Debati për buxhetin, Ahmetaj: Deficiti fiskal më i ulëti në dy dekada

Oct 17, 2018 | 9:18
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Diskutimet për realizimin e buxhetit të vitit të kaluar u shoqëruan me debate dje në Komisionin e Ekonomisë mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave.

ahmetaj1

Kontrolli i Lartë, gjatë prezantimit të raportit arriti në konkluzionin se borxhi publik për vitin 2017 arrin deri në 74 për qind, duke përfshirë detyrimet e prapambetura dhe stokun e rimbursimit të TVSH-së. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se borxhi është ulur 2,2 për qind, ndërsa deficiti fiskal është në nivelin më të ulët të tij. Këtë vit, prezantimi i raportit të KLSH-së nuk u bë nga kreu i këtij institucioni, i cili mungesën e argumentoi me përfundimin e mandatit dhe moskandimin e tij.

Debati

Drejtoresha e auditit në Kontrollin e Lartë të shtetit, Manjola Naço, tha se borxhi publik në 2017 llogaritet deri në nivelin 74 për qind për shkak të detyrimeve të prapambetura, të cilat qeveria i ka raportuar si shpenzim të viteve të ardhshme. “Sipas auditimit të KLSH-së, vlera e detyrimeve ka rezultuar jo më pak se 19 miliardë lekë. Vlera e detyrimeve të prapambetura është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme, nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit të raportuar duhet të ishte rreth 1,104 miliardë lekë. Konstatohet që nga hartimi i strategjisë niveli i borxhit publik është luhatur rreth niveleve nga 70 për qind deri në 74 për qind të PBB-së.

Pra, jemi larg objektivit të synuar në strategji”, tha Naço. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se buxheti është zbatuar sipas rregullave fiskale dhe borxhi është ulur 2 për qind. “Referuar statistikave faktike rezulton se borxhi publik përgjatë vitit 2017 është reduktuar me 2.2 pikë përqindje nga niveli që regjistronte në vitin 2016, përkatësisht nga 72.3 për qind e PBB në 2016 ra në 70.1 për qind në vitin 2017.. Reduktimi është edhe më i lartë nëse i referohemi konceptit “neto” të borxhit publik.

Sipas këtij koncepti, borxhi publik neto nga niveli prej 71.6 për qind e PBB në vitin 2016 ra në 68.7 për qind në 2017, pra një reduktim me 2.9 pikë përqindje”, u shpreh Ahmetaj. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, për deficitin fiskal duhej të ishte raportuar një shifër tjetër, pasi nuk është marrë në konsideratë stoku i detyrimeve për rimbursimin e TVSH-së. “Efekti neto në deficit sipas raportimit jo të saktë, keqklasifikimit vlerësohet të jetë në masën 1,647 milionë lekëve.

Deficiti tejkalon kufijtë e vendosur në ligj. Në raport me PBB-në arrin 2,36 për qind pa marrë në konsideratë detyrimet e prapambetura të 2017-s dhe rritjen e stokut të rimbursimit të TVSH-së. Për këto arsye, duhet të ishte raportuar një shifër tjetër në deficit fiskal”, u shpreh drejtoresha e auditit të KLSH-së. Kreu i Financave Ahmetaj i cilësoi pretendimet e KLSH-së të stisura. Ahmetaj tha se shifrat e ekonomisë janë të certifikuara nga FMN-ja dhe investitorët e huaj, pasi qeveria sapo emetoi eurobondin me vlerë 500 milionë euro.

“Çdokush që e lexon në mënyrë profesionale këtë parametër kyç të financave publike, e kupton domethënien e një reduktimi prej mbi 2 pikë përqindje në një vit të vetëm, sidomos në një vit elektoral. Nuk ka ndodhur kurrë, çdo vit elektoral dhe kolona e planit që janë stisur artificialisht me demek diferenca, ja ku është në vitin 2011 deficiti në bazë të ligjit dhe kolona që u referohet planeve, që do të bëhet efektive në 1 janar të vitit 2019 me sistemin AFMIS.

Ndër të tjera, para pak ditësh ne realizuam një transaksion shumë të suksesshëm në tregjet ndërkombëtare për emetimin e eurobondit dhe në finale , besimi i investitorëve të huaj është një certifikim tejet i rëndësishëm dhe domethënës për qëndrueshmërinë e financave publike të Shqipërisë dhe të gjithë shifrat që ne përmendim sot këtu janë skanuar dhe analizuar në detaje të imtësishme nga FMN-ja dhe nga investitorët”, u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura