi i njëri-tjetrit ishte i përhapur në jetën e përditshme; nuk dimë pse nuk pati solidaritet mes njerëzve dhe mbi të gjitha, si mundi ta duronte shoqëria kaq gjatë këtë sistem politik shtypës?!

Në këto dy dekada ka pasur përpjekje për të dokumentuar kujtesën individuale me libra autobiografikë, filma dokumentarë dhe artefakte muzeale që sqarojnë anën tjetër të regjimit. Të gjitha këto rrëfime kanë të përbashkët faktin se pas luftës nacionalçlirimtare – e paraqitur përherë si heroike në librat e historisë – për një pjesë të shqiptarëve filloi ferri i vërtetë. Vrasje dhe burgosje me apo pa gjyq, internime masive të familjeve në disa breza, nga foshnjat te fëmijët, gratë e pleqtë.

Këto botime pak njihen nga lexuesi masiv që ushqimin kulturor e merr sot të injektuar përmes “guruve” të kulturës në ekran dhe rrjete sociale. Por nga ana tjetër, “pluralizmi kulturor”, për arsye komerciale dhe jo vetëm, e ka njohur atë gjerësisht me kujtime ambasadorësh, bodygardësh, kuzhinierësh, ish-hetuesish dhe ishbashkëpunëtorësh të Sigurimit, miq e dashamirës të regjimit që kanë krijuar idenë e një komunizmi që ishte më shumë i mirë se i keq, pavarësisht se ai regjim vazhdoi të vriste dhe persekutonte njerëz deri në orët e fundit të jetës së tij, më 1990-ën.

Nuk mund të mbajmë gjallë parullën “good old days of communism” dhe të duartrokasim njëherazi për demokracinë, sado e brishtë të jetë ajo sot, pa dënuar krimet e komunizmit në rrafsh institucional dhe shoqëror. Prandaj debati që u hap për filmat e pati një të mirë, duke na dhënë mundësinë për herë të parë të përballemi me gjakftohtësi me trashëgiminë e së shkuarës. Ta vendosim si prioritet për një ndryshim thelbë- sor të kurrikulës shkollore që po rrit breza të tërë pa kujtesë.

Të reflektojmë në fushat e artit dhe kulturës, ku ende përballemi me produkte tranzicioni që nuk hyjnë dot në dialog me atë epokë nga konteksti i sotëm duke zgjedhur kësisoj të qëndrojnë “politikisht korrekt” sipas klisheve reminishente të estetikës kulturore proletare. Të bëjmë publike biografitë dhe historitë jetësore të rezistencës për të nderuar e kujtuar viktimat dhe si një gur kilometrik në kujtesën tonë kolektive dhe në qëndrimin ndaj diktaturës. Por për më tepër, të evitojmë me çdo kusht ripërsëritjen e atij sistemi në çfarëdo forme hibride që ai mund të rishfaqet në të ardhmen.

Asimetria e thellë që shoqëroi debatin, nga njëra anë pozicionimi (agresiv) i ithtarëve të së ashtuquajturës “trashëgimi historike dhe kulturore” që u mbështetën gjerësisht nga mediat tradicionale, dhe nga ana tjetër, dhjetëra mijëra viktima dhe pasardhësit e tyre, mendimi i të cilëve nuk u dëgjua në këto platforma mediatike, bën të mendosh që sistemi totalitar i së shkuarës me përndjekjen propagandistike që e karakterizon mund të ringjallet në çdo kohë. Prandaj ky debat duhet zhvilluar, zgjeruar dhe thelluar përtej Kinostudios!

* Autorja është drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) që merret me ndërgjegjësimin e të rinjve për diktaturën shqiptare dhe mënyrat kreative të përballjes me të (www.idmc.al)

Te lidhura

 

Artikulli paraprakGreqia feston në Tiranë Pavarësinë nga Turqia
Artikulli tjetërTesti i pemës, tregon se çfarë personaliteti keni

7 KOMENTET

  1. Urime per shkrimin, znj Godole! Shqiptaret duken shume te mjere ne shijen e tyre vulgare dhe kujtesen e shkurter! Them shqiptaret sepse nostalgjia per vitet e mjera te diktatures duket gjeresisht e perhapur dhe ende nxitet qellimisht! Ky mjerim intelektual e moral terheq mbi ta shume perbuzje dhe ata as qe jane te vetedijshem per kete!
    Te mjeret!

  2. Arti eshte art. Po, filmat shqiptare te diktatures jane te ngjyrosur me propaganden e kohes. Sidoqofte, nuk mund te hidhen ne plehra mundimi dhe loja e shkelqyer e aktoreve tane. Nuk duhet te biem pre e censures. Ne ShBA mund te gjesh lloj lloj filmash e libra duke filluar qe nga Karl Marx e deri tek Hitleri etj. Ne nje librari ne New York mund te biesh perballe "Manifestit te Partise Komuniste" te Marksit dhe askush nuk ben si histerik. Nese ne shqiptaret jemi mbi logjiken e perendimit mund te vazhdojme me censura. Mos harrojme se emocionet e shume nga ata filma nuk I kemi gjetur akoma ne filmat e pas komunizmit. TE CENSUROSH DO TE THOTE TE KESH FRIKE NGA REALITETI. Filmat e diktatures duam apo nuk duam ne jane pjese e thesarit kulturor shqiptar.

  3. …metoda kreative e perballjes me diktaturen DUKE NDALUAR SHfQAQJEN E FILMAVE…nuk duket shume kreative me nje sy te pare. Me nje sy te dyte, duket qe disa njerez e kane komunizmin ne shpirt dhe nuk c'rrenjoset as me qindra vjet Demokraci , dhe Mendim te Lire!!!!

  4. Pikerisht kjo eshte moj cupe qe ti nuk kupton, se jeton rreth bulevardit qendror te Tiranes. Pra shqiptaret nuk jane dakort qe periudha e socializmit eshte periudha me e erret e historise te popullit shqiptar.
    Sepse kjo periudhe 27 vjecare nuk arriti ta hedhe poshte ate periudhe, bile me diferencimin kriminal pasurorqe ju be njerezve, ata po mendojne se ishim me mire kur ishim me keq.

  5. Artikul shum me vend dhe qe tregon sa te verber dhe fshataresk eshte publiku shqiptare. Flisni me shume seriozitet dhe kerkime per filmat kur kreun e komunisteve dhe diktatorin me te eger Saline e degjoni cdo dite ne media. Nuk e shikoni elefantin ne Shqiperi por meřreni me filma.

  6. Znj Godole flet per gjera te bukura dhe te pelqyeshme!Ne te vertete dike keto filma e vendosin ne pozite te veshtire!
    Ndersa komunizmi zhduku fare periudhen e 24 viteve te para te Shtetit shqiptar,nese 45 vjet ishte periudha me e erret e historise tone dhe nese kemi 25 vjet qe nuk dime me cfare jemi ..A mund te na thote zonja Dr. se cfare eshte historia jone….!!!
    Filmat e komunizmit ishin propagande ,per me teper nuk ishin as realiste (realizmi socialist i paraqiste gjerat si duhet te ishin dhe jo si ishin ne realitet), keto filma krijuan dhe krijojne nje pamje te rreme te nje vendi qe nuk ka qene ashtu!
    Nese do na bjere ndermend krahasimi kemi ca veshtiresi…
    Nje i ri sot e percepton sot Shqiperine ferr krahasuar me Boten!
    Le ti themi se edhe atehere ishte Ferr krahasuar me Boten zonja Godole
    Pastaj dalim me shenjen e shqionjes para grekeve dhe italianeve..
    Jam dakord te largojme nje "fake"vend nga imazhet duke e zvendesuar me se Godole?!
    Shpelarja e trurit behet ne cdo ane….
    Keto filma tregojne se babai shkonte ne pune,se femija shkonte ne nje shkolle modeste por me rregull dhe siguri,se neper qyetete nuk endeshin njerez kot,se fshatari dilte ne are qe heret,qe fqinjet ndihmonin njeri tjetrin,qe mesues ,prinder,te rritur e femije te qortonin per nje veprim te gabuar,qe njerzit ishin te thjeshte nuk vriteshin mes tyre per qejf,nuk dilnin lakuriq rrugeve,nuk mbillnin e thithnin hashash,nuk grumbulloheshin neper banda per trafik droge,armesh ,femrash ,organesh etj…
    A ishin fake?!Sigurisht ishin….e thote Bruti…dhe Bruti eshte burre i ndercem…
    Hiqini keta filma ; Nuk do vdese njeri;edhe greket hoqen nen nazizmin…por Roza Eskhenazin nuk e ndaluan nga filmat,dhe kasetat….

  7. Po vazhdon gjate debati per filmat e para 90-es .Ne disa raste shkohet deri atje sa nga deshira per te arritur me nje here rezultatin qe mendon kalohet ne ofendime dhe nervozizem. Arti nuk imponohet ne asnje lloje sistemi dhe aq me pake ne demokraci. Kur pelqehet nga masat nuk mundet ti largosh me arrogance. Nga ana tjeter ne kordonin e artit jane figurat me te shquara qe edhe sote nuk ka force ti heq nga memorja e njerzeve. Arti i sotem me shume kenaq artistet qe luajne ne te se sa ndjekesit e tije. Shqetesohuni per te sotemen cfar i serviret brezit te ri qe po robotohet me filmat horrore dhe te bajatosur .

Comments are closed.